Bie Zogu, ngrihet Enveri

533
Sigal

Historianë  përkrahin nismën e qeverisë “Rama1”,  komunistët kërkojnë Enver Hoxhën

Vendimi i parë i qeverisë “Rama1”, i marrë ditën e hënë, më 16 shtator 2013, ishte heqja e fotos së Presidentit nga të gjitha zyrat e administratës publike dhe vendosja e portretit të Ismail Qemalit. Ky vendim i qeverisë, ishte një zotim elektoral, i dhënë nga Edi Rama. Mirëpo, ky vendim i qeverisë “Rama1”, përbën vetëm siparin e një sërë vendimesh të tjera, të këtij këndvështrimi, domethënë të rishikimit të disa vendimeve të qeverisë së Berishës, lidhur me vlerësimin e rolin historik të disa figurave historike. Ndërkaq zërat për heqjen e monumentit të Zogut dhe vendosjen e bustit të Enver Hoxhës po shtohen çdo ditë. Për këtë shkak, nuk është çudi, që ndonjë ditë, kjo të realizohet, duke bërë kështu rokadën e historisë, midis dy udhëheqësve, njëri prej të cilëve ishte mbret, pa gjak blu dhe tjetri, Sekretar i Parë i PPSH-së. Thuhet se së shpejti do të firmoset edhe një peticion i iniciuar nga veteranët dhe nga disa intelektualë, për realizimin  e kësaj rokade. Por shumë njerëz presin një vendim të qeverisë, që do t’i gjejë secilit prej busteve vendin e vet, ose duke hequr Zogun dhe duke ngritur atje Enverin.

Përgatitet vendimi për heqjen e monumentit të Zogut në Tiranë

Siç dihet,  në 2012-n, qeveria “Berisha”, në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, me pretekstin e vlerësimit dhe nderimit të figurave historike, i ngriti përmendore Ahmet Zogut në rrugën “Zogu i Parë”, në Tiranë.  Ky vendim i Kryeministrit të asokohe, Sali Berisha ngjalli debate  dhe kundërshti të madhe, jo vetëm midis historianëve, por edhe në opinionin e popullit shqiptar. Madje kryeministri i asokohe, Berisha edhe shtatoren e Nënë Terezës e ka futur në një cep te këndi i Korpusit të Universitetit të Tiranës, i padallueshëm, ndërsa  shtatoren e themeluesit të  shtetit shqiptar, Islamil Qemali, e ka vendosur  pranë gardhit të ndërtesës qeveritare, i padukshëm nga shëtitorët dhe vizitorët. Jo vetëm kaq, por qeveria e atëhershme ka shkurtuar edhe bulevardin kryesor të kryeqytetit, që mban emrin “Dëshmorët e Kombit” dhe i dha emrin “Zogu i Parë”.  Asokohe,  PS-ja reagoi. Sipas burimeve të mirinformuara në PS, qeveria “Rama1”, përgatit një projektvendim, i cili, duke u bazuar në vlerësimet e historianëve në rolin dhe kontributin e Ahmet Zogut. Shumë historianë japin një vlerësim të dyshimtë për rolin dhe kontributin e Ahmet Zogut, ndaj, sipas historianëve, shtatorja e Ahmet Zogut në qendër të Tiranës, nuk ka asnjë vlerë historike. Pikërisht, duke u mbështetur në këto vlerësime jo politike, por historike për rolin dhe kontributin e Ahmet Zogut, qeveria “Rama1” përgatit një projektvendim, i cili kërkon që të hiqet shtatorja e Ahmet Zogut, e cila gjendet në krye të bulevardit “Zogu i Parë”. Kjo edhe për një arsye më shumë. Shumë organizata shoqërore dhe individë, janë shprehur herë pas here, që sa të mbarojë mandati i qeverisë Berisha, do ta rrëzojnë dhe do ta heqin zvarrë shtatoren e Ahmet Zogut nga Tirana, sepse, siç janë shprehur ata, “ nuk është e mundur që të të njëjtin bulevard, të jenë shtatoret e vrasësit Ahmet Zogu dhe të heroit Hasan Prishtina, e ca metra më tutje, të jetë sheshi dhe busti i Avni Rustemit”.

Komunistët: “Ka ardhur momenti që të ngrihet Enver Hoxha”

Marko Dajti dhe Muharrem Xhafa,  kryetarët e dy partive komuniste, pohojnë se, ka ardhur momenti politik që të rivlerësohet figura e Enver Hoxhës. Sipas tyre, ka ardhur koha që në Tiranë të ngrihet edhe shtatorja e Enver Hoxhës. Dajti dhe Xhafa, të dy pohojnë, se qeveria e Majtë duhet të marrë vendim për ngritjen e shtatores së Enver Hoxhës, ashtu sikurse bëri edhe Berisha me Ahmet Zogun. Gjithashtu, Marko Dajti pohon se, nëse qeveria e Majtë nuk do të marrë një vendim  të tillë, atëhere komunistët do ta vendosin vetë Enver Hoxhën në Tiranë.

Flasin për “Telegraf”

Prof. Dr. Paskal Milo: “Politika larg vlerësimit të Historisë”

“Jam lodhur duke folur për figurën e Ahmet Zogut. Nëse duhet që të rishikohet figura e tij, politika është e lutur të qëndrojë larg dhe t’jua lërë këtë punë historianëve”

Prof. Dr. Sabit Brojka: “Nuk ka pse mbahet monumenti i tradhtarit në Tiranë”

“Një qeveri që vlerëson Historinë dhe kontributin atdhetar të figurave historike, nuk ka pse mban në mes të Tiranës, monumente të tradhtarëve të Atdheut, siç është Ahmet Zogu”.

Prof. Dr. Pëllumb Xhufi. “Ahmet Zogu nuk mund të ngrihet dot mbi tradhtitë e  shitjes së Shqipërisë”

“Ahmet Zogu është ai që ka lënë turpin e tradhtisë dhe të shitjes së trojeve të Shqipërisë te armiqtë e Shqipërisë. Rehabilitimin e tij historik nuk mund ta bëjë dot politika duke i ngritur ndonjë bust dhe as duke i vënë emrin ndonjë rruge. Ajo që mbetet e pashlyer në kujtesën e Historisë dhe të popullit shqiptar, mbeten aktet e tradhtisë së tij, duke u shitur trojet shqiptare armiqve të Shqipërisë, për një karrige pushteti”.

Muharrem Xhafa Sekretar i Parë i PPSH

Zogu  mbetet, siç ka qenë, një hajdut dhe tradhtar i popullit shqiptar. Enver Hoxha është i vlerësuar, prandaj dhe nuk ka asgjë për të rivlerësuar në figurën dhe veprën e tij me përmasa epokale në shërbim të popullit e të Atdheut.

Av. Idajet Beqiri, Kryetari i PUK: “Shtatorja e Zogut, turp kombëtar”

Ndër një mijë turpet e rënda antikombëtare që Berisha i ka bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë këtyre 8 vjetëve të sundimit të tij, një prej kryeturpeve më të mëdha është edhe nderimi që i bëri figurës së satrapit Ahmet Zogu. Ai është personifikimi i tradhtarit, i burracakut, i anadollakut, i vrasësit, i kusarit. U bë “mbret”, pa patur asnjë lloj lidhje gjenetike me mbretërinë shqiptare. E sollën dhe e mbajtën në pushtet armiqtë më të përbetuar të kombit tonë, shoveno-gllabëruesit e Serbisë. I shiti interesat kombëtare te fqinjët tanë. La “shejtanin brenda” në marrëdhëniet me Greqinë. Përgjysmoi Bulevardin e shenjtë “Dëshmorët e Kombit”, duke i vënë emrin e këtij tradhtari dhe sahanlëpirësi të Beogradit.