Bie maska e ministres Xhaçka për NATO-n/ Aleanca e Veriut uron Shqipërinë dhe kujton me këtë foto antarësimin. Spoti mashtrues i “Rilindjes” për 10-vjetorin e anëtarësimit në NATO, rezultoi propagandë e turpshme dhe larg parimeve të unitetit të kësaj Aleance

463
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Organizata e Atlantikut të Veriut ka uruar Shqipërinë me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të saj në NATO. Në rrjetet sociale, NATO ka shpërndarë një foto, të asaj dite të rëndësishme për Shqipërinë dhe Kroacinë. Në foto është ministri i Jashtëm i asaj kohe, Lulzim Basha, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, dhe kryediplomati i Kroacisë në atë kohë, Gordan Jandrokoviç. “Më 1 prill 2009, Shqipëria dhe Kroacia përfunduan procesin e anëtarësimit dhe u bashkuan me Aleancën si vende anëtare. Duke u bërë anëtarë të NATO-s, aleatët ndajnë të mirat dhe përgjegjësitë për sigurinë kolektive”, shkruan NATO në rrjetet sociale.

Spoti mashtrues i Rilindjes për 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Pardje Shqipëria përkujtoi 10-vjetorin e anëtarësimit të saj në NATO në një paradë ushtarake, që u zhvillua në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, në prani të 29 përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s, ndërkohë që mbi qiellin e Tiranës fluturuan avionë luftarakë të NATO-s. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka kishte përgatitur një spot me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ku gjithçka ishte ndërtuar mbi mashtrimin e ngjarjeve, të personazheve politike që kontribuan asokohe që Shqipëria të anëtarësohej në NATO. Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka la të kuptohej me spotin e saj, se gjithë merita e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO para 10 vjetësh, i takonte …Rilindjes Socialiste, kur dihet, që Rilindja asokohe nuk ekzistonte, PS-ja ishte parti opozitare, ndërkohë që ishte qeveria e Berishës ajo që loboi me vite të tëra, plotësoi të gjitha kërkesat që parashtroi NATO, derisa Shqipëria u pranua anëtare me të drejta të barabarta në NATO 10 vite më parë. Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka në spotin e saj u mundua, jo vetëm që të fshijë historinë, por edhe të mashtrojë nëpërmjet manipulimit, duke mos përmendur asnjëherë kryeministrin shqiptar të asokohe; Berishën dhe ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, të cilët ishin protagonistët kryesorë që lobuan me partnerët ndërkombëtarë që Shqipëria të pranohet në NATO. Madje ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, duke u frymëzuar nga militantizmi partiak, shkeli edhe protokollin shtetëror të ceremonisë, derisa nuk ftoi ish-kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e Jashtëm Basha, në përkujtimoren e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ish-kryeministri Berisha pardje, falënderoi publikisht 2-ish socialistët, Ilir Meta dhe Pandeli Majko, të cilët kishin kontribuar për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ndërkohë, që udhëheqësit e sotëm të Rilindjes Socialiste, asokohe nuk kanë dhënë asnjë kontribut politik. NATO me urimin e saj për Shqipërinë, duke publikuar pikërisht atë foto historike, përgënjeshtron, qoftë edhe tërthorazi, spotin mashtrues të ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila, turpërisht, nuk përmendi protagonistët politikë të Shqipërisë në anëtarësimin në NATO.