Bie edhe kryebashkiaku i Vorës/ KQZ-ja i heq mandatin Kajmakut. Edhe 7 kryebashkiakë të tjerë në rrjetën e dekriminalizimit. Ja reagimet

489
Sigal

KQZ-ja shkarkon Kajmakun, Biba e mbron: Edhe krimineli më i madh ka dinjitet

 Pas një orë mbledhje pesë anëtarët e KQZ-së kanë vendosur që të shkarkojë kryetarin e bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Diskutimet brenda KQZ-së lidheshin me kërkesën e Prokurorisë në të cilën kërkohej se të hiqej mandati i Kajmakut, pasi bie ndeshje jo me ligjin e Dekriminalizmit, por me vendimin e Kuvendit për zbatimin e ligjit në fjalë. Ndërsa për të marr vendimin Komisioni vendosi me dyer të mbyllura. Por as 10 minuta nuk ka zgjatur kryekomisioneri Klement Zguri shpalli vendimin unanim me 5 vota pro të anëtarëve, ku i kërkohet shkarkimi i kryebashkiakut Agim Kajmaku. Zguri u shpreh se “ky vendim duhet t’i komunikohet kryeministrit dhe më pas të botohet në Fletoren Zyrtare.”.

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba e mbron Kajmakun

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba gjatë shqyrtimit të kërkesës se për prokurorisë për heqjen e mandatit të Agim Kajmakut, ka lënë të kuptohet se kryebashkiaku i Vorës po shkon drejt shkarkimit. “Jemi në një fazë shumë delikate. Morali i shoqërisë është duke u ndërtuar dhe nuk duhet harruar që dhe krimineli më i madh ka dinjitet. Në rastin konkret zotëria që është subjekt i hetimit, dhe nga materialet që ka ardhur nga prokuroria është dyshuar, është arrestuar dhe ka pasur arrestim për të për qarkullim të monedhave të falsifikuara. Ka një vendim gjykatë për të individi Kajmaku është i pafajshëm. Kajmaku është i denjë si individët e tjerë. Vendimi i Kuvendit që thotë se fshehja e të dhënave çon në shkarkimin e funksionarit. Ne nuk jemi Kuvendi i Shqipërisë, ne kemi detyrim ta zbatojmë këtë vendim. Paçka që ky vendim e ka tejkaluar ligjin. Agim Kajmakun nuk e kap ligji, por vendimi i Kuvendit. S’mund të bëhet bishti më i rëndë se sqepari. KQZ-ja kam frikë se mund të bëj, pak ose aspak. Ky ka qenë vullneti i legjislatorit, ky është një vendim i Kuvendit dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë veçse ta zbatojmë”, tha Denar Biba nënkryetari i KQZ-së.