“Bie” Astiri”/ Fadromat rrafshojnë 33 banesa. Orë pas ore me protestat, arrestimet, të plagosurit dhe reagimin e politikës

473
Sigal

“Bie Astiri”, përfundon aksioni i IKMT, prishen 33 banesa, dhjetëra banorë u dhunuan dhe u arrestuan nga policia

Ja si do të realizohej vjedhja e 20 milionë eurove tek Unaza, nga xhepat e qytetarëve në Delaware!

Prej orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme forca të shumta të policisë së shtetit dhe punonjës të IKMT-së zbarkuan në zonën e Astirit për të shembur banesat në këtë zonë që t’i hapet rruga ndërtimit të Unazës së Re. IKMT së bashku me policinë e shtetit u përballën me kundërshtimin e banorëve. Policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e banorëve, gjë e cila ka sjellë probleme për frymëmarrjen, disa prej tyre janë në gjendje të fikti. Banorët kanë deklaruar se po mbyten nga gazi lotsjellës. Ata shprehen se situata aty është një luftë. “Jemi mbytur nga gazi, burrat po na hidhen mbi çati. Luftë, luftë, jam në gjendje të fikti fare. Nuk të jap dot informacion, se jam tmerruar, filluan prishjet. Nuk kemi lëvizur asnjë objekt nga banesat e tona”, është shprehur Lindita Protoduari. Policia ushtroi dhunë kundër banorëve, përdori gaz lotsjellës kundër banorëve. Me dhjetëra banorë u dërguan urgjent në spital, për të marrë ndihmën e shpejtë, ndërkohë që policia arrestoi mbi 30 protestues. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka përfunduar aksionin e prishjes së banesave tek “Astiri” dhe njofton se janë shembur 15 objekte njëkatëshe, 11 objekte 2-katëshe, 6 objekte 3-katëshe dhe 1 objekt katërkatësh.”

Si i mashtroi Edi Rama banorët e Unazës në vitin 2013: Shtëpitë nuk prishen!

Historia e Unazës së Madhe, është shënjuar nga ngjarje të rënda, përfshirë aferën korruptive ku një kompani fantazmë po çonte 30 milionë euro në Delaware. Por, nëse kthehemi në vitin 2013, dalin në pah edhe mashtrimet e Edi Ramës në fushatë elektorale. Ai ka premtuar se shtëpitë jo vetëm që nuk do të prishen, por do të legalizohen, sepse janë kapitale.

Banorja në Astir: Politika na braktisi!

Një nga banorët e prekura nga plani për prishjen e shtëpive në zonën e Astirit, u shpreh se politika i ka braktisur krejtësisht, në momentin kur kishin më shumë nevojë. Banorja tregon: Na mbytën me gaz lotsjellës. Kishte banorë që po u dilte gjak dhe policia e merrte zvarrë. Si do të reagojmë ne? Ti lëmë ato prapë në këtë lloj mënyre do të sillen. Ato do të na vrasin. Edhe gazin nuk e hodhëm ne, kërkojmë të dialogojmë të japim zgjidhje. A jemi pjesë e këtij komuniteti. Kemi një farë të drejte që të na jepet një përgjigje. U është kërkuar edhe nga firmat e ndërtimit duke u thënë gjej zgjidhje për banorët dhe kanë thënë do të bëhet siç duam ne. Çfarë kuptimi ka hajde o vëlla marrim çantat dhe ikim të gjithë. Kjo na ka mbetur, ne do të marrim rrugën. E kanë kërkuar firmat që duan të bëjnë rrugën, hajde o vëlla ikim të gjithë ti lirojmë banesat të ikim dhe të mbesin të vobektët që ti shkeli.

Banorët e Astirit tregojnë se ku do ta kalojnë natën

Vetëm pak momente më parë, mjetet e IKMT kanë prishur edhe objektin e 33 në zonën e “Astirit”. Nga operacioni që filloi mëngjesin e djeshëm, u prishen 15 objekte njëkatëshe, 11 objekte 2-katëshe, gjashtë objekte 3-katëshe dhe një objekt katërkatësh. Një nga banoret shprehet se në orën 05:30 u mbush vendi me policë. Banorja thotë se, janë hedhur katër gaz lotsjellës dhe dy molotov dhe se gjithçka u bë për të patur viktima dhe jo për të trembur banorët. “U hodh gaz lotsjellës nga policia. Ne ishim të rrethuar nga të katërta anët me polic dhe hodhën edhe molotov. Natën do e kalojmë jashtë. Na thanë që do prisheshin vetëm tetë banesa të cilat thuhet se kanë marrë dëmshpërblim. Të gjitha banesat dhe bizneset janë prishur me gjithçka ka pasur brenda.

Korrupsioni qeveritar i “Unazës së Re”

Historia e “Unazës”, nuk është thjesht një përleshje e banorëve me policinë, por një histori grabitje dhe një aferë me përmasa gjigante. Në datën 6 Dhjetor 2018, emisioni “Të Paekspozuarit” denoncoi këtë aferë, ku kompania fantazmë, “DH Albania”, duke përdorur dokumente të falsifikuara, kishte arritur të fitonte tenderin për lotin e parë të rindërtimit të këtij aksi, plot 20 milionë euro. Më pas u zbulua se kjo kompani kishte fituar edhe një tjetër tender nga OST, me vlerë 10 milionë euro, pra në total 30 milionë euro, po u grabiteshin qytetarëve për të përfunduar në Delaware të SHBA-së. Falsifikimin e firmës së Sekretarit të Shtetit të Delaware dhe dokumenteve të tjera që kompania kishte paraqitur në Shqipëri, e konfirmuan vetë autoritetet amerikane për TPZ. Prokuroria shqiptare ende vijon hetimet për këtë aferë, por nuk ka asnjë përgjegjës, ndërkohë, pavarësisht se i gjithë projekti është nën hetim, autoritetet paraqiten dhunshëm për të prishur banesat e qytetarëve. Prokuroria asnjëherë nuk i ndaloi punimet, pavarësisht se zyrtarisht po heton falsifikimin dhe procedurat e tenderit për të tre lotet e projektit.

Ish-zëvendësministrja Nora Malaj: “Shteti, kërbaçi dhe kush e ka radhën nesër?”

Qeveria vendosi të ripërdori sërish shkopin dhe gazin lotsjellës mbi këta qytetarë, që pasi i gënjeu, mashtroi, dhunoi, masakroi, vetëm dialogun e harroi në sirtar, se këtë mjet, dialogun, nuk e quan të vlefshëm, derisa filloi t’ju prishë shtëpitë! Po jetojmë ditët më tragjike të një vendi, që po shkon me vrap drejt greminës! Drama më e madhe që po kalojnë shqiptarët sot është uria, varfëria, amoku për të ikur nga e keqja që i ka zënë! Nuk ka mallkim më të madh për një qeveri sesa lotët dhe dhimbja që derdhin gratë, fëmijët e pleqtë, kur shteti që ata menduan se i donte, pasi i gënjeu, i mashtroi, tani i dhunon dhe i le edhe pa shtëpi e katandi! Tashmë dhe fjala është lodhur në kalvarin e dhimbjes së familjeve shqiptare dhe të grave, fëmijëve e pleqve të dhunuar! Kur vepron dhuna … nuk ka vend më për fjalë… Ajo ka ikur e turpëruar, e lodhur dhe e dërmuar, siç janë të lodhur, të dërrmuar e të masakruar banorët e Astirit, që në fund të ditës nuk kanë bërë asnjë mëkat, thjesht duan të mbrojnë shtëpitë e tyre, atje ku duan të ndërtojnë edhe ëndrrat e fëmijëve të tyre, në vendin e tyre, me vëllezërit e motrat e tyre në Shqipëri, por që kanë bërë një mëkat, besuan dhe votuan këtë qeveri arrogante, se nuk e dinin që “kjo do të ishte loja!”… Ky është haraçi që paguhet sot. Asnjë fjalë, përveçse dhimbje për vendin dhe kohën që po jetojmë!

Paloka: Rama si Millosheviçi, PD në qeveri do të kompensojë banorët

Nënkryetari i PD, Edi Paloka tha se PD-ja do të kompensojë banorët e Unazës së Re, kur të vijë në qeveri. “Në momentin kur ne të drejtojmë vendin, këta banorë do të kompensohen me vlerën reale të tregut për çdo dëm të bërë nga kjo qeveri. Projekti i Unazës është kapur në dhjetëra shkelje, falsifikime dhe akte korruptive. Ata që i kane kryer këto akte janë në krye të shtetit, kurse banorët e shkretë dhunohen, burgosen, helmohen me gaz, bashkë me fëmijët. Këtu jemi ne dhe përballë kemi serbë. Kemi dashnorin e Vuçiçit që e patë që u puth me të, ju thashë erdhi këtu të sulmojë shqiptarët dhe serbët që janë në shërbim të tij.