Betohet shefi i ri i Shtabit të FA, Kollçaku: Nder dhe privilegj që i shërbej vendit

494
Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i dekretuar pak ditë më parë nga presidenti Ilir Meta është betuar gjatë ditës së sotme në ambientet e Presidencës. Bardhyl Kollçaku u shpreh se është nder dhe privilegj për atë që do i shërbejë vendit.
“Është nder dhe privilegj për mua që emërohem si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura . Do bëj çmos për mbrojtjen territoriale të vendit”- tha Kollçaku.

Ndërkohë në fjalën e tij, Meta falënderoi komandantin e FA si dhe 153 ushtarakët shqiptarë që ndodhen me mision jashtë vendit.

“Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen në këtë ceremoni, një ngjarje me peshë kjo për FA. Shpreh besimin se në sajë të profesionalizmit ju do përmbushni misionin tuaj. Shpreh falënderime dhe për 153 ushtarakët tanë që ndodhen në mision. Ju garantoj për angazhimin tim, përkushtimi dhe patriotizmi bazuar në trinomin e shenjtë, detyra- nderi- atdheu, do të vlerësohen dhe promovohen sipas meritës”- tha Meta.

Kush është Bardhyl Kollçaku:
Gjeneral Brigade Bardhyl KOLLÇAKU, ka lindur më 05.06.1967, në Pëllumbas, Berat.

Ka përfunduar studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficereve dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Zbulim”, në vitin 1990. Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer Kolegjin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Tiranë, Kolegjin e Shtabeve të Bashkuara, si dhe Kolegjin e Komandës & Shtabit në SHBA.

Ka përfunduar studimet për Master Shkencor, Administrim Publik, në UT, në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës, si dhe ka mbrojtur Doktoraturën në fushën e mbrojtjes.

Gjeneral Brigade Kollçaku ka përfunduar gjithashtu Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, si dhe Kursin Ndërkombëtar të Oficerit për Taktikë dhe Inteligjencë në SHBA. Në jetëshkrimin e tij të pasur akademik, ndërmjet te tjerash, përfshihet Kursi Themelor i Oficerit të Shtabit, Kursi i Forcave Speciale dhe Kursi Ekzekutiv i Sigurisë në Qendrën Marshall, në Garmisch, Gjermani.

Gjeneral Brigade Kollçaku, ka kryer detyra të ndryshme si: Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Monitorimit të Mbrojtjes në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Drejtor i Drejtorisë së Politikave Strategjike dhe Shef Kabineti i Shefit të Shtabi të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Gjeneral Brigade Kollçaku ka dhënë kontributin e tij ne krijimin e funksionimin e Sekretariatit te SEDM-CC, e para strukturë ndërkombëtare e Ministrisë së Mbrojtjes. Ka kryer detyra të ndryshme si oficer shtabi dhe shef sektori në drejtoritë e zbulimit, planifikimit dhe marrëdhënieve me jashtë.

Pas anëtarësimit te Shqipërisë në NATO, Gjeneral Brigade Kollçaku ishte ndër oficerët e parë të emëruar në shtabet e Aleancës, fillimisht si oficer shtabi dhe më vonë si Drejtor i Drejtorisë së Integrim-Koordinimit PfP, në SHAPE, Belgjikë.

Eksperienca e tij me trupën ka filluar si komandant toge në batalionin e mbështetjes të SHPFA, komandant kompanie dhe shef zbulimi në BrK, dhe kulmon si Komandant i Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, në Brigadën e Reagimit të Shpejtë”, i vlerësuar dhe çertifikuar nga NATO.

Gjeneral Brigade Kollçaku ka shërbyer si Vëzhgues Ushtarak në Misionin e OKB-së në Gjeorgji (UNOMIG).

Gjeneral Brigade Kokllçaku është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake.

Gjeneral Brigade Kollçaku flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë të rritur.
Sigal