Beteja për Teatrin Kombëtar, sot takimi me deputetët

615
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, një grup i krijuar nga artistët dhe aktorët, për të evituar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, ka ftuar sot në një takim deputetë dhe këshilltarë të bashkisë së Tiranës. “Ditën e hënë, 7 maj, ora 19:00 është lënë një takim i hapur i artistëve dhe qytetarëve me deputetët e kuvendit dhe këshilltarë të bashkisë Tiranë për çështjen e Teatrit, vendimmarrjen për hapësirat publike dhe politikat kulturore. Prezenca qytetare është një domosdoshmëri”, thuhet në thirrjen e bërë nga Aleanca. Pak ditë më parë, artistët nisën mbledhjen e firmave për shpalljen “Kompleks monument kulture” për godinat e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental. Pas 16 vjetësh, në sheshin e Teatrit, rifilloi mbledhja e firmave për shpalljen e TK dhe TKE “Kompleks monument kulture”. Kërkesa i është drejtuar ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, ndërsa çdo të hënë artistët mblidhen për të kundërshtuar planet për shembjen e godinës së teatrit. “Prej 73 vjetësh, kompleksi është selia e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, institucioni artistik më i rëndësishëm i vendit, që ka pasur gjatë këtyre viteve më shumë shikues se sa popullsia aktuale e vendit dhe që ka nxjerrë një plejadë të shkëlqyer regjisorësh, autorësh, skenografësh e aktorësh, të cilët i dhanë tonin edhe kinematografisë shqiptare, e cila nisi prodhimin e saj artistik në vitin 1953, me filmin ‘Skënderbeu’”, thuhet në kërkesën e artistëve.
Sigal