Besnik Mustafaj: Miku im Borchadt, Rama po të përdor

842
Sigal

Besnik Mustafaj i shkruan ambasadorit Borchardt: Miku im, Edi Rama po të përdor për propagandë

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj është bërë pjesë e debatit, ku i përfshirë është ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt, pas parullës ‘Turp të të vijë’. Besnik Mustafaj: Ma merr mendja se ambasadori Borchardt do të dilte shumë më i larë nëse këtë ngjarje të vogël, do ta trajtonte natyrshëm si një fyerje personale, morale, siç edhe është në të vërtetë. Konventat ndërkombëtare, në të cilat aderon edhe Republika e Shqipërisë, nuk i marrin në mbrojtje diplomatët kundrejt vlerësimeve morale, qofshin ato edhe padrejtësisht degraduese. Nga ana tjetër, duke e mbajtur incidentin brenda caqeve banale të përmbajtjes së tij, ambasadori Borchardt do t’i kishte hequr Kryeministrit Rama mundësinë për ta bërë manipulimin e tij të radhës me faktet, siç e bëri, duke dërguar skuadrën me roja. Në fjalë të fundit, me dëshirën apo pa dëshirën e tij, ambasadori i OSBE-së u përdor në këtë rast nga Kryeministri i Shqipërisë. Rojet përreth banesës, zyrës apo çdo vendi ku gjendet ambasadori, për sytë e të huajve janë sot treguesi më domethënës për pasigurinë që sundon në vend. Përfshirja e këtij incidenti në raportet ndërkombëtare e prish imazhin e Shqipërisë shumë më tepër edhe se vjedhja e miliona eurove në pistën e aeroportit apo vrasjet për larje hesapesh midis bandave në Vlorë apo në Shkodër. E kam fjalën për imazhin që ndikon në udhëtimin e të huajve drejt Shqipërisë, kryesisht si turistë. Kërcënimi i një ambasadori nxjerr në pah pikërisht atë pasiguri, nga e cila tremben të huajt. Kryeministri ynë as që i mendon gjërat nga kjo anë. Ai madje gëzohet kur i jepet rasti të hedhë baltë mbi opozitën. Kështu veproi edhe kësaj here. Pa bërë asnjë hetim, ai nxitoi të niste drejt Brukselit, Vjenës apo Strasburgut mesazhe, ku fajësonte opozitën si kërcënuese të ambasadorit. Është pikërisht ky kryeministër, i cili ankohet kundër atyre që shajnë Shqipërinë në gjuhë të huaj.