Besnik Mustafaj: Basha të largohet nga partia, PD nevojë për reformim

619
Ish-ministri dhe deputeti demokrat, Besnik Mustafaj ka analizuar me detaje shkaqet që çuan në humbjen e thellë të Partisë Demokratike. Pas këtij momenti ka bërë një thirrje publike
Ish ministri dhe ish deputeti demokrat, Besnik Mustafaj shprehet se pas kësaj humbjeje të thellë, Lulzim Basha duhet të japë dorëheqjen dhe t’i lërë partinë në dorë sekretarit të përgjithshëm për organizimin e zgjedhjeve të reja. Sipas tij Partia Demokratike në këto momente ka nevojë për reformim të thellë, ndërsa kërkon me çdo kusht që brenda kësaj force të bëhen zgjedhje me votim të fshehtë. Për një nga përfaqësuesit e vjetër të PD-së kjo humbje mund të konsiderohet dramatike. “E rëndësishme është që Partia Demokratike, si trupa më jetëdhënëse politike e Shqipërisë, të dëshmojë se zemra dhe truri i saj nuk kanë vdekur. Pa humbur asnjë minutë, ajo duhet të mbledhë veten dhe të shohë përpara, drejt zgjedhjeve për pushtetin vendor, që janë pas dy vjetësh dhe ato parlamentare pas katër vjetësh”, shprehet Mustafaj. Në deklaratën e tij dhënë në një nga televizionet lokale, Mustafaj u shpreh se, në këto zgjedhje e pamë se si Lulzim Basha fliste për veten e tij. Ai shprehet se kjo nuk është humbja e parë për PD-në, por krahasuar me të tjerat, Mustafaj shkruan se, kjo është humbja më e turpshme. “Prandaj edhe shkundja e Partisë Demokratike duhet të fillojë nga dorëheqja e tij e menjëhershme nga të gjitha funksionet drejtuese në Partinë Demokratike. Do të ishte në nderin e tij që ai ta kryente këtë veprim qysh sot për veten e tij. Ai nuk ka më asnjë të drejtë të flasë në emër tonë. Lulzim Basha është drejtpërdrejtë përgjegjës, pse ne demokratët jemi sot kokulur para kombit për pushtetin e pakufizuar që mori një njeri i rrezikshëm për Shqipërinë si Edi Rama me tarafin e tij”, deklaroi Mustafaj. Por akuzat dhe kërkesat ndaj Bashës nuk përfundojnë. Ai i kërkon që së bashku me dorëheqjen, Basha duhet të shpallë edhe fushatën zgjedhore për kryetarin e ri të Partisë sipas parimit një anëtar-një votë. Në të njëjtën kohë jep edhe një zgjidhje të shpejtë. “Drejtimi i partisë për këtë periudhë zgjedhore duhet t’i kalojë Sekretarit të Përgjithshëm ose një strukture të posaçme, e cila të udhëheqë këtë proces zgjedhor me ndershmëri dhe paanësi ndaj atyre, që do të përfshihen në garë. Lulzim Basha nuk duhet të ketë në dorë asgjë më shumë nga çdonjëri prej anëtarëve të thjeshtë të Partisë. Përndryshe, unë për veten time kam frikë se ai do të përpiqet ta prishë garën me ndërhyrjet e tij. Unë për veten time nuk besoj më, se ai do t’i vendose interesat e Partisë mbi interesat e veta për pushtet”, shprehet Mustafaj.
Sigal