Besnik Baraj: Nëse PS-LSI nuk kanë kandidatura të përbashkëta në zgjedhjet vendore, mund të përsëritet 2005-a

664
Sigal

Deputeti i PS-së, Besnik Baraj, në intervistën për gazetën “Telegraf”, shpreh një mendim që po bluhet në maxhorancën e majtë, por ende nuk është zyrtarizuar nga Rama-Meta.  PS-LSI duhet që në zgjedhjet vendore të 21 qershorit të kenë kandidatura të përbashkëta, nëse nuk duan që të përsëritet 2005-a. Kjo është prova më e vështirë e kësaj maxhorance, që ndoshta do të tregojnë shumë edhe për të ardhmen e tyre. Gjithashtu, zoti Baraj, thotë se dekriminalizimi i Parlamentit do të bëhet vetëm atëherë, kur shteti nuk do të vërë duart në kutinë e votimit. Ndoshta kjo do të thotë që procesi i votimeve, të departizohet dhe depolitizohet. Si deputet i maxhorancës, zoti Baraj, e pranon kritikën e “Mjaft”-it, që qeveria deri tani ka realizuar 6 nga 25 premtimet, por, zoti Baraj, thotë që bilanci i qeverisjes bëhet në fund të mandatit, dhe shpreh bindjen se qeveria do t’i përmbushë premtimet e saj, në kohën e duhur. Kritikës se maxhoranca po përmbys të gjitha ligjet që kishte miratuar maxhoranca e kaluar, zoti Baraj thotë se kjo maxhorancë “do të zhbëjë ato praktika që adoptoi PD-ja në kohën kur qeveriste, por që bien ndesh me kërkesat e procesit të integrimit në BE”. Për 21 janarin e 2011-ës, zoti Baraj thotë se duhet që organet e drejtësisë ta japin drejtësinë e mohuar deri tani.

– Zoti Baraj, në një raport të “Mjaft”, thuhet se qeverisja e majtë nga 25 premtime të dhëna, ka konkretizuar vetëm 6. Ju mund të thoni përse?

– Vlerësoj maksimalisht faktin se qeveria monitorohet nga institucione të ndryshme, përfshirë dhe “Mjaft-in”. Ky lloj presioni është i domosdoshëm për çdo qeveri. Ndërkaq, duke e quajtur apriori të mirëqenë saktësinë në vlerësimet e “Mjaft-it”, them se qeveria do japë përgjigje për angazhimet e saja në fund të mandatit 4 vjeçar, meqë ato përfshihen në këtë hark kohor.

– Kjo maxhorancë, edhe pse me 84 vota, e ka të vështirë të realizojë reformat e mëdha. Ku qëndron kjo vonesë, kur dihet që sa më e madhe të jetë maxhoranca, kaq më të lehtë e ka të konkretizojë reformat e mëdha?

– Pikërisht këtu qëndron dhe dallimi ndërmjet PD-së dhe aleancës së majtë. Janë dy kultura të ndryshme. Tek e para, kur është në pushtet, dominon arroganca, mungesa e urave të komunikimit. Një fakt shumë domethënës është se, në kohën kur qeveriste PD-ja, edhe rregulloren e parlamentit e miratoi dhunshëm, pa konsensus, pa folur për zgjedhjen e Presidentit, etj. E majta kërkon të vendosë ura të qëndrueshme komunikimi dhe të konsumojë tërë mundësitë që ofron një forcë politike realisht demokratike.

– Maxhoranca me reformat që ka ndërmarrë, por edhe ato që pohon se do të ndërmarrë, krijon një imazh politik që do përmbysë të gjitha ligjet që ka miratuar maxhoranca e shkuar. A mund të ketë vazhdimësi shteti, kësisoj?

– Maxhoranca do të ndërmarrë të gjitha ato reforma që përmbushin kriteret e integrimit në BE. Ajo do të zhbëjë ato praktika që adoptoi PD-ja në kohën kur qeveriste, por që bien ndesh me kërkesat e procesit të integrimit në BE. Shteti duhet të ketë vazhdimësi vetëm për përvojat pozitive dhe që i shërbejnë vendit. Nuk besoj se ju me vazhdimësi të shtetit quani faljen e hapësirave territoriale të Shqipërisë, lejimin e prodhimit të drogës në Lazarat, mospagesat dhe vjedhjet në sektorin e energjisë, lulëzimin e diplomave false dhe fiktive, lejimin e ndërtimeve pa leje me forcën e dhunës së parasë etj. Praktikat korruptive dhe antishtetërore lulëzuan në kohën e PD-së, ne, përkundrazi, po e afrojmë vendin në standarde normale.

 – A mund të pretendohet se do ndërtohet shteti nga e para, duke përmbysur gjithçka që është ndërtuar deri tani?

– Nuk ka ndodhur kjo, përkundrazi, kapacitetet administrative janë ruajtur, edhe pse një pjesë e tyre janë të njohur si përkrahës të PD-së. Projekte të ndryshme, që kanë nisur që në kohën e qeverisë së mëparshme dhe i shërbejnë vendit, do zhvillohen më tej. Nuk gjej ndonjë rast që të ketë nisur një punë mirë e ta kemi prishur ne. Njoh mjaft punonjës seriozë e profesionistë në kryeministri, që kanë punuar dhe në kohën e Berishës.

-Përse deri tani nuk është dhënë drejtësia për 21 janarin, meqë PS-ja, dhe vetë Edi Rama si kryetar i opozitës, është zotuar?

– Edi Rama, dhe PS-ja në tërësi, mban një qëndrim shumë parimor, ndryshe nga paraardhësit. Nuk do të ndërhyhet tek institucionet e pavarura. Gjykatat, prokuroria, ka mjaftueshëm fakte për të provuar kush ishin fajtorët e vrasjes në 21 janar. Ngjarje të tilla, si 21 janari, Gërdeci, dënimi i peshqve të mëdhenj, kur kanë kryer vepër penale, janë gur prove për këto institucione dhe kriter i rëndësishëm që tregon nëse ato janë futur në procesin e reformimit apo ajo. Ne kërkojmë që ato të operojnë të pavarur nga politika në tërësi. Këtë e kërkon qartë edhe vetë kryeministri. Për rastin e 21 janarit dhe Gërdecit është një kërkesë e opinionit publik, PS-së, familjarëve dhe faktorëve ndërkombëtar, që të vendoset drejtësia në vend.

– Disa nga ministrat, por edhe deputetë të PS, pohojnë që kanë dorëzuar në prokurori dosje për zyrtarë të lartë të korruptuar, por është drejtësia (prokuroria dhe gjykata) ajo që nuk vepron. Kaq është detyra e qeverisë, deri në dorëzimin e dosjeve, që të kërkojë një drejtësi të besueshme?

– Reformimi i drejtësisë nuk varet vetëm nga vullneti i PS-së, ndonëse e majta po përpiqet të luajë rolin e saj në këtë proces. Nuk varet vetëm nga qeveria, është shumë komplekse, varet edhe sa e shëndetshme është shoqëria në tërësi, institucionet e saja të pavarura. Fakti që ka denoncime nga ana e qeverisë, është mjaft pozitive. Ky është presioni që i bëhet prokurorisë dhe gjykatave, por për këtë duhet që tërë sistemi të jetë në binarë, duke nisur nga presidenti, i cili shpesh ka mbrojtur njerëz me profile jo profesionalë dhe me pjesë të errëta në jetën e tyre profesionale e morale. Kam vënë re se PD-ja synonte të vinte në pozicione të rëndësishme njerëz të kapur, që t’i shërbenin asaj edhe kur të humbiste pushtetin qeverisës.

-Ku qëndron përgjegjësia e qeverisë dhe e maxhorancës që ende deri tani nuk kemi asnjë zyrtar të lartë të dënuar për korrupsion, edhe pse PS në opozitë denonconte përditë rastet e korrupsionit?

– Ne, sikurse thatë ju, kemi bërë denoncimet tona, s’kam dyshim që në rastin e parë të fakteve, të njëjtën gjë do bëjë kryeministri edhe për njerëzit që sot janë në nivele të larta qeverisëse. Unë besoj se jemi në rrugë të mbarë, koha do e provojë.

– Mund të ketë reforma të thella, siç pretendon maxhoranca, pa bërë ndryshime kushtetuese, për të cilat maxhoranca nuk ka folur fare?

– Mendoj se ka nevojë. Ato do të bëhen në kohën e duhur dhe të mirëstudiuara.

–  Në zgjedhjet vendore, PS dhe LSI do të kenë kandidatë të përbashkët?

– Nuk mund ta mendoj ndryshe, nëse nuk duam të kemi përvojën e 2005-ës.

Kur shteti nuk do të fusë duart në kutinë e votimit, do të kemi dekriminalizimin e parlamentit

–  Cila është bindja juaj: A mund të ketë efikasitet dekriminalizimi i Kuvendit dhe i politikës nëse nuk zhbëhet Kodi Zgjedhor, ku kandidatët për deputetë i përcakton lista e mbyllur e kryetarit të partisë, dhe deputetët nuk i zgjedh drejtpërdrejt vota e elektoratit?

– Nuk besoj se është kodi, cilësia e tij, që ka efekt. Mendoj se ka raste kur partitë, apo kryetarët, ndodhen në trusni në prag të fushatave për të vendosur njerëz me profil jo aq të qartë. Kjo lidhet me shëndetin e shoqërisë shqiptare. Në politikë, kur dikush afrohet për të qenë kandidat në varësi nga zona, njerëzit shpesh e pyesin: ke para për të bërë fushatë, po votat si do i mbrosh, ke nga ata “të fortët”? Është fakt, se nëse njëra forcë përdor dhunë, blerje komisionerësh, përdorim njërëzish të fortë për të manipuluar, përdorimin e shërbimeve sekrete, policinë, do ketë një reagim, në mos të ngjashëm, një reagim protektiv nga forca e kundërt. Është kjo arsyeja, që shpesh, në disa zona zgjidhen kandidatë ku dominon kriteri i mbrojtjes së votës. Tiparet kriminale në zgjedhje i futi PD-ja që në vitin 1996, e vazhdoi më pas duke angazhuar pjesë të kriminalizuar dhe të dhunshëm. Sa kohë PD-ja nuk merr këtë përgjegjësi, zor se heq dorë. Kjo do të ndodhë kur Berisha mos të ketë më rol në situatën e brendshme të PD-së. Do vijë një ditë, kur tërë politika do të arrij një akord xhentëlmenësh për t’u distancuar nga kjo pjesë, për t’i dhënë atij parlamenti një profil qytetar, edukues, përveç rolit të vet politik, si ligjvënës. Pra, në momentin që në Shqipëri do bëhen zgjedhje të ndershme, kur shteti nuk fut duart në kuti, krijohen dhe premisat për dekriminalizim në tërësi. Kjo gjë do të ndodhë në mandatin e PS-së, pasi ajo ndryshon si nata me ditën me PD-në, edhe në këtë aspekt dhe e ka ndjerë në kurriz këtë kosto

– Faleminderit!

Jakup B. GJOCA