Besnik Baraj: “Më 21 janar 2011 u godit liria, shpirti demokratik, pasi mbisundoi dhuna, autarkia”

521
Sigal

INTERVISTA/ Besnik Baraj, ish-kryetari i PS-së për Tiranën: “Politika e padrejtësive i nxori njerëzit në 21 janar në demonstratë”

Sot është 2- vjetori i ngjarjeve të demonstratës popullore të 21 janarit të 2011-s, ku edhe pse 4 qytetarë humbën jetën nga plumbat, të cilat erdhën nga pozicionet e Gardës, ende drejtësia nuk ka mundur që të japë një vendim juridik, pa bërë më fjalë për të dhënë drejtësi. Ndonëse ekspertiza kriminale e FBI-së, ka dhënë konkluzione, organet përkatëse në Shqipëri, i quajnë ato, si edhe provat e tjera, të pamjaftueshme për të provuar autorët që qëlluan me armë. Ndërsa pyetja më e madhe: “Kush urdhëroi të shtihej me armë”, është lënë në heshtje, është anashkaluar, pa guxuar që drejtësia të mundohet të gjejë një përgjigje. Besnik Baraj, si Kryetari i PS-së për Tiranën, në atë kohë, në intervistën për “Telegraf”, i përgjigjet drejtpërdrejt kësaj pyetjeje, duke na risjellë imazhin e ngjarjeve të 21 janarit 2011. Po vetë PS-ja, pas 2 vjetësh, do të duhet të përgjigjet elektoratit socialist, dy pyetjeve: A është “tretur” a janë shfuqizuar, a kanë humbur vlerë politike shkaqet që  organizuan 21 janarin, sot, derisa PS-ja kërkon aleancë zgjedhore me LSI-në? Dhe a do të ketë drejtësi për 21 janarin, me një bashkëqeverisje PS-LSI?

– Zoti Baraj, kush ishin organizatorët e manifestimit të 21 janarit? Si u mendua të organizohej ai manifestim?

– E kam pohuar disa herë, edhe në prokurori, apo gjykatë, se organizimi u krye nga tërë struktura e PS-së, nga të gjithë deputetët në zonat përkatëse. Kishte ardhur një moment revolte e pezmatimi, ku populli kërkonte të shprehte pakënaqësinë e tij nëpërmjet protestës. Ishte dhe është politika e këtyre viteve, ku padrejtësitë po shpojnë deri në palcë jetën e çdo shqiptari. Ishte gjendja e rënduar ekonomike, papunësia, varfëria ekstreme, dhuna, klanizimi, monopolizimi i pasurisë, falja e 350 km2 det Greqisë,  shfrytëzimi barbar në minierat e kromit, ku merren çdo muaj jetë njerëzish. Ishte korrupsioni galopant, padrejtësia në shpërndarjen e pronës, vjedhja e saj e tjetërsimi. Pra, ajo protestë, ishte sintezë e pakënaqësive shqiptare në tërësi.

– Mendoni se nga manifestuesit u kapërcye caku demokratik i një manifestimi, duke iu referuar edhe turmës që protestonte te hyrja e Kryeministrisë?

– Kam qenë edhe unë bashkë me të tjerët aty, në trotuarin e Kryeministrisë, duke u përpjekur të largojmë prej andej njerëzit paqësore që, në fakt,  i kishin kthyer shpinën godinës së Kryeministrisë. A nuk do të protestonte qytetari europian apo amerikan, kur ai mbetet i papunë, kur vriten 26 vetë e plagosen qindra dhe qartazi del se është biznes i oborrit të kryeministrit dhe kur, me pamje shumë të qarta, provohet korrupsioni i qeveritarëve? A nuk do të mjaftonin këto, që në rrugët e Evropës, apo Amerikës të derdheshin qindra mijëra njerëz të revoltuar? Qytetarët atje revoltohen e protestojnë për shumë më pak se kaq, por në asnjë rast ata nuk qëllohen me armë, sepse strukturat e shteteve të tyre janë atje për t’i mbrojtur e jo për t’i dhunuar. Kjo është diferenca. Prandaj, nëse do e krahasojmë sjelljen e protestuesve të 21 Janarit me protestuesit e vendeve demokratike si: Greqia, Franca, Gjermania, Italia etj., do thosha se ishim jashtëzakonisht më të butë e më të sjellshëm se ata. Por, për fat të keq, kjo sjellje nuk u vu re tek gardistët, të cilët ndryshe nga policët grekë, gjermanë, italianë apo francezë, në vend të shkopave të gomës, apo mjeteve që përdoren në kësi rastesh, në të gjitha vendet demokratike për të shpërndarë turmat, përdorën fishekët luftarakë. Përdorimi i forcës nga ana e Gardës, në mënyrë aspak profesionale e në shkelje flagrante të ligjit, çoi në atë tragjedi, që mori 4 jetë njerëzish të pafajshëm.

– Kush urdhëroi të qëllohej mbi demonstruesit? A mund të ndodhë ndonjëherë që një polic i gardës, të humbasë vetëkontrollin e të qëllojë pa leje kundër demonstruesve?

– Nuk kam as dyshimin më të vogël se për të qëlluar ka dhënë urdhër kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. Pra, alibia e humbjes së kontrollit nga gardistët është banale. Forcat e Gardës dhe ato të rendit nuk e humbën kontrollin në shtator të ‘98-s, përpara situatave shumë më tepër dramatike! Pra, më 21 Janar, ata morën urdhër për të qëlluar.

– Duke e gjykuar sot, cili ishte qëllimi i urdhrit që të qëllohej mbi demonstruesit?

– Për mua është thjesht veprimi i psikologjisë së një diktatori, njeriu të paekuilibruar. Shtënia me armë nuk u bë në momentin më kritik, përkundrazi u bë kur turma ishte e parrezikshme, ishte e zvogëluar nga pikëpamja numerike. Ata nuk përbënin asnjë kërcënim për institucionin, apo forcat e rendit e, ca më pak, për gardistët. Reagimi i tyre ishte jo ekuivalent. Po të lidhim shtënien me armë me fabulën që Berisha tregoi pas vrasjeve, zbulohet dhe skenari. Berisha donte patjetër viktima, por jo të perceptuara si vrasje nga gardistët, por nga vetë demonstruesit. Ka dy momente që e përligjin këtë ide. Së pari, ai tregoi fill pas vrasjeve se janë përdorur thika me helm e çadra pistoletë dhe, së dyti, nga rrëfimi i një mjeku të Spitalit Ushtarak, ku komentoi se të shtënat u bënë nga distancë shumë e afërt. Tamam si te drama “Arturo UI” . E dhimbshme, e turpshme, por mbi të gjitha, mizore dhe diabolike.

– Demonstruesit, në pragun e hyrjes të Kryeministrisë, synonin të demonstronin protestën, apo u synua që të hynin me çdo kusht brenda godinës?

– Përkundrazi, atë ditë, më 21 Janar, demonstruesit madje i kishin kthyer shpinën kryeministrisë. Por, qytetarët u qëlluan pabesisht e me egërsinë më të madhe, 4 prej tyre humbën jetën e plot të tjerë u plagosën. Ata nuk ishin të armatosur, nuk mbanin në duart e tyre as gurë, as  “çadra pistoletë” e as “thika me helm. Në fakt, siç edhe e kanë demonstruar pamjet filmike të asaj tragjedie, protestuesit u provokuan që të hynin brenda gardhit, që rrethon godinën e kryeministrisë e, në gjykimin tim, edhe kjo mund të ketë qenë pjesë e skenarit diabolik, për të justifikuar vrasjet që ndodhën më pas. Madje, ata qytetarë të pafajshëm që humbën jetën  ishin në pozicione pasive, jo kërcënues dhe shumë jashtë gardhit të kryeministrisë. Secili prej nesh, që ishte aty, mund të kishte fatin e Ziverit, Faikut, Aleksit apo Hekuranit! Më thoni, nëse qytetarët do të donin të futeshin në godinë, a mund t’i mbanin dot ata gardistë, apo policë, një turmë prej 200 apo 300 mijë njerëzish! “Pushtimin” e godinave e ka synim e mentalitet Saliu, i cili në vitin 98 e dogji Godinën e Kryeministrisë, apo e pushtoi RTV-në me një grusht njerëzish, ndërsa ne dhe protestuesit nuk kishim absolutisht atë synim.

– Kishte kontroll të gjendjes  të demonstruesve, që ishin në pragun e oborrit të Kryeministrisë, nga organizatorët?

– Pa dyshim. Në fakt ata ishin të vetëkontrolluar. Unë bashkë me një grup deputetësh, ishim te gardhi i Kryeministrisë dhe vazhdimisht luanim rolin e qetësuesit për ndonjë individ që mund të ishte më i revoltuar se të tjerët, por ata ishin shumë pak.

– Koha e hapjes zjarr nga policët e gardës kundër demonstruesve, cila ishte? Kërcënohej jeta fizike e ndonjë polici të gardës nga demonstruesit në çastin e hapjes zjarr kundër demonstruesve?

– Shtimi me armë ka filluar pa u errur, kur turma nuk përbënte as edhe një rrezik për policinë, apo gardistët. Është kjo arsyeja që ky krim agravohet. Fakti se të gjithë të vrarët ishin mjaft larg kryeministrisë, përsa i përket paraqitjes së rrezikut për këtë institucion, flet qartë se aty nuk kishte persona në pozicione që përbënin rrezik për institucionin, ndryshe do ishin vrarë ata. Ishte fati ynë që media mundi të filmonte. Nëse vrasjet do bëheshin në errësirë, ose nuk do të ishin filmuar, do akuzoheshin për vrasje deputetët apo njerëz të tjerë të pafajshëm.

– Çfarë ndikimi ka patur në marrëdhëniet opozitë-maxhorancë, 21 janari?

– Mendoj se kjo ngjarje është përtej raportit pozitë opozitë. Ajo është një ngjarje që ka prekur çdo familje, çdo njeri me shpirt të lirë, që kërkon realisht të jetë qytetar evropian. Ajo do të shërbejë si pikënisje nëse në Shqipëri do vendoset demokracia apo jo. Opozita e ka detyrim moral dhe përgjegjësi përpara brezave sot dhe nesër të vendosë një ditë drejtësinë në vend, nëpërmjet krijimit të klimës reale demokratike, ku institucionet e gjyqësorit të mund të funksionojnë të pavarura.

– Çfarë fitoi dhe çfarë humbi opozita nga 21 janari?

– Humbëm 4 jetë njerëzish, u lanë shumë fëmijë jetim, gra të veja, prindër që humbën fëmijët e tyre. Pati edhe shumë qytetarë  të plagosur e të dhunuar. Atje nuk u vra vetëm opozita,  atje u godit çdo shqiptar i ndershëm. Atje u godit liria, shpirti demokratik, pasi mbisundoi dhuna, autarkia, por padyshim përkohësisht. Megjithatë, ngjarje të tilla kudo në botë kanë shërbyer si zanafilla të një rilindje dhe zhvillimeve progresiste në shoqërinë njerëzore. Edhe tek ne, 21 Janari do shërbejë si një rilindje për një Shqipëri të lirë, si e donin shqiptarët në 1991, aspiratë që nuk është realizuar ende.  Ziveri, Faiku, Aleksi dhe Hekurani janë dëshmorë të lirisë. Emrat e tyre tashmë janë të përjetësuar.

– Po maxhoranca?

Mori turpin, u stigmatizua si kriminale jo vetëm nga ne, por edhe nga qytetarët e  mbarë botës demokratike.

– Në 23 qershor, 21 janari do të shërbejë si argument, si referencë nga elektorati për të dhënë votën, apo protestën e votës palëve politike?

– Mendoj se edhe këtu vota përfshin shumë ndjesi, ka indinjatën për kushtet ekonomike, papunësinë, mungesën e perspektivës për rininë, korrupsionin më të madh në historinë 20 vjeçare, pasigurinë, mungesën e demokracisë, vjedhjen e zgjedhjeve, por pa dyshim edhe ngjarje si Gërdeci, apo 21 Janari. Sigurisht aty përfshihet dhe perspektiva krejtësisht e ndryshme që ofron PS në raport me këtë neodiktaturë.

– Zoti Baraj, derisa PS-ja dhe vetë Edi Rama kanë bërë përpjekje, kanë bërë ftesa për një mundësi bashkëpunimi me LSI-në, a janë “tretur”, a janë shfuqizuar, a kanë humbur tashmë vlerë politike shkaqet përse u organizua demonstrimi i 21 janarit 2011?

– Jam i bindur se qoftë zoti Rama e të tjerë do donin që realiteti politik në Shqipëri të ishte i ndryshëm. Në fushën e lojës politike të ishin të tjerë nga këta që aktualisht ndodhen, por kjo nuk varet nga ne. Mençuria jonë është të vlerësojmë në mënyrë sasiore sa vota vijnë dhe sa vota largohen nga aleancat me këdo që ndodhet në këtë fushë dhe pastaj të marrim vendimin e duhur. Gjithashtu, i duhet dhënë përgjigje pyetjes: A justifikohet aleanca meLSInga pikëpamja morale në krahasim me dëmin moral, material, të lirisë kombëtare dhe sovranitetit që shkakton pushteti i Berishës? Pra na duhet të marrim një vendim inteligjent por edhe me integritet moral. Mendoj se, shkaqet e 21 Janarit qëndrojnë në themel të politikës së PS-së, përfshirë dhe luftën kundër korrupsionit.

– PS-ja dhe vetë Edi Rama kanë premtuar se do ta zbardhin një ditë të vërtetën dhe do të japin drejtësi juridike për 21 janarin. Pyetja është: A mund të ketë drejtësi politike për 21 janarin,  nga PS-ja, kur, njëkohësisht, kërkon aleancë zgjedhore me LSI-në?

E theksova më sipër se PS do të plotësojë atë që është thelbësore për zhvillimin e demokracisë, pavarësinë e pushteteve, pra edhe të gjyqësorit dhe, se prokuroria apo gjykatat, nuk do kenë asnjë lloj presioni ndaj gjithë problematikave, qofshin ato të shkuara apo ato që do të ndodhin nesër.

SHBA-të kanë dënuar vazhdimisht dhunën e 21 janarit, por kanë bërë fajtor edhe qëndrimin e opozitës. Mendoni se ky qëndrim i SHBA-ve, është më shumë për të ruajtur një balancë politike, sesa një qëndrim real politik?

– Në deklarimet e tyre kam vënë re një lloj zhvendosje në drejtim të zbardhjes për të dënuar vrasësit dhe kjo është normale kur ndodh një krim. Opozita , përjashto “thikat me helm” e “çadrat pistoletë” që ishin në kokën e Berishës, nuk vrau askënd. SHBA e di më mirë se askush të vërtetën, për shkak të mjaft burimeve informative që disponon. Ndërkaq, për hir të rolit diplomatik ambasadori përdor gjuhën përkatëse. Mjafton të shohësh komentet që janë bërë në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit të kaluar, e të kuptohet se ata nuk bëjnë pazar me parimet. Mjafton të shohësh çfarë tha zonja Klinton në Parlament e të kuptosh se kërkesat e opozitës të 21 Janarit janë në rezonancë të plotë me 4 këshillat e saj. Tek ambasadori amerikan në Tiranë duhet lexuar midis rreshtave, por edhe drejtpërdrejt ai mbështet zhvillimet e demokracisë, pavarësisë së pushteteve , mungesën e dhunës etj. Pa dyshim politika e tyre ka qenë një ndihmesë për demokracinë e jo për ndonjë politikan konkret.

– Mendoni se Kryeprokurori i ri do të ketë iniciativën për të zbardhur 21 janarin?

– Është ende shpejt për të folur, por një gjë e them me siguri, kryeprokurori do të ketë klimë reale të pavarur pas 23 Qershorit.

– Faleminderit!

Edi Rama

Nesër është një 21 Janari, një tjetër 21 Janar pa drejtësi, madje një 21 Janar që e gjen procesin gjyqësor në një fazë rrënimi të mëtejshëm. Ne do të jemi nesër aty ku kemi qenë qysh nga dita e parë, në kërkim të drejtësisë, duke kujtuar 4 dëshmorët e 21 Janarit”.

Ambasada amerikane

Të gjithë ishin viktima të dhunës së pakuptimtë e të pafalshme. Tani më shumë se kurrë, ka nevojë për shpjegim të plotë të ngjarjeve të 21 janarit nëpërmjet një procesi të besueshëm gjyqësor, të lirë prej ndërhyrjeve politike. Në këtë ditë përkujtimi paqësor, iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë dhe institucioneve të qeverisë që të punojnë pa pushim për të frymëzuar popullin shqiptar që të besojnë në demokracinë e tyre duke forcuar sundimin e ligjit.

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Arvizu

Kanë kaluar tashmë 2 vjet dhe shqiptarët meritojnë të kenë përgjigje, meritojnë veprim dhe meritojnë të ketë drejtësi.

 Ettore Sequi, ambasadori i BE-së, në Tiranë

“Me afrimin e ngjarjes mendimet tona shkojnë në radhë të parë tek familjet e atyre që humbën jetën. Në këtë ditë të trishtuar do të doja të shprehja ndjenjat më të thella të dhembshurisë për jetën e tyre. Por ky përvjetor, gjithashtu, na shtyn të jemi përballë faktit që hetimi ende nuk ka përfunduar.   Në respekt të atyre që humbën jetën dhe në respekt të parimeve të shtetit ligjor ky proces duhet të përfundojë në kohë dhe në mënyrë të pavarur. Drejtësia duhet të vihet në vend”.