“Besimi te një Shqipëri të mirë edhe pa këtë tërmet ishin shumë të lëkundura”-Kryemadhi: Të kthejmë besimin te Zoti dhe te vazhdimësia e jetës

114

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi thotë se është momenti për t’u kthyer nga Zoti.

Teksa ka marrë pjesë në meshën e së dielës në një kishë në Laç, ajo thotë se ky solidaritet i jashtëzakonshëm, kjo forcë e madhe shpirtërore duhet të jetë një pikë kthese për të gjithë.

Postimi i plotë

Sot, pas disa takimeve me familjet e prekura nga tërmeti në Laç, mora pjesë edhe në meshën e së dielës, të mbajtur në Kishën e Shën Mhillit.

Në atë kishë kishte shumë solidaritet. Qytetarët ishin shumë më pranë me njëri-tjetrin, se në çdo të dielë tjetër.
Lutjet ishin për viktimat e tërmetit dhe për t’i dhënë forcë gjithkujt që është përballur me këtë fatkeqësi, atyre që janë të plagosur, familjarëve që kanë humbur të afërmit dhe atyre që iu janë shkatërruar shtëpitë.
Shqiptarët gjatë shekujve janë vënë në provë nga shumë fatkeqësi, por ata ia kanë dalë t’i kalojnë sfidat me të cilat janë ndeshur, duke iu gjendur në krah njëri-tjetrit, me besimin në Zot dhe me dashurinë për jetën.

Sot më shumë se kurrë është koha të jemi pranë gjithkujt, që ka nevojë. Të kthejmë besimin te Zoti dhe te vazhdimësia e jetës.
Sot nga kjo fatkeqësi natyore jemi të gjithë të prekur. Ndaj së bashku me përkrahjen për familjet në vështirësi reale për të sotmen dhe të ardhmen, duhet të sjellim shpresën për të gjithë shqiptarët.

Besimi te një Shqipëri të mirë dhe prospere edhe pa këtë tërmet ishin shumë të lëkundura. Ndaj ky solidaritet i jashtëzakonshëm, kjo forcë e madhe shpirtërore duhet të jetë një pikë kthese për të gjithë.