Besim Ndregjoni: Dështimet e katër viteve Rama po i fsheh me timonin, LSI jo pengesë në qeverisje

596
Alma Çuka 
Aktivisti i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Presidenti i Unionit të Burgosurve Politik, Besim Ndregjoni, i bënë një skaner situatës politike në vend kur jemi vetem dy javë para zgjedhjeve 
“Republika e Re nuk mund të hiqi në një autobus, i cili ka si timonier Edi Ramën, pinjollin e komunistëve”. Kështu shprehet Presidenti i Unionit të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë Besim Ndregjoni, në një intervistë për gazetën “Telegraf”. Ndonëse të Përndjekurit nuk u bënë pjesë e listave kryesore të partisë Demokratike, Ndregjoni, shprehet se 300-350 mijë votues do të përkrahin Partinë Demokratike, për të cilën ai shprehet se drejtohet nga një personalitet që ka studiuar në shkollat perëndimore. Retorikën e ashpër politike e konsideron të tepërt, madje thotë se përgjegjës për të është Edi Rama që sipas tij duke mos dalë me një program të qartë në fushatë, kërkon të mbulojë dështimet e katër viteve duke përmendur në çdo çast timonin dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ndregjoni është i bindur se dështimet e Ramës nuk kanë lidhje me 2-3 ministrat e LSI-së, por me kabinetin e tij të paaftë. 25 qershorin e sheh të zymtë, ndërsa do të donte që partitë e vogla të kishin rritje. 
Zoti Ndregjoni, si e shihni situatën aktuale në vend?
Situata politike në Shqipëri për mendimin tim është një kaos. Mendoj se është vazhdimësi e planit të viteve ‘90 të Ramiz Alisë, dhe tentakulat e këtij plani jo që nuk u zhduken nga shoqëria postkomuniste, por u forcuan në mënyrë të atillë sa arritën që komplet pjesën antikomuniste, ta nxjerrin me anë të ligjeve demokratike nga politik-bërja shqiptare. Ne vinim nga një shtet diktatorial dhe nuk kishim asnjë përvojë demokratike. Fati jonë i keq ishte se monopolizimi i sistemit demokratik, u mor në dorë dhe u vendos nga ata, të cilët dje ishin aktorë të shkëlqyeshëm të luftës së klasave ndaj përndjekjes politike në Shqipëri dhe me sistemin u bënë promotor të vendosjes së demokracisë. 

Jemi pothuaj në mes të fushatës elektorale. Si e shihni betejën mes forcave kryesore politike në vend për të fituar zgjedhjet? 
Vetëm në sistemin demokratik shqiptar nuk luftohet për programe por për forca politike. Sistemi demokratik Francës nxori një Macron të panjohur i cili doli para popullit francez dhe fitoi zgjedhjet. Në Shqipëri të gjitha forcat politike janë pjellë e brumit komunist. Ato në vend që të merren me programet politike, ekonomike, shoqërore, për ndryshimin e shoqërisë, merren me sulme verbale dhe politike ndaj njëri-tjetrit. Nuk besoj se do të pranohej në asnjë vend demokratike që kryeministri i një vendi të thotë, do zhdukim partitë e vogla se na marrin tepsinë. Çdo forcë politike ka të drejtën e konkurrencës dhe asnjë forcë politike me forcën e pushtetit nuk mund të thotë se do të zhdukë një forcë tjetër. Kjo ndodh në Shqipëri se qeveria aktuale , Rilindja drejtohet nga pinjollët e Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste. Pasi kanë forcuar ekonominë e tyre me anë të pushtetit politik dhe aspak atë të funksionimit të biznesit, sot ata duan të arrijnë në konkluzionin për të zhdukur mendimin ndryshe. Unë nuk jam këtu të mbroj forcat politike të vogla, por demokracinë Shqiptare, një demokraci të brishtë. Kemi një demokraci, e cila ka një mentalitet komunist, e cila do me çdo kusht të zhduk kujtesën historike ndaj krimit komunist. Dhe kjo ndodhi dhe te partia Demokratike, e cila me gjithë kontributin e madh 27 -vjeçar të të përndjekurve politikë dhe të kapaciteteve të kësaj klase, të kësaj përfaqësie, ajo nuk pranoi, nuk kandidoi asnjë nga këto kapacitete që do t’i jepnin tjetër moral Republikës së Re dhe Shqipërisë.

Pse nuk e bëri sipas jush një gjë të tillë Partia demokratike?
Ky është mentalitet komunist dhe i udhëheqësve të rinj. Nuk mund të ndërtohet Republika e Re pa kapitalin moral të ish- të përndjekurve nga ish-regjimi komunist. Elektorati i djathtë antikomunist i ish-të përndjekurve politik, varion nga 300 deri 350 mijë votues mund të shkoj dhe në 400 mijë, por unë po them kaq. Dhe këta që kanë në përbërjen e tyre qëndresën ndaj regjimit komunist, vuajtjen dhe përballjen me krimin komunist, që janë bij, nipër mbesa të atyre që ndërtuan shtetin shqiptar, fatkeqësisht pas 27 vjetësh nuk i shohim si kandidatët e parë tek forca e djathtë politike që e drejton një personalitet që ka mbaruar në perëndim si Lulzim Basha. 

Duke përjashtuar partinë që përfaqëson Rilindjen, e cila nuk ka asnjë lloj ndryshimi nga PPSH e ’90s kur ndryshoi emrin, ka vetëm diçka, që pushtetin politik të PPSSH Rilindja e ktheu në një pushtet oligarkik të sistemit demokratik. 

Ju thoni se Ish-të përndjekurit nuk u bënë pjesë e listave të së djathtës. Për këtë do të votojë kjo kategori votuesish që nuk janë të paktë në numër?
Ka një vizion dhe një parim të Demokracisë, në mes të këqijave ti do zgjedhësh të keqen me të vogël. 

Në këtë rast cila është e keqja më e vogël?
Partia Demokratike. Nuk mund të dalim nga ajo linjë. Fatkeqësia nuk është për elektoratin dhe kapacitetet për mospërfshirje, por për Partinë Demokratike që nuk mund të përfaqësohet në Parlament me kapacitetet e duhura. 

Kryeministri Edi Rama në të gjitha takimet u flet qytetarëve duke u kërkuar votën me qëllim drejtimin e timonit i vetëm. Si e sheh Besim Ndregjoni këtë thirrje të kryeministrit?
Timonin e vetëm. Rama ka fobinë e diktaturës komuniste. Të ketë gjithë pushtetet. Lufta nuk bëhet ndaj partive të vogla se ato dëmtojnë demokracinë, por që ai të ketë gjithë pushtetet i vetëm pra të jetë i gjithëpushtetshëm. Dhe kjo është fatkeqësia e demokracisë. Rilindësit nën drejtimin e Edi Ramës nuk kanë vizion perëndimor demokratik, por lindor, atë të autokracisë së mbajtjes së pushteteve. Kanë vizionin e pushtetit Putinist apo Erdoganist. Ndjekim rrugën e pushtetit dhe jo të ndërtimit të shtetit.

Po programet e subjekteve politike?
Deri tani vetëm Basha ka nxjerrë në pah programet, por tek Rama jo nuk kemi dëgjuar të flitet për program. Tek drejtuesi i Rilindjes ka vetëm një program, “më jepni timonin ta drejtoj vetëm pushtetin”. Shqipëria ka një përgjegjësi të madhe para shqiptarëve në Ballkan. Të ketë vizionin e mbarë shqiptarëve në Ballkan. Çdo zgjedhje në Shqipëri ka dhe një peshë shumë të madhe ndaj shqiptarëve në Ballkan. Po, a e kanë këtë vizion? Unë them se jo. Një mësim të madh ne na dha Kosova. Ajo i dërrmoi forcat e mëdha. Në Shqipëri bëhet një luftë e paskrupullt ndaj mendimit ndryshe dhe jo ndaj vizionit se si ne të ndërtojmë shtetin.

Duket se në këtë fushatë, PS dhe PD po sulmojnë ashpër lëvizjen Socialiste për Integrim. Keni një mendim?
Ne duhet të pranojmë, jo se LSI gjatë qeverisjes me Partinë Demokratike dhe me Partinë Socialiste nuk është fajtore ndaj zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Dhe ajo ka përgjegjësi, por nuk mund të jetë përgjegjëse LSI me 2-3 ministri dhe pushteti i socialistëve me 13 ministra thotë se nuk e la ajo për të realizuar një program apo premtimet. Nuk ishte pengesë LSI që Rilindja nuk realizoi 350 mijë vende pune. Asnjë ministër i LSI-së nuk është përfolur për korrupsion. Ata që janë përfolur janë nga radhët e PS-së si ai i shëndetësisë, Ilir Beqja, ajo e arsimit Lindita Nikolla, e mbrojtjes Mimi Kodheli dhe të tjera. Nuk është LSI fajtore në mosrealizimin e premtimeve të pushtetit politik të majtë. Është vet Rama së bashku me ekipin e Rilindjes. Nuk ishte LSI që e mbushi Shqipërinë me kanabis. Është e tmerrshme që në vendin tonë Ministria e Brendshme mbron drogën. Edi Rama meqenëse nuk realizoi premtimet, ka gjetur një rrugë të fshehtë, hajde me jepni votat se nuk më la ajo. Por unë do të thosha të kundërtën. LSI nuk ka lënë Rilindjen të shkoi në ekstremitet, që të ketë të gjitha pushtetet por dhe ajo mban përgjegjësitë e saj deri sa është pjesë e asaj qeverisje.
Si e shihni 25 qershorin?
Unë si Aktivist i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe si President i Unionit të Burgosurve dhe të përndjekurve, 25 qershorin e shoh të zymtë në kuptimin politik . Është një datë që do të motivojë pasardhësit politik të diktaturës komuniste dhe aspak vizionar për ndryshimin e Shqipërisë që të bashkohet me vendet e Evropës, të ketë standardet që kërkon ajo dhe vendet demokratike. 
Po partitë e vogla, mendoni se do të bëjnë ndryshimin?
Shpresoj shumë që partitë e vogla të njohin rritje në këto zgjedhje. Por jam pak pesimist se ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare lë shumë për të dëshiruar. E dyta, ne vuajmë nga institucione të pavarura dhe ne nuk kemi votime të pavarura si e kanë shoqëritë e tjera. Votën e keqpërdorin pushtetet dhe nuk e lënë qytetarin të ketë një votim të lirë. Shembulli më i mirë është ky, ku shkon vota e qytetarit që nuk ia jep as PD –së as PS-së as LSI-së. Unë mendoj se ajo votë ose kalon tek paritë e mëdha, ose zhduket nga njohja për të cilën qytetari ka votuar.
Të gjithë flasin se në 25 qershor do të jenë forcë e parë dhe do të kenë në dorë qeverisjen e vendit. Po ju si mendoni, cila do të jetë partia më e votuar?
Besoj që dy partitë e mëdha nuk do jenë në gjendje të krijon qeveri as njëra e as tjetra. Shpresoj që Republika e Re të fitojë pavarësisht se është e brishtë, por në qoftë se ajo fiton Shqipëria do ketë tjetër ndryshim, pra do ketë ndryshim për mirë. Megjithëse pushteti politik në Shqipëri është shumë i fuqishëm dhe dominues ndaj votës së lirë. 
Sigal