Berlin, Bushati: Shqipëria po ​përmbush reformat për integrim

105

BERLIN – Gjatë takimit me Michael Roth, Ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane në Gjermani, Ditmir Bushati vlerësoi raportin e progresit të BE-së për Shqipërinë dhe vuri në dukje përgatitjet që pala shqiptare po bën për përmbushjen e reformave dhe kritereve që do të mundësojnë avancimin e Shqipërisë drejt BE-së.
 
Nga ana e tij, Ministri Roth e përgëzoi angazhimin që Shqipëria ka dëshmuar në procesin e reformave shtet ndërtuese, duke vlerësuar dinamizmin e Shqipërisë dhe angazhimin e saj evropian. Të dy Ministrat diskutuan në vijim edhe mbi zhvillimet e fundit në Ballkan, si dhe mbi rolin stabilizues dhe aktiv të Shqipërisë në rajon.
 
Ministri Bushati ndodhet në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Aspenit për vendet e Evropës Juglindore, Ministri Bushati zhvilloi disa takime dypalëshe me fokus forcimin e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
  
Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu takime me Zëvendëspresidentin e Bundestagut, Johannes Singhammer, dhe me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Çështjet e BE-së, Günther Krichbaum.
 
Ministri Bushati vlerësoi rolin e Gjermanisë si promotore e proceseve integruese në Ballkan dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat.
 
Më tej Ministri u shpreh se “procesi i nisur në Berlin, nën drejtimin e Kancelares Merkel, është një mundësi e mirë për të thelluar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit por dhe për të ofruar një perspektivë më të qartë të BE-së në rajon”. 
 
Zëvendëspresidenti i Bundestagut Singhamer shprehu kënaqësinë që pas Konferencës së Berlinit marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë njohur një intensitet të shtuar politiko-diplomatik.
 
 Në takim u vlerësua ecuria pozitive  reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, kryesisht në sundimin e së drejtës në ekonomi.