Berisha:Gratë, arkitektet e fitores sonë!

592
Sigal

Berisha: “Aleanca tjetër e pazareve dhe e lidhjeve me krimin”

Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë një takimi me gratë demokrate të qytetit Elbasanit teksa u shprehu mirënjohjen për mbështetjen vlerësoi se, mbi programin e PD-së të zbatuar gjatë 21 viteve u mbështetën ato që ai i cilësoi si ‘shndërrimet e mëdha dhe epokale të vendit’. Kryeministri në bashkëbisedimin e tij me gratë tha se ai në 8 vite ka ndërmarrë reforma për të luftuar murin e patriarkisë. “Në Shqipëri vepron muri i patriarkisë, i sundimit të burrit. E kemi patur e kemi dhe do ta kemi vendosmërinë më të madhe për të luftuar këtë mur 5 mijë vjeçar, është ndërtuar nga të gjitha doktrinat. Aspekt themelor në këtë pabarazi është ai financiar, shprehet me marrjen e përgjegjësisë dhe pushtetit ekonomik të gjithë nga burri. Në vitin 2005 një nga treguesit që më bëri përshtypjen më të keqe kur pashë një studim që tregonte se rroga mesatare e grave ishte 36% më e ulët se e burrave, ndërkohë që në ligj nuk ekziston. Natyrisht, roli i qeverisë dhe ekzekutivit është i pamohueshëm, nisëm ta luftojmë këtë hendek, ndikuam fuqishëm, diferenca arriti në 17,7% afër mesatares së vendeve të BE. Në 4 vitet që vijnë mund të ndërtojmë platformën më të shkëlqyer e eficente ndaj murit të patriarkisë, Në këtë betejë të vendosur e seriozë”, tha ai. Sipas kreut të qeverisë, një betejë që duhet fituar është ajo e luftës ndaj gruas. Ai u shpreh i gatshëm për të çuar në Kuvend një paketë masash më të ashpra, ndërsa u shpreh i bindur se përsëri ajo do të bllokohet nga Rama. “Së bashku duhet të fitojmë betejën kundër dhunës ndaj jush. Është betejë që do ta fitojmë, Nuk ka më të dënueshme dhe më të papranueshme në këtë shoqëri se sa kjo dhunë. Ne gati për një paketë ligjore, jemi të sigurt që do ta votojë opozita nesër pa këtë bllokatorin që s’do gjë tjetër veçse të bllokojë nga mëngjesi deri në darkë. Kjo paketë është për rreptësimin e qëndrimeve ndaj dhunës së grave. Ai që dhunon duhet ta dijë që ligji do i përgjigjet në mënyrë më të rreptë. Të mbrojmë vajzat dhe gratë që janë objekt agresioni të përditshëm”,- tha Berisha. Kryeministri Berisha u shpreh më tej se gratë do jenë arkitektet e fitores së 23 Qershorit, ndërsa e cilësoi aleancën tjetër si aleancë të pazareve dhe të lidhjeve me botën e krimit. “Ju do të jeni arkitektet e fitores së 23 Qershorit. Aleanca tjetër bazohet në pazare të privuara nga çdo vlerë e moral shoqëror, bazohet në lidhje të tmerrshme me botën e krimit, botë që ka dhe do ketë ligjin dhe vetëm ligjin. Ju ftoj më 23 Qershor të bëjmë gjithçka, të votojmë për të ardhmen tonë, për një transformim të mëtejshëm të Shqipërisë. Ka shanse të mëdha, potenciale të jashtëzakonshme. Ne po bëjmë gjithçka për ti dhënë Shqipërisë një infrastrukturë më madhorë. Brenda këtij mandati ne inaugurojmë kurorën e dytë më të bukur infrastrukturore, autostradën Tiranë-Elbasan. Ne hoqën vizat, kur kreu i opozitës bëri gjithçka për mos heqjen e tyre, statusin e pengoi 200 ditë me radhë, një akt të tillë nuk e ka kryer kush në Europë”, -tha ai.  Në lidhje me aleancën e firmosur në Shkodër mes PS dhe LSI, Kryeministri Berisha u shpreh se ajo u bë me ndërmjetësimin e serbëve. “Udhëheqësit serbë thonë se e firmosëm marrëveshjen me Kosovën sepse Serbia duhet të integrohet në BE. Ata firmosën marrëveshjen, të ndërmjetësuar nga Baronesha Ashton, kurse këto firmosën marrëveshjen e bllokimit, të ndërmjetësuar nga udhëheqësit serbë. Të firmosësh marrëveshje që të çon në vitet ’40 është një anakronizëm i pafalshëm. Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është një fitore e madhe për Rajonin, shqiptarët, integrimin. Ndërsa këta zotërinj firmosën në Shkodër marrëveshjen e bllokimit. 23 Qershori është afër dhe jam i bindur se çdo shqiptar do të thotë fjalën e tij për integrimin në BE”, tha Kryeministri Berisha.