Berisha: Velloja e zezë ka mbuluar Shqipërinë, të luftojmë për ëndrrën evropiane të Azem Hajdarit

624
“Shqipëria evropiane ishte ëndrra e Azem Hajdarit, është ëndrra jonë, e fëmijëve tanë, të luftojmë për ta bërë atë realitet sa më shpejt”
Ndërsa mbante fljaën e tij të rastit në përurimin e shtatores së Azem Hajdarit në Tropojë, ish-kryeministri Sali Berisha nuk u nda dot nga deklaratat politike. Ai foli për ëndrrën evropiane të studentit të dhjetorit, Azem Hajdari. Edhe pse ish-kryeministri viziton rrallë qytetin e tij të lindjes, ai është ndalur dhe te akuzat e sulmet ndaj qeverisë. Ai tha se, Shqipërinë e ka mbuluar velloja e zezë e narkotikëve dhe se shqiptarët duhet të luftojnë për të bërë realitet ëndrrën e Azem Hajdarit, për të ecur drejt hapësirave evropiane. Sipas tij, Azem Hajdari është bir i shquar, që u ngrit si luan për të ndarë shqiptarët nga diktatura. “Bir i shquar, që do ngrihej si luan për të ndarë shqiptarët nga diktatura, me motivin ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’. Azem Hajdari jeton dhe do jetojë për jetën ideale të rinisë, në ëndrrën më të bukur të çdo qytetari të kësaj toke, që do të ndjehet i barabartë, i lirë, me dinjitet, me kokën lart. Ndaj dhe sot ai është frymëzim, sepse dhe sot pas 27 vitesh nuk mund të mohojmë se një vello e zezë ka mbuluar Shqipërinë, velloja e zezë e narkotikëve që bën që shqiptarët të mos marrin dot fatin e tyre, të mos vendosin dot për votën e tyre. Sot jemi këtu më të vendosur se kurrë të frymëzuar nga Azem Hajdari për t’u ndarë nga kjo e keqe dhe çdo e keqe që nuk meritojmë për të ecur të sigurt drejt hapësirave evropiane. Shqipëria evropiane ishte ëndrra e Azem Hajdarit, është ëndrra jonë, e fëmijëve tanë, të luftojmë për ta bërë atë realitet sa më shpejt. Dua të përulem me nderim të madh para jush për mbështetjen e jashtëzakonshme që i jepni lirisë, për birin e shquar, tribunin legjendar Azem Hajdari. I përjetshëm kujtimi i tij!”, tha Berisha.

Basha: I detyrohemi shumë për ç’ka bëri për lirinë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbërritur këtë të premte në Tropojë për zbulimin e shtatores së liderit të Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari. Basha ka marrë fjalën në ceremoninë e përurimit të shtatores së Azem Hajdarit në Tropojë, ndërsa është shprehur se i detyrohen shumë atij, pasi sipas liderit demokrat Azemi vazhdon tu ndriçojë ende rrugën. “Kam ardhur me gëzim dhe dëshirë të madhe në këtë festë të bukur, kthimin e Azem Hajdarit në Tropojën e tij të shtrenjtë. Këto male janë plot me heroizëm dhe lavdi. Azem Hajdari ju përket ju, i përket Tropojës dhe ju jeni krenar për birin tuaj. Si udhëheqës politik, Azem Hajdari. Sa më shumë shkon koha, Azem Hajdarit i detyrohemi shumë për çka bëri për lirinë e gjithëve ne. Kjo është vetëm njëra prej përmendoreve që ngrihen për të. Në fakt përmendoren më të madhe, Azem Hajdari e ka në mendjet dhe zemrat tona. Ai vazhdon të na ndriçojë rrugën. Në mendjen dhe zemrat time, të mbarë rinisë shqiptare, kujtimi i Azem Hajdarit na shërben të kujtojmë se liria është gjëja më e çmuar në jetë. Tropoja sot është shumë e bukur me përmendoren e Azem Hajdarit”, u shpreh Basha. Në sheshin kryesor të Tropojës u vendos sot shtatorja e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit. Në përurimin e shtatores marrim pjesë personalitete të rëndësishme, mes tyre ish-kryeministri Sali Berisha, kryetari i PD, Lulzim Basha si dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Ceremoninë e hapi kryebashkiaku i Tropojës, Besnik Dushaj i cili u shpreh: “Djalin tonë të bukur e përcollëm të ri dhe na u kthye në bronz. Azem, ti je gjallë dhe faleminderit që na dha mundësitë të ëndërrojmë!”.
Sigal