Berisha thyen rekord, flet 130 minuta për “40 mashtrimet e Ramës” Feb 10, 2017 0

382
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka thyer dje “rekordin” e tij personal, duke mbajtur në Parlament fjalimin më të gjatë prej rreth 130 minuta pa ndërprerje. Berisha ka renditur dje 40 mashtrimet e qeverisë “Rama”, duke i lexuar ato si u premtuan dhe si nuk u realizuan në katër vite.
Ajo që ra sy në fjalimet e opozitarëve ka qenë thirrja e përsëritur që qytetarët t’u bashkohen në protestën e 18 shkurtit, për të larguar atë që ai e ka quajtur “organizatë kriminale që po drejton vendin”. Por nga maxhoranca, deputetët dhe ministrat e saj e kanë quajtur protestën e 18 shkurtit si tentativë për të bllokuar Reformën në Drejtësi dhe zbatimin e saj.
AKUZAT
Sali Berisha e ka quajtur kryeministrin e vendit “Edi Gënjeshtra”, të cilit qytetarët do t’ia japin përgjigjen më 18 shkurt.
“Nëse ndiheni të mashtruar dhe të braktisur nga kjo qeveri, bashkohuni me ne më datë 18 shkurt dhe t’i japim vendin e merituar këtij sharlatani. Ftoj më datë 18 shkurt t’i bëjmë gjyqin këtij mashtruesi të paskrupullt, pa moral, që ju konsideron qenie inferiore për t’u mashtruar. Të bashkohemi, burra dhe gra, me betimin solemn se s’mund të na mashtrojë kush kurrë. Më 18 shkurt, në një protestë të qëndrueshme, t’i japim vendin e merituar kësaj organizate kriminale që po rrokullis vendin çdo ditë e më shumë!”, tha dje disa herë ish-kryeministri.
Por më e ashpër në qëndrime u tregua ministrja Ermonela Felaj, e cila tha se në protestën e PDsë do të marrin pjesë vetëm hajdutët.
“Pse ulërijnë? Ulërijnë për Reformën në Drejtësi që do t’ju shkatërrojë mbrojtjen. Ulërijnë për zgjedhjet që i gjejnë si me i pas gjuajt me çifte, i gjejnë zbuluar, pa asnjë mbështetje, përveçse me atë të hajdutëve të djeshëm që po rrekeni t’i mblidhni dhe me to të bëni sa më shumë zhurmë dhe pis në kryeqytet. Ka ardhur koha që tabelën që tregon burgun ta vendosim pikërisht aty ku ju do mblidheni më 18 shkurt, sepse është rasti për të parë se sa shumë hajdutë do të bëheni ju aty bashkë. Më shumë hajdutë se ata që qëndrojnë në burg”, u shpreh Felaj.
Por akuzave të ministres, Berisha ia ka dhënë përgjigje duke treguar një ngjarje personale të saj, ku vite më parë, sipas tij, i morën burrin peng, por Felaj i ka quajtur këto akuza përralla.
“Ndrikulla që foli para meje (ministrja Felaj), që është një ndrikull e vërtetë, anëtare e organizatave mafioze. Kjo kishte marrë përsipër të lironte banditin. Burri kishte marrë paret. Kur kjo nuk e liroi banditin, atëherë i rrëmbyen burrin. Kjo ishte gati ta falte dhe burrin, por ia çliruam ne. Kjo ishte gati që burrin t’ia falte dreqit. Kishte marrë paret kjo, nuk pyeste”, tha dje Berisha.
Sigal