Berisha: Telefonata që detyroi Ramën të mbronte Tahirin

532
Ish-kryeministri shprehet se ka të dhëna të shumta për implikime të qeveritarëve në lidhje me krimin. Kush po festonte për arrestimin e ish-ministrit
Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar aktualitetin politik dhe kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, drejtuar Kuvendit, për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, si i implikuar në një grup të strukturuar kriminal për trafikun e drogës. Ai tha se Rama fillimisht vendosi ta pranonte kërkesën e prokurorisë, por pas presionit të Tahirit ndryshoi mendim. I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në “News 24” të gazetares Eni Vasili, ish-kryeministri tha se ai di klane që po festojnë për goditjen e ish-ministrit të Brendshëm. “Dosja italiane ka një rregull. Shtetet mike para se ta plasin në erë, vijnë dhe të thonë që na ka dalë ky problem. Antimafia italiane është institucioni më i pavarur. Dikush nga ministria i ka thënë Ramës që kemi këtë problem. Unë di klane që po festojnë për goditjen e Tahirit. Rama dorëzoi dosjen për një zotim që kishte marrë, pra që ne nuk do pengojmë drejtësinë”, u shpreh Berisha. Sipas ish-kryeministrit, Rama e nisi me median dhe dosja iu dha edhe opozitës, por jo nga Rama. “Po në këtë linjë ai nxori të parin Fatmir Xhafën që tha se hetimi italian nuk ka lidhje me ne. Ata i bënë të qartë që drejtësia do veprojë. Të enjten ishte një betejë e egër për të sabotuar që Tahiri të mos shkonte në emisionin ‘Opinion’”, tha Berisha. Ish-kryeministri përmendi një telefonatë mes ish-ministrit të Brendshëm dhe sipërmarrësit Gaz Demi, ku sipas Berishës, Tahiri e ka kërcënuar Ramën me publikimin e fakteve për implikimin e vëllait të tij në trafikun e drogës. Për ish-kreun demokrat, ky ishte momenti i ndryshimit të qëndrimit të kryeministrit dhe marrja e vendimit për mosarrestimin e Tahirit. 

Duke folur për komprometimin e provave dhe sa i rrezikon provat ish-ministri Saimir Tahiri nëse nuk arrestohet, Berisha tha se edhe në burg mund t’i prishë, duke sjellë si shembull Emiljano Shullazin. Ish-kryeministri tha se Shullazi ka tre celularë në burg dhe me njërin komunikon me Ramën. I ngacmuar nga gazetarja Vasili nëse e kërcënon, Berisha aprovoi. “Emiljano Shullazi rri me tre celularë në burg. Me njërin flet me Ramën. Ai komunikon me Ramën në telefon. I duhet me çdo kusht të dalë nga burgu. Padiskutim e kërcënon. Po hyre në tratativa me ta…”, u shpreh Berisha. Ai tha se një nga provat më të forta të organit të akuzës është automjeti me emrin e Tahirit dhe i përdorur nga trafikantët. “Makina për ta kuptuar qytetarët, është një lloj si një njeri t’i japë armën e vet një tjetri për të vrarë dikë dhe përpiqet që këtë ta maskojë me dokumente të shtira. Iu dha makinën, 03-shin për të çarë çdo tra, çdo postbllok, çdo doganë. E dyta, Saimir Tahiri është përfitues direkt në euro. Ju duhet të dini një gjë. Nuk ka njerëz më të saktë, më dixhital dhe më elektronikë, më precizë se sa kriminelët për krimet që kryejnë”, tha Berisha. Ai shtoi se kriminelët kanë një memorie absolute për detaje dhe çdo gjë. “Mos mendoni ju se ai tha që kam blerë varëse, se ai shpiku varëse. Pse nuk tha kam blerë orë? Pse nuk tha vëthë? Këto janë fakte të pakontestueshme. Ka kërkuar diamante ky. Pse? Sepse në botën e krimit, ka më rrezik nga paratë se nga diamanti. Transferta është transfertë, sepse lë gjurmë. Ky ka kërkuar diamante, ose është maniak”, u shpreh ish-kryetari i Partisë Demokratike.

Në të njëjtën kohë, Sali Berisha paralajmëroi se nëse kapet sistemi i drejtësisë nga kryeministri, atëherë vendi do të shkojë drejt dhunës dhe destabilizimit. “Unë e mbështeta Bashën që të hyjë në zgjedhje se të mos hysh në zgjedhje do të thotë të çosh vendin në një konflikt civil që unë nuk jam dakord. Nëse vdes drejtësia dhe merret në dorë nga një njeri që bën gjykatësin, prokurorin dhe kryeministren këtu nuk ka zgjidhje tjetër përveç destabizilimit të vendit. Nëse vdes drejtësia nuk mbetet gjë tjetër veç dhunës”, tha Berisha.
Sigal