Berisha: Tahiri u takua me Bamin 3 herë, kam prova

481
Sigal

Akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj kreut të parlamentit Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ka vazhduar edhe në dalje të Kuvendit, pas përfundimit të seancës së sotme. Në fjalën e tij para gazetarëve, Berisha u shpreh se deklarata e Metës sipas të cilit deputeti Tom Doshi është pjesë e PD, vërteton edhe një herë fajësinë e kryeparlamentarit. Berisha u shpreh gjithashtu se zotëron edhe prova që do t’i paraqesë në momentin e duhur të takimit të Ministrit Saimir Tahiri me Durim Bamin, të akuzuarin për vrasje ndaj deputetëve Doshi e Fufi.
“Përfundoi dhe dëshmoi edhe një herë se kreu i parlamentit është njeriu sot më i akuzuar në Europë, për sponsorizimin dhe organizimin e dy vrasjeve, për alibinë që ka dashur të krijojë. Dhe sot nxorri që Tom Doshi është i PD, duke dëshmuar edhe një herë fajësinë e tij kokë e këmbë. Duke u përpjekur të shesë Tom Doshin tek PD për krimin e shëmtuar, bind shqiptarët se është kokë e këmbë i zhytur në krim. Ilir Meta ka vetëm një rrugë, dorëheqjen që të hetohet. Saimir Tahiri le të bëhet avokati i Ilir Metës, të mbajë çdo qëndrim, por Meta nuk shpëton dot. Këta zotëri e mbajtën 6 muaj rresht akuzën si çështje mes shokësh, sikur nuk kishte ndodhur kur duhet të kishte funksionuar shtetiu ligjor. E mbajtën në mënyrë që të mund ta nxirrnin me llokma dhe premtime. Para përjashtimit nga grupi, Edi Rama i çoi sivllaun e tij të zemrës dhe shpirtit Koço Kokëdhimën që i nanuriti Tomës 1000 ofertash që të mbyllë gojën. Por nuk ra dakord. Hapat janë për çdo vend normal janë institucionet. Nuk mund të flasë Prokuroria për kryetarin e parlamentit, që në takimin që thërret kryeministri shkon edhe ky kur është i akuzuar direkt. Në cilin vend të botës nëse Prokuroria ka ekzekutivin dhe legjislativin kundër mund të bëjë hetime? Nëse është ekzekutivi dhe legjislativi i inkriminuar çfarë mund të bëjë Prokuroria? Paralelizmin e bëri me bllokun e Monikës, mos prisni dhe mos sulmoni Prokurorinë, por nëse i del përpara kreu i qeverisë dhe parlamentit harrojeni se mund të bëjë 2 hapa para. A e patë ju që Tahiri foli në emër të Prokurorisë, Gjykatave, përgënjështroi Didin. Është takuar 3 herë me vrasësin, kam fakte për këtë. do të ua them në momentin e duhur. U dashurua Tahiri me Bamin. Ndodh. Absolutisht, dhe opozita me këtë situatë nuk pajtohet kurrë. Unë mendoj se opozita duhet të përdorë të gjitha mjetet dhe nuk mund të pajtohet me një kryetar parlamenti të akuzuar nga deputetët për 2 vrasje” tha Berisha