Berisha sportistëve: “Ju do të nderoni veten dhe kombin tuaj”

540
Sigal

Lojërat Olimpike, Berisha përshëndet ekipin tonë në Londër
Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në Londër për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Londër 2012, pati sot një takim me ekipin olimpik shqiptar, stafin e trajnerëve dhe atë organizativ që e shoqëron, në një pritje të organizuar në ambasadën e Shqipërisë në Londër. Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se në pritje ishte e pranishme edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ministrat e Kulturës dhe Sporteve Aldo Bumçi dhe ai i Kosovës Memli Krasniqi, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Londër dhe miq britanikë me kontribut në zhvillimet e të Shqipërisë. Kryeministri Berisha u uroi sportistëve suksese në garimin e tyre, duke shprehur njëherësh besimin se në këtë garë, ata do të arrijnë të zënë vendet që meritojnë. “Suksesi i juaj i parë”, u shpreh Kryeministri, është që jeni këtu si përfaqësues të kombit shqiptar. Ndaj jam i bindur se në këtë garë, më e bukura që organizon njerëzimi, ju do të nderoni veten dhe kombin tuaj. Një përshëndetje të veçantë, Kryeministri Berisha i drejtoi sportistet Majlinda Kelmendi, e cila garon në disiplinën e xhudos, për prezencën e saj në ekipin olimpik me flamurin shqiptar. Presidentja Jahjaga uroi gjithashtu sportistët olimpike për suksese në këto Lojëra. Kreu i delegacionit shqiptar në Lojërat Olimpike Viron Bezhani, në emër të të gjithë ekipit, tha se ëndrra e sportistëve është ngritja lart e flamurit shqiptar dhe se ata do përpiqen shumë ta arrijnë. Në mbrëmje, Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja, zonja Liri Berisha morën pjesë në pritjen që Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar Elizabeth II do të japë në Buckingham Palace, për nder të liderëve botërore, që do të ndjekin ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Londër 2012. Përpara pritjes, Kryeministri Berisha pati në Buckingham Palace, një takim të veçantë me Kryeministrin britanik David Cameron. Në orën 21 (ora lokale), Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në Stadiumin Olimpik të Londrës, ku ndoqi ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike 2012.