Berisha: Rugova, gjeniu vizionar i kombit shqiptar

676
Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi presidentin Rugova si një gjeni vizionar të kombit shqiptar. “Eshtë 12-vjetori i ndarjes nga jeta të Presidentit legjendar, gjeniut vizionar të kombit shqiptar, arkitektit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Shqiptarët kudo në botë sot nderojnë me mirënjohje të pakufishme veprën e pavdekshme të presidentit Rugova, burrit të shtetit që shkriu jetën për Kosovën e lirë, të pavarur e evropiane, dhe për gjithçka që bëri për lirinë dhe dinjitetin tonë kombëtar”, u shpreh Berisha. Megjithatë, Berisha kritikoi edhe sjelljen e qeverisë “Rama” ndaj figurës së Ibrahim Rugovës. “Prej gati pesë vitesh, albanofobi Edvin Kristaq Rama, njeriu që ka vendosur në gjoksin e famëziut Bregoviç çelësin e artë të kryeqendrës së vendit, ka bllokuar vendosjen e shtatores së Presidentit Rugova në Tiranë, por Gandi i shqiptarëve, i Ballkanit dhe Evropës jeton përjetë në mendjet, në zemrat dhe lirinë e mbarë kombit tonë”, tha ish-kryeministri Berisha. Marrëdhëniet mes Berishës dhe Rugovës në fillim të viteve ’90 ishin shumë të mira, por më pas ato u ftohën, duke sjellë edhe pakësimin e vizitave në Tiranë për kreun e LDK-së.
Sigal