Berisha: Rendi drejt kaosit të plotë, qeveritarët janë byrazerët e krimit!

460
Sigal

Ish-Kryeministri: Qeveria e lidhur me krimin. Vrasjet janë rritur 22%, vetëvrasjet janë shtuar

TIRANË-Ish-Kryeministri Sali Berisha shpreh shqetësim për situatën e rendit në vend, duke theksuar se vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 7 të vrarë dhe të plagosur te moshave 4 – 50 vjeç. Në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook” Berisha shkruan se “largimi i Ramës është përgjigjja e vetme ndaj krimit dhe qeveritarëve kumbarë të tij”. “Miq, le të pyesim Edvinin se kur do lodhen vrasësit së lari hesapet në këtë vend?! Të dashur miq, rendi është drejt kaosit si kurrë më parë. Vetëm në muajin korrik ka pasur 13 viktima e të vrarë kundrejt 10 të vrarëve në qershor dhe në korrikun e vitit 2013, pra 22% më shumë, ka pasur 54 të plagosur kundrejt 41 të plagosurve në qershor 2013, apo 13 të plagosur më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, apo thënë ndryshe 26% më shumë. Në korrik 2014 kishte 41 vetëvrasje dhe 39 tentativa për vetëvrasje, kundrejt 33 vetëvrasjeve dhe 30 tentativave për vetëvrasje në qershorin që kaloi”,- shkruan Berisha. Rama loz basketboll në Vlorë, kurse zëdhënësi i tij për rendin bën pushime në jahte ultraluksoze me 170 mijë euro java, ose thuajse 30 mijë euro dita. Për të justifikuar dështimin total dhe degradimin e rendit drejt kaosit, Rama, si asnjë politikan tjetër, inkurajoi krimin me deklaratën e tij se “vrasjet janë larje hesapesh mes kriminelëve të dorës së parë”.  Më tej, Berisha akuzoi qeverisjen Rama-Meta si të implikuar me krimin dhe si të paaftë për t’u siguruar qytetarëve jetën. Duke theksuar se, qeveritarët janë të lidhur me fije të shumta me krimin dhe kontrabandën, kërkoi sensibilizimin e qytetarëve për të frenuar këtë qeverisje, që sipas Berishës, është qeveria më e korruptuar në këta 24 vite. “Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të pyesim Edvinin, që premtoi se për 300 dite do vendoste rendin, edhe për sa kohë nuk do lodhen vrasësit së lari hesapet, që në Shqipëri të vendoset rendi? Të dashur qytetarë, këta janë byrazerët e krimit dhe trafiqeve, ndaj dhe sundimi i krimit do të bëhet çdo ditë e më i fortë në vendin tonë. “Rama Ik” është përgjigja e vetme ndaj krimit dhe qeveritarëve kumbarë të tij!!”,-përfundon Berisha. Lidhur me akuzat e Berishës, Kryeministri Edi Rama reagoi dje nëpërmjet rrjetit social “Tvvitter” ndaj deklaratave të deputetëve të opozitës, për përkeqësimin e situatës së rendit në vend. “Po mos kishin bërë gjithë vitin po këtë kundër Policisë së Shtetit do thoshim gjynah u ka rënë dielli në kokë, po s’ka faj dielli ‘Vajmedet PD!”, shkruan Kryeministri Rama në postimin e tij.