“Berisha -Rama ranë dakord që sistemin zgjedhor ta kontrollojnë vetëm ata”

570
Sigal

INTERVISTA/Flet Dashamir Shehi: “Te kompromisi PD-PS, reformë nuk ka për asgjë”

Në opinionin publik është dhënë me bujë  si sukses kompromisi i Reformës Zgjedhore, i cili është arritur vetëm midis PD-PS, thua se sistemi zgjedhor është shpk-ja e përbashkët e PD-PS, e partitë e tjera politike janë të përjashtuara nga e drejta e debatit dhe janë penalizuar nga e drejta e vendimmarrjes. Edhe ndërkombëtarët e përshëndetën me superlativa politike, duke dhënë të kultivohet në opinionin e shqiptarëve, që tashmë është garantuar me kompromis, paqja politike e zgjedhjeve të 2013-s, thua se kjo “paqe” ishte tërë esenca e reformës zgjedhore, e vënë si një ndër 12 prioritetet e BE-së,  e dhënies të statusit të kandidatit Shqipërisë. Pakkush, e të parët vetë ata që e përcaktuan si prioritet te integrimit të Shqipërisë, pyeti apo u vetëpyet nëse kompromisi i Reformës Zgjedhore arriti të përcaktoje standarde të larta të demokracisë europiane, dhe treguesi i parë e më kryesor është prania sa më e madhe e partive në parlament. E thënë ndryshe, a mundet sistemi zgjedhor të përfaqësojë sa më të barabartë e të drejtpërdrejtë votën e elektoratit? Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, në intervistën për “Telegraf” i jep përgjigjen e drejtpërdrejtë kësaj pyetjeje. Kjo Reformë Zgjedhore është edhe treguesi i nivelit demokratik që kemi arritur deri tani.

– Zoti Shehi, kompromisi për Reformën Zgjedhore i PD-PS, keni përshtypjen se  është kompromis për reformën apo kompromis i atyre privilegjeve partiake që përfitojnë në Sistemin Zgjedhor?

– Këtu për reformën nuk ka asgjë. Ky është një kompromis për të ruajtur statukuonë e privilegjeve, ky do të ishte emri më i përshtatshëm. Atë statukuo që vendosën në 2008-n, bashkërisht Berisha-Rama.

Çdo të thotë, statukuoja, sipas jush?

– Berisha me Ramën na thanë ne të tjerëve: “Që sistemi zgjedhor do ta kontrollojmë ne, të dyja partitë. Mbi të gjitha partitë. Do t’i kemi ne komisionerët. Do të kemi të drejtën të vendosim mbi sistemin. Do të kemi të drejtën e numërimit dhe të kontestimit në mënyrë reciproke, por vetëm ne të dy. Të tjerët, dilni jashtë! Kjo është statukuoja e vendosur me keqdashje 5 vjet më parë, kjo është edhe marrëveshja e tanishme. Marrëveshja ka qenë që të mos bëjnë ndryshime, jo për të bërë reformë për të përfituar të tjerët. Nga kjo pikëpamje, këtu, të ndryshme, të reformuar, nuk kemi asgjë.

– Nuk është interesante që edhe faktorët ndërkombëtarë e përshëndetën kompromisin pa u bërë merak për standardet demokratike të përfaqësimit të votës që nuk u realizuan në këtë reformë?

– Këtu nuk ka asgjë të re. Faktorëve ndërkombëtarë nuk u intereson shumë demokracia në Shqipëri. Të huajve u intereson stabiliteti në Shqipëri.

– Stabilitetin demokratik, këtë keni parasysh?

– Jo, stabilitetin, në përgjithësi. Ja, Kina është stabël dhe Perëndimi është i gjithi i lumtur. Shqetësohen po të demokratizohet Kina. Nga kjo pikëpamje ndërkombëtarëve nuk u intereson fare  niveli i demokratizimit të  jetës së shqiptarëve, pra të hapësirës shqiptare.  Ndërkombëtarëve u intereson stabiliteti dhe këtu ndërkombëtarët kanë edhe njëfarë të drejte. Sepse ne shqiptarët në 20 vjet, 3 herë kemi rrezikuar stabilitetin. Në këtë pikëpamje ndërkombëtarëve nuk u intereson reformimi i sistemit.

– Çfarë u intereson ndërkombëtarëve në të vërtetë?

Ndërkombëtarëve u intereson në të vërtetë që dy forcat e mëdha, që të mos destabilizojnë situatën, të merren vesh me njëra-tjetrën. Në momentin që PD-PS merren vesh me njëra-tjetrën, ndërkombëtarët janë të lumtur. Ata e dinë shumë mirë që sistemi zgjedhor nuk është demokratik, por i shërben bipolarizmit. Nga kjo pikëpamje këtë radhë e  përshëndetën, siç e përshëndetën edhe 5 vjet më parë, kur brenda natës u ndryshua sistemi zgjedhor, Kushtetuta dhe formula e zgjedhjes të Presidentit. Ne shqiptarët jemi me memorie shumë të shkurtër, por gjerat e shkurtra kanë mbetur. Po t’i shikojmë edhe para pesë vjetëve, ndërkombëtarët kanë qënë po kaq entuziastë, po kaq të lumtur. Edhe para 8 vjetëve ka qënë e njëjta situatë. Gjithmonë kur vijnë zgjedhjet, dy javë para zgjedhjeve nën “presionin” e ndërkombëtarëve, zgjidhin mosmarrëveshjet, bien dakord të dy palët, sipas konjukturës politike të atij momenti dhe ecën përpara. Dhe gjithmonë ndërkombëtarët  thonë që kemi bërë disa hapa përpara. Po t’i kishim bërë këto hapa përpara, që na thonë të huajt, do të kishim hyrë në Europë. Nuk na duan në Europë dhe shumica e këtyre që drejtojnë Shqipërinë, nuk duan të jemi në Europë.

Si do të reagojnë partitë e tjera, të cilat ridolën të humbura nga kompromisi i Reformës Zgjedhore?

– Atë që kanë bërë përherë. Do të shkojnë të futen poshtë xhaketës së një pale. Partitë e majta, të pakënaqura nga PS-ja do të përpiqen të futen në koalicionin e madh qeveritar. Edhe partitë e djathta në pushtet do të bëjnë sikur janë të pakënaqura, do të ngrehin pretendimet për drejtorë e zv/ministra, por pretendime për demokraci, nuk kanë për të ngritur asnjëherë.

Partitë e majta, të pakënaqura nga PS-ja deklaruan që do të krijojnë një aleancë tjetër pa PS-në. E shikoni të mundshme?

– Unë e shikoj zhurmë, pasi këto parti kanë patur 15 vjet kohë që të dalin njëherë të pavarura. Nuk kanë dalë asnjëherë. Prandaj edhe nuk ka konsistencë alternativash  të tjera, sepse kur vjen puna për të votuar, futen nën kapelen e një më të madhi. Ky është realiteti.  Këto parti nuk përfaqësojnë ndonjë alternativë. Këto ose futen te xhaketa e së majtës, ose te pardesyja e së djathtës. Kjo e së djathtës është pak më e gjatë, se është në pushtet. E majta ka mbetur me një xhaketë. Po të ndërrohet rrota, do të ndodhë që disa parti të moderuara që janë në qeveri sot do të kalojnë te tjetra, sikurse LSI-ja që do t’i bashkohet së majtës në qeveri.

– Nuk shikoni mundësi të krijimit të polit të tretë nga parti të tjera?

–  Ngaqë nuk kemi shumë eksperiencë politike, mendojmë që krijohen pole të shumta në politikë. Por, kudo politika është dypolare, nuk ka pol të tretë. Po ne në Shqipëri e kemi kthyer bipartiake, kjo është e  keqe. Në gjithë botën ka dy pole, por nuk do të thotë që ka dy parti. Kur më thonë poli i tretë, më vjen për të qeshur, se nuk ka as teorikisht pol të tretë në politikë. Mund të kemi grupim partish të treta. O shkon me mazhorancën, o shkon me opozitën. Mënyra se si organizohen formacionet në zgjedhje nuk duhet të jenë dypartiake, por të jenë më shumë se tre partiake.

– Aleanca Kuqezi, a mund të luajë alternativën e tretë?

– Ta shikojmë. Çdo gjë e re është një mundësi për ndryshim. Është një hipotezë. Thjesht, nga shuma e flamujve e zhurma e fjalimeve nuk përcakton dot alternativën. Atë alternativë ta jep vota.

PS-ja e cilësoi kompromisin si garanci e zgjedhjeve të ardhshme. Mendoni që ky kompromis do të japë paqe, qoftë parazgjedhore, qoftë në procesin e zhvillimit të zgjedhjeve, qoftë edhe në moskonstetimin e rezultatit?

Unë nuk besoj kështu. Ky është kompromisi për të kaluar radhën.

– Heqja e imunitetit në vetvete do të sjellë edhe luftën kundër korrupsionit, siç pretendohet?

– Korrupsionin nuk duan ta luftojnë jo se e kish penguar deri tani  heqja e imunitetit.

Heqja e imunitetit dhe transparenca politike

Në Shqipëri politikanët kështu kanë vepruar gjithnjë. Gjërat më të rëndësishme i caktojnë që t’i kalojnë në ditët e gushtit. Ca vapa, ca edhe njerëzit e kanë mendjen te pushimet, nuk kanë shumë kohë të mendojnë për ligje. Edhe po të këmbëngulë ndonjë, i thonë i diskutojmë në shtator kur të kthehemi nga banjat. E deri në shtator kanë harruar çfarë kanë thënë në gusht. Edhe me imunitetin këtë bëjnë.

– Faleminderit!