Berisha: Rama kryeministër deri më 18 qershor, pastaj qeveri teknike

504
Ish-kryeministri propozon që ekzekutivi aktual të respektojë mandatin dhe të vendoset shtyrja e zgjedhjeve parlamentare 

Ish-kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen në një dialog me çdo shqiptar, veçanërisht me ata që mbështesin akoma Edi Ramën, ndërsa deklaroi se opozita nuk është kundër qëndrimit të tij në krye të qeverisë deri më 18 qershor dhe krijimit më pas të qeverisë teknike. “Ata mund t’u thonë ju se pse doni t’i prisni mandatin, ju njerëz të ligjit e të Kushtetutës, pse nuk lejoni atë të mbarojë mandatin? Asnjë kundërshtim nuk kemi ne. Nëse është i lidhur aq shumë pas asaj karrigeje le të firmosë e të ikë më datë 18 qershor, të krijojmë qeverinë teknike, të bëjmë zgjedhje të lira”, u shpreh Berisha, duke folur nga çadra e ngritur prej Partisë Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. 

Për ish-kreun e Partisë Demokratike, historia ka faktuar se vendet që kanë mbjellë drogën vetëm janë shkatërruar dhe nuk janë bërë, vetëm janë copëtuar. “Drogën e udhëhoqi Edi Rama, ndaj të dashur socialistë dhe qytetarë shqiptarë, që ndjeheni të mashtruar, qoftë edhe nga droga, duhet të kuptoni drejt se vota me drogën nuk shkojnë, se ne po luftojmë këtu në këtë çadër dhe do luftojmë në mbarë Shqipërinë, sepse nuk mund të pranojmë kurrë t’ia falim votën drogës dhe krimit”, u shpreh Berisha. Sipas tij, Edi Ramën sot e kanë braktisur të gjithë, sot e kanë braktisur edhe aleatët. “Pse? Se u pëlqen opozita?”, pyeti Berisha. “Jo – tha ish-kryeministri, – absolutisht, por se kauza e opozitës është një kauzë e drejtë”. Ai shpjegoi edhe një herë përse opozita kërkon ngritjen e një qeverie teknike. “Sepse Edi Rama, si asnjë tjetër në Shqipëri, por dhe si asnjëri tjetër në Evropë, e mbushi parlamentin me vrasës, me trafikantë, me pengmarrës, me kriminelë”, tha Berisha.

Për ish-kryeministrin, Rama nuk pranon të shkëputet nga krimi. “Nuk mund të pranojmë ne të shkojmë me banda dhe banditë në zgjedhje”, tha Berisha. Sipas tij, policia e veshi vendin me vellon e zezë të drogës.”Iku Ministri, vodhi hajduti bashkë me Çipën 28 dokumente kryesore të krimit. Pse shkoi Xhafa, xhelati i diktaturës aty, pikërisht për të fshehur këto. Në këtë mënyrë do ta bësh Shqipërinë? Jo nuk të lëmë ne ta bësh këtë. Boll dhe ik!”, tha Berisha në fjalën e tij. Ai shtoi se Edi Rama nuk e çon dot Shqipërinë në zgjedhje. “Mund ta çosh veten ti në çdo drejtim tjetër, por jo Shqipërinë vetëm në zgjedhje. Paqja është forcë e të gjitha forcave, ndaj dhe mos e merr shpirtin paqësor të kësaj çadre si dobësi sepse do të shohësh një mjerim që as në ëndrra nuk e ke parë kurrë nëse nxehet revolucioni. Revolucionin mos e nxeh. Ky është sugjerimi”, ishte thirrja e Berishës për Ramën. 
Sigal