Berisha: Qytetarët do ta kërrejnë nga zyra Edi Ramën, nuk mund t’i falin të ardhmen

458
Sigal

PD dhe LSI paditin kryeministrin Rama, i cili reagon me paketën Antishpifje

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar dje se e vetmja mënyrë që Shqipëria të integrohet në BE është largimi i Edi Ramës. ‘Unë gjykoj se nëse qytetarët nuk e kërrejnë nga zyra Edi Ramën, për 1 mijë e 1 arsye dhe më kryesorja bllokimin që i ka bërë BBVE-së, me murin e krimit dhe korrupsionit, të ardhme nuk ka. Unë nuk besoj se njerëzit do t’i falin të ardhmen Edi Ramës. Ai është në prag të një ndëshkimi të fortë, se kur do ndodhë nuk ka profet që e parashikon. Rama zgjidh problemin e votave me qytën e revoleve. Votat dhe votimet nuk duhet t’i përcaktojnë bandat kriminale. Zgjidhja është një përballje. Ky pushtet duhet mposhtur para zgjedhjeve, për një zgjidhje politike që t’u mundësojë shqiptarëve për të votuar të lirë. Bajrat, Rrajat, Lul Berisha, bandat e Elbasanit, nuk duhet t’u numërojnë votën shqiptarëve. Unë e thashë që ne nuk krijojmë çeta. Ne krijojmë lëvizje popullore, e cila e fshin nga faqja e dheut këtë pushtet shumë herë më shpejt dhe fuqishëm se të gjitha bandat e Shqipërisë të marra së bashku dhe çdo forcë tjetër. Rumania është rast tjetër sepse zgjedhjet nuk janë kontestuar. Këtu këtë betejë shqiptarët e kanë për jetë a vdekje për votën e tyre. Në lëvizje nuk merr pjesë kurrë totaliteti i popullatës, merr ajo pjesë që ka arritur pikën e vlimit. Fillimisht mund të jenë 200 dhe brenda pak ditësh mund të bëhen 3 mijë. Thirrja ime është pikërisht kjo; një lëvizje popullore nuk ka nevojë të jetë gjigante, por të jetë e vendosur. Berisha: Jemi në kushtet e një grushti shteti. Nuk po zgjidhet bojkoti si një mjet. Vendi është në kushtet e grushtit të shtetit. Në mënyrë absolute. Në çdo manual klasik të grushteve të shtetit, asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese përbën grusht shteti brenda shtetit kur një pushtet merr pushtetin e një pushteti tjetër. Sot Edi Rama ka marrë pushtetin e drejtësisë. Në këtë rast, qytetarëve shqiptarë u lind e drejta të reagojnë me çdo mjet, me çdo çmim e kur të dojë.

Alibeaj: Loja me padi e dalë boje, njësoj si gënjeshtrat e Taulant Yaris

Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj thotë se inflacioni me padi në Prokurori nuk e shpëtojnë dot Taulant Ballën, ndërsa shtoi se qeveria fsheh pamjet e kamerave të sigurisë të komisariatit të Fushë Krujës. Alibeaj: Inflacioni me padi, apo show në prokurori nuk e shpëton dot Taulant Ballën nga përgjigja: Pse qeveria e tij nuk shfaq çfarë përmbajnë kamerat e Policisë së Fushë Krujës. Për sa kohë qeveria mbulon të vërtetën, Taulant Balla nuk ka pse të ndjehet i fyer, kur ne i kujtojmë, se ai ka marrë pjesë në kërcënimin me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut. Qytetarët e kanë parë se si ai po sillet, si anëtar i bandës së Fushë Krujës në mbrojtje të Rrahman Rrajës dhe djalit të tij përdhunues. Qytetarët nuk kanë harruar se ditën e parë të reagimit te tij, Taulant Balla quajti “idiotizëm” përdhunimin e vajzës nga djali i kolegut të tij. Loja me padi është e dalë boje, njësoj si gënjeshtrat e Taulant Yaris, se në 21 korrik ishte njëherë në inaugurim, njëherë për peshk”. Nga ana tjetër, Balla depozitoi dje një padi ndaj Alibeajt nën akuzën e shpifjes.

PD dhe LSI paditin kryeministrin Rama.  Vasili: Prokuroria në provën e moralit

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili bashkë me kolegun e tij nga      PD-ja  Edmond Spaho dorëzuan dje në Prokurorinë e Tiranë një padi ndaj kryeministrit Edi Rama. Pas padisë Vasili deklaroi se ky vendim i opozitës vjen pas qëndrimeve dhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij ka kanosur për jetë a vdekje një komisar policie dhe do t’i mbyllë gojën çdo të vërtete. Vasili tha se kjo është dhe një provë morali për prokurorinë. Petrit Vasili: “Arsyeja për të cilën ne ndodhemi është shumë e thjeshtë. Ne kemi paditur kryeministrin për një arsye shumë të qartë për të gjithë ju: Sepse kryeministri i vendit nuk i është kanosur dhunuesit,  por i është kanosur denoncuesit dhe ky është fakt publik.

Kryeministri Rama ironizon: Vasili dhe Spaho dy gjysmagjelat e opozitës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas padisë në Prokurorinë e Tiranës nga PD dhe LSI. Përmes një postimi në “Facebook” Rama ironizon Edmond Spahon dhe Petrit Vasilin duke i quajtur dy gjysmagjela të opozitës. “Dy gjysmagjela të opozitës së shpërndarë më paskan kallëzuar në Prokurori në emër të heroit të filmit Babale 2, i falënderoj dhe plotësisht gati të hetohem.-“ shkruan Rama. Postimi i Ramës: Dy gjysmagjela të opozitës së shpërndarë më paskan kallëzuar në Prokurori në emër të heroit të filmit Babale 2 i falënderoj dhe plotësisht gati të hetohem, duke pritur me durim që Prokuroria t’i nxjerrë fundin të dy Babaleve, ndërkohë që puna për Paketën Antishpifje vazhdon.