Berisha: Pse nuk e uroj Ramën për fitoren

455
Ish-kryeministri shprehet se shqiptarët e bojkotuan dhe e votuan kundër qeverinë e socialistëve

Ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar dje arsyet se përse nuk e ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren e mandatit të dytë për të qeverisur vendin në zgjedhjet e 25 qershorit. Berisha ka zgjedhur të publikojë në një mënyrë ndryshe përgjigjen e dhënë ndaj një komentuesi të faqes së tij në “Facebook”, duke sqaruar edhe arsyet e urimit të munguar. “Unë nuk e kam uruar Ramën, sepse nuk mund ta uroj dot për arsyet që vijojnë. Së pari, sepse fitoren e tij e ndëshkuan me votë ose me bojkot 78% e shqiptarëve. Kjo nuk është fitore e bekuar, por është e përçmuar nga 54% e shqiptarëve, që zgjodhën bojkotin për të shprehur zemërimin dhe për të votuar kundër tij. Po t’u shtosh këtyre edhe 48% të atyre që shkuan tek kutitë e votimit dhe votuan kundër tij, del se kjo është fitorja më e gjymtuar që kur është votuar për herë të parë në zgjedhje pluraliste në Shqipëri”, u shpreh Berisha. Ai shtron pyetjen: “Pra, a mund të uroj unë qeverisjen e 4/5 të shqiptareve nga 1/5 e tyre?! Kurrë jo”. “Natyrisht ka dhe një seri shkaqesh të tjera të njohura botërisht, por, unë e di se si ithtar i pakorrigjueshëm i Ramës, ti nuk i pranon ato (miq, Trendy ndërhyn shpesh në rrjetin tonë me komentet e tij në mbrojtje të Ramës, por në tërësi ruan etikën), ndaj dhe unë të rendita vetëm njërin që nuk besoj se mund të kundërshtosh”, shprehet Berisha, duke mos munguar të bëjë edhe një replikë me komentuesin e tij.

Në një deklaratë të mëparshme, lidhur me zhvillimet në Partinë Demokratike, Berisha e pranoi humbjen e zgjedhjeve parlamentare më 25 qershor. Ai bëri përgjegjës kryesor, por jo të vetëm, kreun demokrat, Lulzim Basha. Sipa Berishës, demokratëve ju mungojnë rreth 200 mijë vota dhe për këtë duhet bërë një analizë. Gjithashtu, Berisha kërkoi një proces bashkimi dhe jo përçarje të Partisë Demokratike gjatë zgjedhjeve për kryetarin.
Sigal