Berisha: Pse Kodheli mbeti jashtë qeverisë “Rama 2”

460
Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një mesazh, ku sipas tij, jepen arsyet e pretenduara nga ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për mbetjen jashtë qeverisë “Rama 2”. “Ja pse mbeti jashtë kabinetit ndrikull Kodheli”, shprehet Berisha, duke publikuar më pas edhe mesazhin. “Një burim shumë i afërt me ish-ministren e Mbrojtjes, Kodheli më tha dje se sipas saj, Rama e la atë jashtë kabinetit për dy arsye. 

Së pari, Mimi thotë se Rama u bë xheloz shumë për marrëdhëniet e saj me amerikanët. Një delegacion i Senatit Amerikan i kishte folur Ramës në prani të saj me superlativa për Mimin, por jo për Ramën. 

Së dyti, Mimi i thotë këtij burimi 100% të besueshëm se Rama i kishte kërkuar t’i bënte një aferë si ato të Beqes dhe gjasme kjo nuk kishte pranuar”, thuhet në mesazhin e publikuar nga ish-kreu demokrat. Në vazhdimësi, Partia Demokratike dhe ish-kryeministri Berisha e kanë sulmuar ish-ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për çështjen e radarëve detarë, që kanë rezultuar disa herë jashtë funksionit. Për Berishën dhe PD-në, bëhet fjalë për një ndihmë direkte në trafikun e lëndëve narkotike drejt Italisë. Gjithashtu, media ka publikuar fakte tronditëse rreth çështjes së radarëve dhe implikimit të drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura. Nga ana e saj, prokuroria po heton intensivisht për trafikimin e drogës drejt Italisë, ndërsa në përgjimet e një grupi kriminal kanë dalë të dhëna se ata ndihmoheshin nga qendra e radarëve për të qenë të pa shqetësuar në aktivitetin e tyre. Këto përgjime janë tashmë pjesë e dosjes “Tahiri”, për të cilin prokuroria kërkoi një muaj më parë autorizimin për arrestim. Nuk dihet se deri në çfarë mase ky hetim do të shtrihet edhe në institucione të tjera, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje në mënyrën e administrimit dhe mirëmbajtjes së radarëve. 
Sigal