Berisha: Prokuroria të hetojë Mimi Kodhelin për radarët

547
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi sërish ish-ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për mbështetje të trafikut të lëndëve narkotike, nëpërmjet mosfunksionimit të qendrës së radarëve. Berisha i bëri thirrje prokurorisë “të hetojë me guxim për krimin e tyre të shëmtuar, pjesëmarrjen në narkotrafiqe”. Gjithashtu, Berisha publikoi edhe mesazhin, që sipas tij, dëshmon përfshirjen e Kodhelit. “Mimi Kodheli mashtroi hapur kur tha që radarët nuk punonin pasi që ditën që drejtori në ikje z.Shefqet Bruka ka dorëzuar detyrën, radarët kanë qenë në gjendje optimale dhe nuk janë fikur asnjëherë. Është tentuar një herë, po me ndërhyrjen e autoriteteve tuaja, gjithçka ka përfunduar pa pasoja. Menjëherë pasi Mimi Kodheli ka ardhur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, në muajin e parë të emërimit dikush ka tentuar fillimisht të kalojë një anije të pakontrolluar, por është ndaluar nga QNOD në ikje. Pas kësaj është kërcënuar personalisht nga vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, njëri nga drejtorët e policisë detare, përpara se të vinte shkarkimi i tij. Pas Janarit 2014 ku drejtori i QNOD dorëzoi detyrën për Maksim Malajn, radarët janë fikur disa herë, por media ka publikuar vetëm një rast, që ishte vera e këtij viti”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Berisha. Aty nënvizohet se “deklarimi i Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli para mediave, më datën 19 shkurt 2014, gjatë vizitës në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) në Plepa, Durrës, me rastin e ngritjes së kapaciteteve të vëzhgimit të hapësirës detare (e cila shoqërohej edhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Major Jeronim Bazo, dhe Seks-eristi KRAJA), për “vendosjen në funksion të plotë pune të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare – SIVHD-së” nuk ishte i vërtetë, sepse deri në atë datë ishin vendosur në gadishmëri pune vetëm 3 nga 7 radarë të sistemit”.
Sigal