Berisha: Prapaskenat e marrëveshjes Rama-Basha

621
Ish-kryeministri flet për paktin PS-PD. Bisedimet me amerikanët, çfarë mendon për kreun e PS-së dhe pse Tahirin e hoqi çadra

Ish-kryeministri Sali Berisha shpjegoi për herë të parë detajet dhe prapaskenat e marrëveshjes Rama-Basha që i dha fund krizës së zgjatur politike. Berisha shpjegoi kontaktet me diplomatët amerikanë dhe dha vlerësimin e tij për një marrëveshje të mundshme paszgjedhore mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. 

Votuat ministra të kabinetit Rama?
“Nuk e kisha menduar, u ndjeva i kënaqur se ishte kurorëzim i marrëveshjes. Erdhi pas një proteste të pashembullt dhe paqësore, në të gjithë aspektin e saj ia doli të imponojë një marrëveshje, shumë të mirë, pavarësisht nga komentet. Pse them shumë e mirë? Sepse në kohë paqeje nuk ka kurrë marrëveshje shumë zero. Ato janë marrëveshje të luftërave ku njëra palë merr gjithçka dhe pala tjetër asgjë”.

Nuk ishte pak paradoksale situata kur ju për 4 vite e keni anatemuar si qeverinë e narkotrafikut dhe tani e votoni?
“Po, por mos harro se duke vlerësuar marrëveshjen unë mund të them, se ai dje më ngjiste me kapitenin që kishte mbytur gjeminë, kishte marrë një varkë shpëtimi, e mbyti dhe qeverinë dhe doli vetë në breg, gjë që s’e bënte dot kurrë Sali Berisha”.

Po varka e shpëtimit ishit ju?
“Rilindja ngjiste më shumë se çdo gjë tjetër me “Plakun dhe Detin” e Heminguejt”.

I njihni ndonjë meritë Ramës?
“Arritja e marrëveshjes ishte një meritë personale e Ramës. Shpëtoi atë që mundi. Nuk hyri në histori si njeriu që do bënte zgjedhje moniste, çka do ishte për të damkosja më e madhe që mund t’i bënte vetes personalisht. Në mënyrë të papritur ai mori kthesën, dhe këtu ka një arritje personale. Ai shpëtoi nga humnera drejt së cilës po ecte me shpejtësi. Në rast se politikisht fitoi udhëheqësi i revolucionit demokratik, i çadrës së lirisë, personalisht fitoi Rama, i cili momentin më të fundit vendosi të madhe një kthesë. E mori se i treguar karton të kuq. E mori sepse e kuptoi se një kryeministër nuk mund të shkojë drejt zgjedhjeve moniste”.

Edhe ju thatë, nuk hyjmë në zgjedhje me Ramën. A ka pasur imponim ndërkombëtar ndaj jush?
“Ka pasur lëshime nga të dy palët. Të gjithë njerëzit duhet ta kenë të qartë, se në kushte paqeje nuk mund të ketë një marrëveshje ku një palë i merr të gjitha e një palë i humbet të gjitha. Është e vërtetë që Rama mbeti kryeministër, që zgjedhjet nuk u shtynë më tej, por është e vërtetë që paketa McAllistër u dyfishua. Unë ua quaj meritë që e pranuan datën e zgjedhjeve në qershor, unë nuk isha dakord për korrikun, pasi njerëzit janë të shpërndarë”.

Me shtyrjen e zgjedhjeve, me ministrat teknikë, dhe me ndryshimet në Kod, a garantohen zgjedhjet e lira?
“A garantohen apo jo, kjo mbetet për t’u parë gjatë fushatës, pasi nuk më takon të bëj paragjykim. Kjo marrëveshje solli imponimin e ligjit dhe të kodit elektoral që administrata publike lirë të votojë për kë të dojë, të mos shndërrohet në trupë elektorale të një partie”.

Paratë e kanabisit si do t’i luftoni?
“Kur ne denonconim dogën dhe kërkonim një kthesë thelbësore në këtë drejtim. E nuk vumë kusht që derisa të mos zhduken trafikantët të mos ketë zgjedhje, ne kërkonim që Ministria e Brendshme për këtë periudhë t’i shpallte luftë të gjithanshme drogës. Trafikantët të paktën nuk do të kenë ministrinë me vete. A kishte gjë me të rëndë, sesa vendi mbulohej me drogë, dhe Rama thoshte jo, e shkulëm të gjithë. Po të jesh kryeministri dhe të lavdërosh ministrin Tahiri, do të thotë të jesh palë me të. Tahirin e hoqi çadra”.

Edhe nga pala tjetër thuhet e njëjta gjë, që më në fund nga PD-ja u detyruan të pranojnë. Jemi në kushtet kur PD ka nënshkruar një marrëveshje,e cila është më pak nga ç’iu ofrua disa ditë para votimit të presidentit, dhe pranoi këtë paketë pa presidentin, me disa ministra më shumë. Çfarë ndryshimi sjell kjo?
“Realisht paketa e dytë është dyfishi i paketës McAllister, sa i përket efektit të zgjedhjeve. Janë 44 mijë punonjës në arsim, çfarë do bëjë zonja e nderuar që u emërua: Do kërkojë me rigorozitet zbatimin e ligjit për arsimtarët dhe zgjedhjet. Po kështu edhe infermierët. Edhe korporata elektro-energjetike është përdorur në zgjedhjet e kaluara. Edhe lejet e legalizimit janë përdorur”.

Ju thatë se pa largimin e Ramës nuk do negocioni me PS?
“Unë mund të them se përveç vullnetit të drejtuesve të PD për të marrë pjesë në zgjedhje, Basha kishte këtë tezë. Pra do krijonte kushtet për të marrë pjesë në zgjedhje”.

Lindi atë natë marrëveshja?
“Ndikim pati përfaqësuesi i qeverisë amerikane tek dy palët. Zotëria thelbin e tha tek mediat. Pasi ua tha juve, na i tha neve. Ai tha se i njohim meritë opozitës për denoncimin e korrupsionit, por ne nuk i dimë motivet për bojkotin e zgjedhjeve nga opozita. Bazuar në këtë platformë u takuam me opozitën. Ai solli paketën McAllister të përmirësuar”.

Të tipit?
“Për shembull zëvendëskryeministri. Në paketën McAllister kishte ndryshime të qarta. Pjesa parësore është propozuar nga Basha-Ramës. Pra, unë kur erdhën këto letrat, i them ambasadorit amerikan, fut dhe këto propozimet për ministrat teknikë dhe të tjerat”.

Pra ju jeni kumbari?
“Jo unë kam mbështetur marrëveshjen”.

Vetingu ka qene pjesë e amerikanëve?
“Po ka qenë, pasi ai e përmirësoi tek paketa McAllister. Rama kujtoi se ne nuk do e pranonim atë paketë. Ajo iu dha edhe Ramës edhe Bashës. 3 propozimet ishin McAllister, por ishte dhe një propozim i Ramës. Unë i them nxirre dhe propozimin e Bashës. Kur ne pranuam paketën e zyrtarit amerikan, kjo e kapi Ramën në befasi dhe ai e refuzoi. Rama bëri një gafë gjysmë fatale. Nëse paketa u dha merre ose lere pa ndryshime, Rama shkroi paketat e tij duke hedhur poshtë paketën e tij. Basha i qëndroi plotësisht paketës. Çfarë ndodhi nga takimi i Elbasanit deri në atë në Tiranë, atë nuk mund ta thotë kush. E vërteta është se Rama kaloi tunelin sikur kaloi ylberin. Pra ndërroi gjini”.

Ju nuk kishin dijeni që ai do vijë?
“Po ai nuk kishte konfirmuar pjesëmarrjen”.

Rama nuk ka qenë në ndonjë presion të madh, pasi ndërkombëtarët kanë thënë se do i njohin zgjedhjet edhe pa opozitën. Mos ka qenë opozita në presion?
“Të dyja palët kanë qenë në presion. Zyrtarisht ambasadori, por jo vetëm mua, por edhe liderët e opozitës u ka thënë se ne nuk jemi kundër qeverisë teknike. Amerikanët ruajtën mundësinë e fundit. Ata do bënin deklaratë nëse opozita do refuzonte marrëveshjen që zyrtari amerikan propozoi. Merita ishte se qeveria amerikane mbajti një qëndrim të diferencuar dhe kjo ndihmoi”.

LSI tha se nuk shkojë në zgjedhje pa opozitën. Ju u zhgënjyet nga fakti se ata u futën në zgjedhje?
“Unë nuk kisha dyshim që LSI do shkonte në zgjedhje. Kjo e presidentit në konceptin tim i takonte mazhorancës. Unë kam përzgjedhur 3 presidentë dhe nuk mund të mos i njihnim mazhorancës të drejtën për të zgjedhur presidentin”.
Me çfarë e këmbeu PD kushtin me largimin e Ramës kryeministër?
“E shkëmbeu me fundosjen e Rilindjes. Rama u tmerrua nga shikimi i vërejtur i paqes. Raporti i tij me paqen ishte një tmerr pa fund”.

Rama vijon të jetë kryetar i organizatës kriminale?
“Ka mbetur ndonjë korruptor, por Ramës nuk i heq asnjë akuzë. Por ai bëri atë që nuk e bënte kurrë një kapiten. Ai lësho e lësho varrosi Rilindjen për të shpëtuar lëkurën e tij”.

Jeni pro një koalicioni PD-PS?
“Unë nuk e kuptoj në atë mënyrë. Unë nuk jam për koalicionet e mëdha personalisht”.

Pra është një paralajmërim?
“Nuk është kompetencë e imja kjo, por unë gjykoj se ky model nuk shkon. Në Gjermani kanë transparencë dhe treguesit e demokracisë i kanë më të arrira. Dialogu është jetik. Unë nuk di të ketë plan për koalicion”.

Është një pikë që është diskutuar atë natë të marrëveshjes pjesa e koalicionit?
“Në dijeninë time jo. Opozita nuk ka pasur si qëllim bojkotin e zgjedhjeve”.

Rama ka thënë se këta ministrat që ka propozuar PD nuk do kenë mundësi të bëjnë tenderë, çfarë roli kanë këta?
“Deklarata të tilla janë gafa. Ata nuk mund të shkarkojnë njeri dhe të emërojnë njeri në kundërshtim me ligjin. Gjithçka rrjedh në përputhje me Kushtetutën”.

Çfarë do bënit ndryshe ju atë natë sa i takon marrëveshjes?
“Mendoj se Basha me atë marrëveshje përfaqësoi me shumë sukses aspiratat e opozitës në çadër. Kanë bërë një përpjekje që administrata të mos implikohet në fushatë. Ndryshimi i ministrit të Brendshëm përbën një ndryshim të madh. Një gazetar më ka thënë se në Gjirokastër nuk hapnin gojën për drogën. Drejtori i policisë duhet të japë dorëheqjen vetë me këtë që i bëri vendit”.

Është hera e parë që ju jeni i paqartë për të ardhmen tuaj politike. Zërat thonë se ju nuk do jeni edhe pjesë e grupit parlamentar. Mund të jeni pak më të qartë për të mësuar fatin tuaj politik?
“Fatin tim politik e kam përcaktuar njëherë e mirë. Jam deklaruar se nuk mbaj asnjë funksion tjetër përveç deputetit. Deputetin e mbaj deri në momentin që mund t’i shërbej”.
Sigal