Berisha: Po u arrestua Saimir Tahiri, Rama merr fund

633
Ish-kryeministri flet për çështjen e drogës, hetimin e ish-ministrit të Brendshëm, negociatat me BE dhe zhvillimet politike në mazhorancë
Ish-kryeministri Sali Berisha i ftuar në “360 Gradë” në “Ora News”, u shpreh se marrëdhënia midis kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, është ajo tipike mafioze, duke renditur disa dosje që sipas Berishës, ia di Tahiri, Ramës.

Mendoni se do të hapen negociatat me BE?
“Shqipëria është sot delja e zezë, vendi i damkosur për rekordet më të zeza të instaluara nga Edi Rama. Shqipëria edhe pas 4 vitesh rrezikon të përsërisë rekomandimin e 2016-s. Dmth nuk hapen negociatat, por merr dhe këto detyra. Kjo përbën një problem shumë madhor për Shqipërinë. Shqipëria sot është më e përçarë se kurrë. Edi Rama ka futur në vend një përçarje veri-jug, as zoografi nuk mund ta ketë bërë. Sepse ka përjashtuar tërësisht veriun nga investimet”.

Gjermania ka shprehur hezitim…
“Nuk ka ndodhur kurrë që Bundestagu të bojkotojë një kryeministër. A ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Bundestagut që t’i bojkotohet darka një kryeministri? A ka ndodhur ndonjëherë që ta nxjerrin jashtë në foton familjare me zv/Presidentin e Shteteve të Bashkuara sepse u paraqit si pallavesh me këpucë të kuqe. Protokolli është respekti maksimal ndaj popullit që përfaqëson”.

Kishte dhënë intervistë ish-shefi i SHIK, Fatos Klosi, dhe thotë se Izeti ka të vërtetën e tij dhe ndoshta vjen dhe për të ndriçuar atë që ndodhi në ’98.
“Fatos Klosi në historinë e këtij vendi përbën një nga kriminelët, një nga vrasësit, pasi është implikuar në vrasje, ai është i njohur. Nëse ke dyshim të sugjeroj të lexosh një shkrim të Kris Hids, ku bën portretin e plotë të Fatos Klosit. Ndërsa unë kam denoncuar me fakte dhe dokumente, makinën plot drogë në oborrin e zyrës së Fatos Klosit kur ishte shef i Shërbimit. Ishte kokainë. U njoftua Antidroga e Ministrisë së Brendshme se po vinte në Rinas, doli ç’të shihte. Drogën e mori oficeri i SHIK në makinën e SHIK. Iu vunë mbrapa dhe droga bashkë me makinën shkoi në zyrën e Fatos Klosit”.

Ka pasur bashkëpunim shumë të mirë me shërbimet aleate për çështjen e Kosovës…
“Shërbimet Inteligjente kanë bërë vlerësimin e tij në analizën e Kris Hids për Fatos Klosin që nuk e gjen kurrë për njeri tjetër dhe në gazeta të njohura në botë. Aty thuhet: Njeri i trafiqeve, njeri i lidhur me bandat, njeri i të gjithë të zezave. Për Sali Berishën ka qenë i ndjekur, agjent i shërbimeve të huaja me dokumente. Emërimi i tij është bërë në thyerje flagrante me Kushtetutën”.

Mund t’u hedhë në gjyq…
“Ia kam thënë 100 herë këto gjëra. Dëshmia e Sali Berishës ka qenë thelbësore në ato çështje ku kishte një prokurorë ndërkombëtare, ai gjyq është bërë nga prokurorë ndërkombëtarë të sjellë nga OSBE, po flas për gjyqin e Azem Hajdarit. I vëllai i mikut të Edi Ramës ka pranuar, ka bërë 15 vite burg dhe ka dalë nga burgu. Ka dhe një libër ku i pranon të gjitha. Përpjekja e Edi Ramës me lujt me krimin dëshmon mjerimin e tij më ekstrem. Kjo është”.

Pse vetëm ju dhe asnjë nga opozita keni guxim kaq të madh?
“Ka pasur denoncime, krerët e opozitës i kanë përmendur. Por derisa ata kanë mbështetje pushteti unë qëndroj fuqishëm kundër tyre dhe pushtetit. Nëse nuk do të kishin mbështetje pushteti do të merrej drejtësia me ta dhe nuk do të ishte punë e politikanëve”.

Po ju keni një mbrojtje të fortë.
“Absolutisht asnjë mbrojtje dhe të jesh i bindur se nuk më impresionon gjë mbi tokë. Nuk i them kurrë kujt diçka që nuk e ka kryer por po ta ketë kryer nuk impresionohem nga njeri, asnjëherë”.

Si e shikoni marrëdhënien Rama-Tahiri?
“Marrëdhëniet midis tyre janë marrëdhënie tipike të kioskave mafioze që vënë në hipotekë kokat e tyre. Edi Rama, skllav i informacioneve dhe dosjeve që Tahiri ka për të që nga dosja Xibrakës. Olsi Rama ka kaluar mbi 5 herë kufirin me makinën e drogës të grupit të Xibrakës. Ekzistojnë kilometra biseda të Edi Ramës me grupin e Xibrakës që Saimir Tahiri i ka të gjitha. Tahiri di se kush e urdhëroi dhe kush i dha platformën e kanabizimit të Shqipërisë. Di kush çonte valixhet me euro tek Edi Rama. Tahiri di kush urdhëroi që të fshihte urdhër-arrestin e Mark Frrokut, Tahiri di kush urdhëroi për t’i çelur shtegun në Kroaci Arben Frrokut. Saimir Tahiri di kush urdhëroi lirimin e Bardhok Pllanës kur e ndaloi policia në Laprakë. Tahiri di për Edi Ramën pothuajse sa di Rama për veten. Tahiri di se ç’bëri Rama me killerin e Luiza Xhuvanit. I di të gjitha këto. Edi Rama bëri aktin më të paimagjinueshëm në historinë e Shqipërisë; bllokoi arrestin e tij, pasi Saimir Tahiri kërcënoi në një studio. Sulmoi ashpërsisht prokurorët e çështjes që kishin të dhëna nga dosja e Katanias. Edi Rama bllokoi integrimin e Shqipërisë. Kisha bindjen se nuk ka ndërgjegje të vërtetë politike që të japë dritën jeshile për një vend, i cili ministrin e ka të implikuar në trafiqe, Edi Rama dëshmoi se ishte krye-peshku. Mbi këtë bazë liroi Sotën. Ka qenë Saimir Tahiri në veturë. Ato 800 mijë euro janë një e treta që kanë qenë në makinë. Saimir Tahiri i thotë Edi Ramës ditën e dorëheqjes së mandatit; ke blerë media, portale dhe sondazhe. Ka blerë ambasadorë dhe deputetë të huaj. I ka thënë njeri në 27 vjeç këtë? Është njeri që ka informacione. Për të gjitha këto, gazetarja pyet Edi Ramën në emision TV, një akt dinjitoz. Harroi Arben Ndokën që dorëzoi mandatin. A guxoi t’ia kthejë qoftë edhe një presje. As edhe një presje. Edi Rama vetëm me këtë çdo njeri që e analizon e nxjerr skllav të Saimir Tahirit. Ai e bëri duke i dhënë një mijë garanci Saimir Tahirit. Koha ka dinamikën e vet dhe mund t’i mbajë, Edi Rama shpëton veten, mundet që edhe kupa t’i përmbyset dhe Saimir Tahiri ia numëron. Morali është që po fole ti, do të flas në gjyq”.

Pse nuk po veprohet tashmë ndaj Tahirit?
“Po u arrestua Saimir Tahiri, Rama mori fund. Nuk pret sunamin popullor që t’i vijë, nuk pret Saimir Tahiri”.

Ndërmjet Merkelit e Tahirit, kë do të zgjidhte Rama?
“Rama zgjedh Tahirin, se Tahiri e varros Ramën. Po u arrestua Saimir Tahiri, Rama merr fund”.

Megjithatë nuk ka një frymë kundër për të larguar Ramën?
“Uraganit dhe furtunës popullore nuk ka kalbësirë që i shpëton. Ia ngritën rrënjët për një javë në Armeni. Ka qenë njeriu i pavarësisë së tyre. Ka një pakënaqësi të jashtëzakonshme. A e pe si ishte në Lezhë sikur kish dalë nga arkivoli nga frika. Sot në Laç. Sunami popullor nuk ka gjë në botë që e ndalon. A e di ku iku në mitingun e fundit? Familjen e çoi në Voskopojë. Vetë u zhduk si ajo e pulës. Tani po arrin në temperaturë vlimi. Tani është pika e përmbysjes”.

Keni akuzuar përfshirjen e familjarëve të kryeministrit në disa projekte…
“Rruga e Arbrit nuk e di kush që aty fle edhe Gaz Demi brenda dhe ku fle Gazi fle dhe Olsi”.

Edhe Rruga e Kombit ka qenë e përfolur.
“Jo. Rruga e Kombit u ndërtua nga kompania që ka ndërtuar La Manshin dhe e ka renditur në një nga ndërtimet më kryesore të saj për vështirësitë që kishte rruga. Ky pasi nuk e voli dot kompaninë kineze dhe e përzuri u kthye tani tek çeku 1 miliard për të mos bërë asgjë por për të vjedhur. 5 vite i la tre qarqe me investime 40% më pak se qarku i Fierit. Pasi nuk pranohej më në veri, Shkodra e refuzoi, Lezha ia përplasi turinjve, për ty është i tha shëndetësia falas, por ne paguajmë sa frëngu pulën, për ty fshati nuk ekziston. Nuk e përmend se nuk e lënë atletet e kuqe. Kalimashi dhe Kukësi ia dhanë leksionin historik, sot (dje) Laçi. Nuk ka pasur kurrë një kryeministër që të ketë urryer gjysmën e Shqipërisë si Edi Rama”.
Sigal