Berisha përshëndet hoxhë Osman Musliun: E fali Kurban Bajramin me kostum kombëtar! Nderim! Respekt!

85

Nga Sali Berisha. 

Hoxhë Osman Musliu e fali Kurban Bajramin i veshur me kostum kombëtar!

Duke shprehur nderimin dhe respektin tim të veçantë për mbarë klerikët myslimanë shqiptarë, për punën e tyre të çmuar dhe të palodhur për ndriçimin e mendjeve dhe ushqimin e shpirtrave të besimtarëve myslimanë shqiptarë me parimet hyjnore të fesë Islame, mësimet e ndritura të profetit Muhamet, sot dua të përshëndes përzemërsisht Hoxhë Osman Musliun, i cili udhëhoqi në xhaminë e tij në Drenas, faljen e Kurban Bajramit, i veshur me kostum kombëtar, sikundër, përshëndes të gjithë ata klerikë, që mbështesin leximin e Kuranit para besimtarëve vetëm në gjuhën shqipe.

Vendimi për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe ishte njeri nga vendimet më të para dhe më të rëndësishëm të themelimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Unë jam i bindur se Islami shqiptar si Islam europian, mund të luajë një rol të jashtëzakonshëm në interpretimin teologjik dhe realizimin praktik të parimeve të fesë islame në përputhje me vlerat e mëdha të kombit tonë dhe të jetë një frymëzim edhe për të tjerët.

Krijuesi është Një dhe i Gjithëfuqishëm, ai nuk është as arab, as turk, as pers, indian apo indonezian. Ndaj dhe është në detyrën hyjnore të klerikëve myslimanë mendjendritur shqiptarë që të zhvillojnë, elaborojnë, mbrojnë me guxim dhe largpamësi, Islamin shqiptar, në përputhje me parimet e Xhamisë së Pavarur Shqiptare, trashëgimi dhe arritje kjo historike e kombit tonë.

Megjithë respektin e palëkundur që unë kam për kulturën dhe civilizimin e kombeve të tjera me shumicë myslimane, uroj që kleri mysliman shqiptar të bëjë çdo përpjekje për ç’arabizimin, ç’turqizimin, ç’otomanizimin, ç’saudizimin, ç’gylenizimin dhe ç’erdoganizimin e Islamit shqiptar, i cili është dhe duhet të mbetet një Islam europian i lidhur pazgjithshmërisht me kulturën dhe civilizimin europian të kombit tonë.