Berisha paralajmëron ish-ushtarakët: Nëse protestoni, do humbisni statusin e pensionin

443
Sigal

Zbardhet vendimi për SHQUP, qeveria i jep PD-së dhe Shtëpinë Ushtarake në Fier

Qeveria zbardhi dje  në faqen e saj zyrtare në internet  të Kryeministrisë vendimin për Shtëpinë Qendrore Ushtarake Popullore (SHQUP). Përveç godinës së SHQUP që i kalon si seli e PD-së, një vendim i ngjashëm është marrë dhe për Fierin, ku Shtëpia e Ushtarakëve i kalon për zyra PD-së, dega Fier.

V endim për SHQUP

Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga ministria e Mbrojtjes te ministria e Brendshme, të pasurisë së paluajtshme “Shtëpia Qendrore e Ushtrisë”, më qëllim pajisjen e subjektit PD me ndërtesë për seli qendrore

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 22, shkronja “b” e 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, dhe të neneve 8, pika 3, 13 e 16, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Brendshme, të pasurisë së paluajtshme, të konfirmuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, me emërtimin “Shtëpia Qendrore e Ushtrisë”, me numër rendor 32, përkatësisht sipas formularit që i bashkëlidhet këtij vendimi, miratuar me vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar”.

2. Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.

3. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, brenda datës 20.8.2013, të përfundojë procedurat e marrjes në dorëzim të pronës.

4. Ministri i Brendshëm të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me subjektin politik Partia Demokratike e Shqipërisë.

5. Ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”.

Më tej Berisha, duke iu drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami theksoi se nëse bëhen protesta nga ushtarakët lidhur me këtë vendim qeverie, atëherë çdo ushtarak do humbasë statusin që gëzon dhe deri pensionin e ushtarakut. Berisha: “Nëse dalin në protestë në shkelje të statusit një nga një do humbin statusin. Do e humbin dhe pensionin.”

Për Fierin

2-Për dhënie mjedisesh PD-së, për zyra vendore në Fier 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të neneve 22 e 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, si dhe të pikës 3, të nenit 8, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kati i pestë i ndërtesës me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, me vendndodhje në Fier, t’i jepet për mjedise Partisë Demokratike të Shqipërisë, për zyra vendore në Fier, të Qarkut të Fierit, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ministri i Brendshëm të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me Partinë Demokratike të Shqipërisë, në përputhje me nenet 22,, shkronja “b”, dhe 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, të ndryshuar, për periudhën derisa partia politike plotëson kushtet e parashikuara në këto nene.

3. Ngarkohen ministri i Brendshëm dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

Berisha, “këshilla” Ramës dhe ministrave të rinj

Kryeministri Sali Berisha në ditët e fundit në mbajtjen e kësaj detyre ka zgjedhur të japë “leksione” për ushtrimin e këtij posti nga pasardhësi i tij. Duke folur për uljen e kreditimit të biznesit, Berisha e justifikoi këtë me deklaratat e papërgjegjshme – siç theksoi ai – të Kryeministrit të ardhshëm. Berisha tha se, sulmet e kreut të PS-së ndaj koncesioneve dhe biznesit në përgjithësi kanë trembur investimet. “S’kanë si marrin kredi, kur nga mëngjesi deri në darkë sulmon biznesin dhe koncesionet. Një njeri që pas dy javësh apo kur i takon, do të ulet në këtë karrige vjen dhe sulmon nga mëngjesi deri në darkë koncesionet, aktet tregtare, transaksione, natyrisht biznesi thonë mos të hyjmë në borxh. Zoti na ruajt çdo të jetë ky njeri. Po nuk është normale. Asgjë nuk trembet më shumë se sa paraja, është e njohur ajo”, u shpreh Berisha gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e qeverisë. Kryeministri në largim vazhdojë më tej duke folur për “konfliktet” brenda PS-së dhe i kërkoi Ramës të jetë më i kujdesshëm në luftën politike. “Ky ka marrë ka nxjerr shpatën, po merret me të vetët. Bregu mavi që u festua para dy vjetësh po na del bregu mavri tani. Dy vjet më parë festuar nga Velipoja në Ksamil tani na del se është fatkeqësia e bregut. Kjo është lule në krahasim me ato që do të dalë shumë shpejt. Ndaj dhe i bëj thirrje të jetë i kujdesshëm luftën politike me kundërshtarin ta bëjë si të dojë, por luftën politike të mos e shtrijë në fushën e biznesit, se biznesi është vende pune është të ardhura, pa të cilin makineria e shtetit paralizohet”, u shpreh ai. Më tej, Berisha sulmoi ish-Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani që në qeverinë e re pritet të mbajë postin e Ministrit të Financave. “U çon mesazhe punonjësve të bankës ku e keni makinerinë që pret para për qeverinë. Ai ka një ish-guvernator në ekip, por koha e tij duket se është kur ishte zv.kryeministër i Partisë së Punës së Shqipërisë se atëherë duket priteshin paratë me urdhër të partisë. Dhe tani kërkon makinën që pret paratë për qeverinë. Makina që pret para për qeverinë or zotëri janë disiplina e administratës, mbledhja e të ardhurave në dogana në tatime dhe në shitje këto janë burimet. Janë gjëja më transparente që ekziston. Sa rrinë kërkon poshtë e përpjetë makinë ku priten paratë më mirë të mësojë burimet ligjore të krijimit të të ardhurave. Injoranca nuk është asnjëherë argument”, tha Kryeministri në largim. Në fund Berisha dha edhe porosinë e fundit për anëtarët e Këshillit të Ministrave. Ai u kërkoi ministrave që të dorëzojnë në mënyrë korrekte detyrën duke thënë se për pasardhësit e tyre duhet lënë dosja e projekteve që nuk janë finalizuar ende. “Kërkoj që pasardhësve tuaj t’u lini në tavolinë listën e të gjitha projekteve në vazhdim. Mos harroni se në këtë karrige ulen njerëz që nuk dinë të lexojnë as dosjet dhe thonë pastaj nuk gjetëm dosje, prandaj ju do merrni një kopje me vete të dosjes dhe një tjetër do ta lini në drejtorinë përkatëse. Por, kjo do bëhet ne kemi detyre ndaj qytetarëve. Ata i kanë votuar dhe ne i respektojmë. Po të duan t’u venë vizë, kryq çfarë të duan por kjo është puna jonë.