Berisha: Nuk jemi qeveri kujdestare, as në detyrë por me një mandat të plotë kushtetues

66

Berisha i është përgjigjur edhe akuzave të socialistëve se qeveria është një qeveri kujdestare dhe nuk duhet të marrë vendime. “Ka një debat që ka në bazë injorancë dhe revanzhin lidhur me vendimet e kësaj qeverie. Kushtetuta ka vendosur në mënyrën më precize se kur mbaron mandati i një qeverie dhe kur fillon ai i një mazhorance të re. Kushtetutat evropiane dhe botërore nuk njohin asnjë kufizim të qeverisë nga dita e parë deri në ditën e fundit. Kushtetuta i jep qeverisë shqiptare katër vjet ditë më ditë për të ushtruar mandatin. Nuk ekziston koncepti “qeveri kujdestare”; është vetëm në Bangladesh ku me Kushtetutë ata kanë vendosur që qeveria kujdestare të jetë ajo e paszgjedhjeve gjer në dorëzimin e mandatit. Të gjitha të tjerat nuk kanë përcaktuar në Kushtetutë përfshirë këtu edhe vendimet më të mëdha që mund të marrë një vend apo komb. Ata që bëjnë fjalë për qeverinë në detyrë tregojnë injorancën në detyrë. Ajo është qeveria e një kryeministri të dorëhequr, qeveria e të cilit qëndron aty deri në zgjedhjen e tij” theksoi kryeministri Berisha.

 Basha: “Do të mbrojmë çdo punonjës të administratës që do të largohet në mënyrë abuzive nga puna”

 Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e Partisë Demokratike, para anëtarëve të kësaj partie, në Korçë, Librazhd dhe Pogradec. Zoti Basha u ka bërë thirrje demokratëve, që bazuar në vlerat dhe përvojat më të mira, të bashkohen për të rikthyer PD, në udhëheqje të ëndrrës së Shqipërisë së zhvilluar evropiane, aty ku e presin shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve. “Si mund të respektojmë problemet, hallet, kontributet e shqiptarëve, nëse nuk njohim dhe vlerësojmë meritat e njeri – tjetrit në mënyrë të barabartë, proporcionale, të drejtë dhe transparente. Bazuar në vlerat dhe përvojat tona më të mira, të bashkohemi për t’u përballur edhe njëherë me Edi Ramën, për ta mundur, për ta çuar në opozitë dhe për të rikthyer PD-në, aty ku e kërkon destinacioni ynë historik, aty ku e presin shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve të ndershëm, në udhëheqje të ëndrrës së Shqipërisë së zhvilluar europiane”theksoi z. Basha. Duke nënvizuar mentalitetin anti – shtet të mazhorancës së re, zoti Basha ka theksuar se në drejtimin e tij, Partia Demokratike do të jetë gati që në javën e parë, për të ngritur mekanizmat e nevojshëm për të mbrojtur çdo punonjës të administratës nga largimi antiligjor nga puna. Partia Demokratike është gati që sot, të përballet në çdo rast abuzimi me pushtetin dhe goditje të administratës publike dhe shërbimit civil, në mënyrë që për çdo rast t’u ballafaqojmë atyre faturën ligjore dhe detyrimin për t’i rikthyer në punë, faturën financiare dhe detyrimin për t’i dëmshpërblyer moralisht dhe materialisht dhe faturën morale dhe politike, për çdo akt abuzimi mbi vlerën e krijuar shoqërore të administratës publike dhe shërbimit civil në Shqipëri”.

Sokol Olldashi  “Përfaqësimi politik t’i rikthehet anëtarësisë!”

Sokol Olldashi do të luajë si sulmues përballë Edi Ramës nëse do të zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike. Në vijim të takimeve në Vlorë, Sarandë dhe Delvinë, Olldashi tha se Partia Demokratike nuk duhet të presë që Edi Rama të bjerë vetë nga pushteti, por duhet rrëzojë atë. Nga Vlora, Olldashi deklaroi se Partia Demokratike duhet të ndërtojë një platformë për t’u rikthyer shpejt në shumicë qeverisëse, duke përdorur si potencial opozitar të gjithë kontigjentin e qytetarëve që preken nga mashtrimet e  kundërshtarit politik, i cili ende pa marrë pushtetin rrëzoi boshtin e premtimeve  elektorale. “ Ne, këtë duhet ta kthejmë në potencial opozitar, duhet të trokasim në çdo derë biznesmeni të vogël dhe t’i themi zotëri të gënjeu, hajde me ne në opozitë. Rrëzoi premtimin për shëndetësinë falas, duhet t’i drejtohemi të gjithë atyre që e besuan këtë premtim dhe t’i themi zotëri ju gënjeu, hajdeni me ne në opozitë. Duhet t’u drejtohemi të gjithë atyre që i mashtroi për legalizimet dhe t’u themi, zotërinj ju gënjeu. Pa ardhur akoma në pushtet, nuk nisi me legalizimet, por nisi me shkatërrimet, ejani me ne në opozitë.:- tha Olldashi. Ndërkohë, Sokol Olldashi ritheksoi përcaktimin e qartë të terrenit politik në Shqipëri, për të mos lejuar asnjë “lojtar mesi” që luan në fashën e elektoratit të pavendosur. Demokratët- tha Olldashi nuk kanë kohë për të pritur, misioni i tyre është i qartë, rrëzimi  i Edi Ramës, në përballjen  më të parë elektorale, në zgjedhjet e 2015-ës. “ Partia Demokratike ka të gjithë potencialin profesional, politik, intelektual për t’u përballur me kundërshtarin dhe për ta shkërmoqur. Ne duhet të kuptojmë që detyra jonë, nuk është që të presim që Edi Rama të bjerë, detyra jonë është që ta rrëzojmë Edi Ramën, një ditë e më parë.”- tha Olldashi.  Në  takimet me anëtarët dhe drejtuesit politikë të PD-së në Delvinë dhe Sarandë , Sokol Olldashi foli edhe për riformatimin e strukturave politike duke kërkuar rikthimin e përfaqësimit politik tek anëtarësia. “Përqendrimi i vendim-marrjes vetëm në duart e grupeve të punës, nuk është funksional, sepse mbyll rrethin më shumë. “Ne kemi nevojë të kalojmë në një mekanizëm të ri, që do të bazohet tek kuotat elektorale të secilës degë dhe përzgjedhja nominale për administrimin e kësaj kuote  duhet të bëhet nga dega dhe jo nga grupi i punës”. Olldashi  përforcoi deklaratat se rikthimi i vendim-marrjes politike dhe administrative, nga grupet e punës tek strukturat bazike, korrigjon një proces me peshë në jetën e brendshme politike të PD-së, pasi iu kthen pushtetin, degëve të Partisë në rrethe.