Berisha: Negociatat do t’i hapë PD, Rama flet me ‘kokën’ në tepsi

462

Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha ka sjellë në seancën e sotme të Kuvendit, mënyrën sesi ai e lexon rekomandimin e KE për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ai thotë se nëse raporti lexohet siç duhet, atëherë është e qartë se sipas tij “negociatat do t’i hapë PD”. Kjo deklaratë nga ngjallur reagime dhe ovacione në sallën e Kuvendit, kur deputetët socialistë thirrën njëzëri “Aldo, Aldo”.

Sakaq, Berisha tha se kryeministri Edi Rama sot “foli me kokë në tepsi”, duke ditur sipas tij në situatën ku ndodhet pas publikimit të raportit.

“Mendja, zemra dhe shqetësimi im është tek ata mijëra qytetarë që përjetojnë ditë shumë të vështira nga kjo përmbytje. Nuk ka qenë katastrofale në hektarë, por ka marrë jetë njerëzish, dhe ka qenë nga më shkatërrimtarët të infrastrukturës. Nga lumi i Zi në Tropojë e deri në Pogon e Koshovicë, ka me tonelata gurë të rrëzuar, ura të shkatërruara, ndërkohë që ajo rri e krihet në parlament, e nuk ka dhënë asnjë qindarkë për ta. Sot vendi nuk ka qeveri. Dëshmia më flagrante e kësaj është fjalimi me kokë në tepsi që mbajti kufoma e pakallur që quhet kryetar qeverie sot. E kuptova mirë hallin e tij, e ka të qartë se e ka kokën në tepsi nga ky raport, i cili në çdo rresht, në çdo fjalë, e çdo kapitull i thotë se me ty nuk ka negociata. Se negociatat do t’i hapë PD, do t’i hapë opozita.

Hapja pa kushte e negociatave ishte kërkesë e jona. Shqiptarët po presin me padurim të lajnë duart nga kjo qeveri që është bërë simbol i plehut. Do kisha dashur shumë sot që ky rekomandim të ishte vendim për hapje negociatash. Në këtë vend dy vite më parë kancelarja e Gjermanisë i tha një fjalë, negociatat do të hapen kur ju të votoni, dhe të zbatoni reformën, dhe ne të bindemi sesi po e zbatoni atë. Në mënyrën më serioze, Merkel dha të qartë kërkesën e Europës dhe e bëri këtë në Tiranë. Bëtë gjithçka që kjo të mos ndodhte.

Çdo shqiptar që e lexon rekomandimin, e ka të qartë se është meritë e opozitës e cila votoi reformën. Do të duhen të paktën nja dy vite për të hapur negociatat, domethënë do t’i hapë PD. Kukan tha se zgjedhjet janë testi bazë i transparencës së demokracisë. Duhet të jesh i verbër të mos dish të lexosh rekomandimet”, tha Berisha.