Berisha në opozitë: Eksod masiv i mjekëve nga Shqipëria

530
Ish-kryeministri Sali Berisha dha dje alarmin për largimin e një numri të madh mjekësh nga vendi, duke akuzuar qeverinë për mënyrën e trajtimit të tyre. “Urdhri i Mjekut njofton se sistemi ynë shëndetësor është në një rrokullisje të madhe. Ai po përballet me eksode masive, si kurrë ndonjëherë më parë të mjekëve nga vendi”, shprehet Berisha. Sipas tij, në 18 muaj, nga Shqipëria janë larguar 270 mjekë, nga të cilët 145 janë larguar gjatë vitit të kaluar dhe 125 të tjerë kanë ikur në 7 muajt e parë të këtij viti. “Ndërkohë në një seri rrethesh në periferi të vendit mungojnë specialistët për fëmijët, gratë dhe fusha të tjera kryesore. Shkaku i kësaj braktisjeje të madhe të vendit nga mjekët janë rrogat e tyre që u ngrinë për tre vite me radhë, instalimi i sistemit të megakorrupsionit nga Rama-Beqja dhe kërcënimet e përsëritura të jetës së tyre”, u shpreh Berisha. Ai dënoi sjelljen qeveritare dhe vlerësoi se kemi të bëjmë me një këmbanë alarmi për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. “Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe qeverinë, që me politikat dhe qëndrimet e saj ka shkaktuar këtë rrokullisje, theksoj gjithashtu se këto të dhëna janë një kambanë e vërtetë alarmi për shëndetin dhe jetën e qytetarëve të të gjitha moshave të Shqipërisë”, tha Berisha.

Ish-kryeministri Berisha mbetet aktiv me denoncimet e tij në rrjetet sociale, ndërsa Partia Demokratike ende nuk ka përcaktuar sjelljen e saj gjatë mandatit parlamentar, që do të nisë zyrtarisht në fillim të shtatorit. Pas humbjes së zgjedhjeve, PD nuk ka përcaktuar drejtuesit e grupit parlamentar dhe fushat kryesore të linjës opozitare, ndërsa është deklaruar edhe një riorganizim i brendshëm. 
Sigal