Berisha në Fier: Rama shkelmoi statusin njësoj si marrëveshjen me Petro Koçin

442
Sigal

Kryetari i PD-së çeli dje  fushatën elektorale në qarkun e Fierit, ku dhe prezantoi skuadrën e tij të deputetëve për garën e 23 qershorit.

Nga qyteti, me Këshillin e të cilit opozita e kushtëzoi me bllokimin e tre ligjeve në parlament, lideri i mazhorancës Sali Berisha akuzoi kryesocialistin Rama si shkelmues të ëndrrës dhe të ardhmes evropiane të shqiptarëve. “Qytetarë të komuniteteve që përbëni këtë qytet të mrekullueshëm. Ndjehem i nderuar dhe mirënjohës ndaj jush për këtë pritje të përzemërt. Kam nderin tu paraqes kandidatët për deputetë për këtë qark, përfaqësues të vlerave tuaja më të mira. Jam para jush për tu dhënë fjalën se këta do të jenë përfaqësuesit jo të PD, por tuajt, të çdo qytetari, interesave fisnike. Do bëjmë gjithçka tu japim përgjigjen më të mirë interesave tuaja, problemeve tuaja, unë e di se këto vite së bashku kemi arritur ndryshime të mëdha, të pamohueshme , në këto vite me përkushtimin tuaj ne ia dolëm të marrim pasaportën më të shkëlqyer të historisë sonë, anëtarësimin në NATO. E dimë që e ardhmja më e bukur për ju është të shihni veten qytetarë të BE. Në vlerësimin tim nuk ka ëndërr më fisnike se kjo. KE la tre ligje për tu miratuar për të cilat me ndërmjetësimin po të tij ishte rënë dakord për ti kaluar. Lideri i opozitës mori përgjegjësinë të shkelmojë mbi një interes jetik të qytetarëve me atë lehtësi që shkelmoi marrëveshjen me Petro Kocin. 23 qershori vjen, të gjithë së bashku do të dimë të votojmë për të ardhmen tonë evropiane, për statusin kandidat, hapjen e negociatave në BE” tha Kryeministri. Kryeministri vlerësoi se qytetarët shqiptarë  përpara kutive të votimit do ta kenë  të qartë dallimin mes dy modeleve dhe filozofive, asaj të vlerave të qytetarit nga aleanca e djathtë dhe  modelit të shpifjes dhe mashtrimeve në kampin e kundërshtarit. “Alternativa jonë bazohet në lirinë tuaj. Cila është alternativa tjetër? Është e atij që ka sy po nuk shikon, ka veshë po nuk dëgjon, alternativa e tij që është mbyllur në autobus dhe krijon një realitet të paqenë, përpiqen që t’ju nxijnë ju çdo gjë.  Midis tre ligjeve me të cilat hapej dera e shqiptarëve për statusin dhe katër partive komuniste që hyn për herë të parë në PS u zgjodhën partitë komuniste. Zgjedhja dëshmon qartë se cila është mendësia dhe mentaliteti për integrimin tonë perëndimor. 23 qershori është një zgjedhje e madhe mes modeleve, e atij që përpiqet me gjithçka për mirëqënien, punësimin e qytetarëve, atij modeli që do ta çojë Shqipërinë drejt Evropës” theksoi Berisha.

Duke u ndalur rreth asaj çka bërë në 8 vite kjo mazhorancë dhe asaj çfarë do të bëjë në një mandat të tretë, Berisha premtoi se katërvjeçari i ardhshëm do të kurorëzohet me projekte gjigande, ndërsa garantoi se qeveria do bëjë gjithçka për punësimin e çdo qytetari. “Në këto vite kemi ndërtuar mbi 100 km rrugë, kemi ndërtuar shkolla, qindra ujësjellsa, lamë prapa kohën e ndërprerjes me orë të tëra të energjisë, kemi dhënë grante për fermerët. Këto kanë qenë kohërat më të vështira për ekonominë evropiane dhe atë botërore, por djersa juaj dhe reformat tona kanë bërë të mundur uljen me 0,25% të papunësisë. Ne kërkojmë dhe do bëjmë gjithçka, të sigurojmë punë për çdo shqiptar. Nga taksa e sheshtë hoqëm taksat për çdo lloj kapitali, duke bërë që Shqipëria të tërheqë  më shumë investitorë të mëdhenj. Pas kaskadës së Devollit, së shpejti priten investime të tjera shumë të mëdha që do mundësojnë krijimin e dhjetëra e qindra vendeve të reja pune.  Këto vite ne hapëm një kapitull të ri në bujqësinë shqiptare. Ndryshimet janë,  por dhe më të mëdha duhet ti bëjmë ato. Në rast se financuam me grante 42 000 fermerë, ju garantoj se 4 vitet që vinë do financojmë trefishin e tyre. Kudo po ndërtojmë rrugë dhe do vazhdojmë ta bëjmë kudo ku ka shqiptarë. Dita po afron që ne të nisim projektin po kaq madhështor, projektin e vaditjes në të gjitha skajet e vendit. Ne do bëjmë gjithçka për mirëqenien e qytetarëve, rritëm rrogat dhe pensionet, do vazhdojmë ti rrisim, do bëjmë gjithçka që ju të keni një jetë më të mirë” përfundoi kryeministri Berisha.