Berisha: Në 5 muaj janë vjedhur 388.320.000 lekë të reja, vetëm me dy insulina

380
Ish kryeministri Sali Berisha, që denoncoi një javë më parë skandalin e vjedhjes së 150 miliardë lekëve nga fondi i ilaçeve te rimbursueshme, përmes një postimi në rrjetin tij Facebook, ka zbuluar skemën që përdorej për vjedhjen vetëm përmes insulinës. Në postimin e tij, Berisha shkruan se gjithçka kryhej nën kujdesin e ministrit te shëndetësisë Ilir Beqja dhe zbulon edhe emrin e një depoje farmaceutike.
“Këtu keni përmbledhjen e një Kontrolli që tregon se vetëm kompania pranë Ministrit Beqja ka vjedhur me rimbursimin e dy insulinave, nga nëntori deri në mars, plot 388.320.000 leke te reja. Kështu, përsa i takon rimbursimit të Insulinave, kemi të bëjmë me një vjedhje në vazhdimësi me ‎shifra të mëdha ‎për buxhetin e Fondit. Për të ‎treguar se sa është masa e abuzimit ‎po ju sjell s‎hembullin e dy insulinave më të përdorshme për tremujorin e parë të vitit 2015, e cila p‎araqitet e tillë:
1. Insulinë të thjeshtë bazë janë rimbursuar nga Fondi 41.000 pena, ndërkohë që janë shpërndarë nga depoja importuese vetëm 7.200 pena. Pra 33.800 pena janë rimbursuar me receta fiktive. Vlera totale e vjedhjes shkon ne 24.674.000 leke te reja. Kurse ne total, prej muajit nëntor 2013, shifra shkon 123.370.000 leke te reja. 2. Për një Insuline te përzier janë rimbursuar nga Fondi 80.000 pena ndërkohë qe janë shpërndare nga importuesi vetëm 13.000 pena, pra 67.000 pena janë rimbursuar me receta fiktive, me vlere totale prej 52.930.000 leke te reja. Abuzimi prej muajit nëntor 2013, kap vlerën 264.650.000 leke te reja.
Vetëm për këto dy insulina abuzimi kap shifrën 388.320.000 leke te reja. Vetëm për këto dy barna, kompania pranë Ministrit Beqaj, qe është lejuar te vjedhë ne shifrën 72.066.000 leke te reja vetëm ne tre muaj. Kurse për gjithë periudhën qe i është rimbursuar “Omegafarmes”, shifra vetëm për këto dy barna është plote 360.330.000 leke te reja”, shkruan Berisha.
Sigal