Berisha me sipërmarrës: “Politika e Ramës për taksat, absurde; do mbetet në kuti”

385
Sigal

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi pasditen e së martës një takim me sipërmarrësit në lagjen Kombinat të Tiranës. Kreu i së djathtës e ka shfrytëzuar bashkëbisedimin me biznesmenët për të rivënë në shënjestër të sulmeve taksën progresive të ofruar nga PS, vendosja e të cilës sipas tij, do të thotë falimentim i plotë i vendit. “Dy modele po përballen sot, modeli i taksës së ulët ose të 10-tave dhe ai i taksës së lartë apo progresive. Taksa progresive do të thotë para shumë më pak për investitorin, para më pak për kompaninë, pamundësi për rritje pagash, pamundësi krijimi vendesh pune. Do të thotë shkurtim i vendeve të punës. Ndërsa me taksën e sheshtë barra fiskale shpërndahet në mënyrë të përgjithshme.”- tha Berisha. Shefi i qeverisë shprehu gatishmërinë e tij dhe kabinetit qeveritar për të bërë gjithçka për suksesin e biznesit, duke i siguruar sipërmarrësit se mbështetja e fuqishme ndaj tyre do të mbetet një politikë konstante. Gjatë fjalës së tij Berisha vlerësoi edhe rritjen e investimeve në vend, proces ky që sipas tij, do të vijojë në 4-vjeçarin e ardhshëm. “Në vitet e fundit Shqipëria ka marrë 1 miliard dollarë në çdo vit. Ne jemi të gatshëm të marrim çdo hap në mënyrë që në 4 vitet që vijnë të arrijmë 6 miliardë dollarë investime. Kjo është një shifër realiste pasi për Shqipërinë janë parashikuar investime gjigande. Shefi i qeverisë ka saktësuar se vetëm kaskada e Devollit ka një kosto prej 1 miliard dollarë, ndërsa ka shtuar se gazsjellësi TAP ofron punësim dhe mundësi për përdorimin e gazit në shkallë të gjerë. Po ndërtohen edhe parqe industriale. Ne kemi punësimin e shqiptarëve qëllimin më madhor dhe mirëqenien prioritetin e dytë. Kjo është një histori suksesi”, u shpreh Kryeministri.

MINISTRI OLLDASHI: “U BËMË 50.000, MIRËNJOHJE TË GJITHËVE”

Ministri Olldashi, njëkohësisht edhe kryesuesi i listës së PD-së në Qarkun e Fierit ka vazhduar edhe dje takimet me banorët e qytetit të Fierit, në lagjet e “Kadri Qystri” dhe “Karbunarë”. Ajo që duhet  të  theksohet është se, PD-ja po i kushton rëndësi të veçantë Qarkut të Fierit, e cila konsiderohet si një bastion i së Majtës, ndaj kandidimit si kryesues i listës së kandidatëve nga Sokol Olldashi, si një nga ministrat më ë suksesshëm të qeverive Berisha, është një tregues i ambicieve të mëdha që ka PD-ja, për të fituar  7-8 mandate në Qarkun e Fierit. Të entuziazmuar nga këto takime të kandidatit Sokol Olldashi, shumë banorë të qytetit të Fierit shprehen me fjalët më të ngrohta për Olldashin dhe me optimizmin më të madh për një fitore të sigurt në 23 Qershor. Kështu  Fation Haxhiu shprehet: ” I gjithë Fieri është me ju z.Ministër. Do e kthejmë Fierin blu. Përpara drejt fitores përpara”. Ndërsa Viola Bozo:  “Ju meritoni çdo minutë të kohës sonë z.Ministër.” Xhuljeta Harizaj: ” Ju vazhdoni të punoni siç keni punuar deri tani, edhe pse nuk jeni përgjigjur.  Përgjigja është shumë thjeshtë. Punë, punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë. Fitore!”. Tani Agalliu: “Fitore dhe vetëm fitore z.Olldashi, sidomos kur bëhet fjalë për qarkun, ku ju kandidoni!”  Avokat  Met Kurti: “Fitore, këtë radhë duhet ta mundësh Gramoz Ruçin”… Engjëllushe Gjoka: ” Fieri fitore e Partisë Demokratike. Votoni nr. 44″.

HALIMI: RISHIKIM I ÇMIMIT TË TOKËS. ADMINISTRIMI I RRUGËVE LOKALE T’I KALOJË QEVERISË QËNDRORE

Ministri i Drejtësisë dhe kandidati demokrat për deputet Eduard Halimi, i cili është edhe kryetari i grupit të punës për Qarkun e Durrësit, ka zhvilluar dy takime me banorët e zonës së Shkozetit, njëri pranë Gjykatës së Apelit dhe tjetri pranë ish-NISH Kimikes. Në këto zona të lagjes 14 të qytetit të Durrësit, Eduard Halimi ka premtuar ndërtimin dhe asfaltimin e të gjitha rrugëve të brendshme me anë të një ligji të ri, i cili do t’i japë kompetencë qeverisë qendrore në implementimin e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës publike. Duke akuzuar Bashkinë e Durrësit si modelin më të keq të administrimit të qytetit, Eduard Halimi u tha banorëve se, brenda dy viteve të para të mandatit të tretë do të shtrohen të gjitha rrugët dhe do të ndërtohen rrjetet e kanalizimeve dhe kolektorët kullues të ujërave të zeza.  Kreu i grupit të punës së Partisë Demokratike për Qarkun e Durrësit, i cili është edhe deputet i zonës së Shkozetit, u premtoi banorëve dhënien e tapive elektronike të pakontestueshme dhe regjistrimin e pronës në regjistrin dixhital. Duke biseduar gjatë me ta për çështjen e legalizimeve, Eduard Halimi tha se, qeveria shqiptare do të rishikojë çmimin e tokës dhe se ky proces do të finalizohet me çmimin real të saj përsa i takon objekteve që do të legalizohen. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi planin e qeverisë për hapjen e 250 000 vendeve të punës me anë të uljes së taksave të biznesit dhe krijimin e falsiteteve për nxitjen e biznesit dhe krijimin e mundësive të punësimit.

LULZIM BASHËS I JEPET TITULLI “QYTETAR NDERI I PRISHTINËS” NË 14- VJETORIN E ÇLIRIMIT TË KOSOVËS

Komuna e Prishtinës ka zgjedhur  ditën e çlirimit të kryeqytetit të Kosovës, të shpallë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha “Qytetar Nderi të Prishtinës”, për përkrahjen e Kosovës në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, në vigjilje të Pavarësisë si dhe në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Kryebashkiaku Basha tha se, këtë titull do ta mbartë me krenari dhe se çdo angazhim që i ka kushtuar Kosovës, ka bërë vetëm detyrën e tij si shqiptar dhe ka kryer detyrimin e tij si nip i Kosovës. “Dua ta nis fjalën time me një falënderim dhe mirënjohje të thellë për këtë vlerësim që më bëni sot. Çdo minutë, çdo ditë, çdo muaj, çdo angazhim që ia kam kushtuar Kosovës, s’ka qenë asgjë më shumë se detyra ime si shqiptar dhe detyrimi im si nip Kosove. Jam rritur në një familje si shumë të tilla në Shqipëri, ku fjala Kosovë ka qenë po aq e pranishme, sa bukë dhe ujë. Gjithçka që ndodhte në këtë vend, gjenocide, persekutim, vrasje, kanë qenë pjesë e vazhdueshme e bisedave, dhimbjes madje dhe lotëve në shtëpinë tonë, prandaj unë e quaj veten me fat dhe i falem Zotit që më dha mundësinë të kontribuoj sado pak për Kosovën. Ndihem fatlum, jo vetëm që të meritoj këtë respekt të rrallë nga kryeqyteti i Kosovës, por edhe sepse përkon me 11 dhe 12 qershorin, këtë ditë të bekuar dhe të shumëpritur nga të gjithë. Në këtë ditë përkulemi me nderim dhe respekt ndaj arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari heronjve, luftëtarëve dhe komandantëve të tyre dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, ditën e  çlirimit të shumëpritur dhe të çlirimit të përjetshëm të Prishtinës dhe Kosovës, më lejoni ta them, edhe të Kosovës sime, të shtrenjtë dhe martire, ditën kur të gjithë ne shqiptarët, këndej e andej Drinit e ngado vinin u çliruam së toku.  Kur Kryeministri Berisha më dha porosinë strategjike, se kombi shqiptar ka nevojë për rrugën e kombit, ndjeva dhe mendova pikërisht se po fitonim kohën e humbur dhunshëm ndër shekuj, sepse shpirtrat e shqiptarëve, hallet dhe gëzimet e shqiptarëve, biznesi dhe interesat e shqiptarëve, tanimë ish koha të lidheshin edhe me një rrugë, përveç lidhjesh vertebrore të gjakut, gjuhës, kulturës dhe historisë së përbashkët. Dhe sot rruga është aty, e gjerë, e dobishme, fisnike dhe si një realitet që na afron edhe fizikisht me njëri-tjetrin. Jam pra, në modesti, krenar, që këtë porosi që mbart gëzimin e çdo shqiptari, e kemi sot midis nesh. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, tek e cila kurrë s’kishim dyshuar dhe për të cilën paguam një çmim të lartë, donte edhe ajo punën e saj të përkushtuar. Koha e kombit tonë evropian, për t’u ulur edhe institucionalisht në tryezën e Evropës si vende anëtare po vjen e po afrohet me shpejtësi dhe ne të gjithë më shumë se kurrë duhet të punojmë së bashku. Tirana po ndryshon e segment pas segmenti po kthehet në një qytet modern e europian. Kështu e shoh, e ndiej dhe e prek se po ndodh edhe në Prishtinë. Ne po integrojmë me sukses kulturën tonë të lashtë e shumë të veçantë me trendin kozmopolit të kohërave globale që po jetojmë. Duke ju falënderuar edhe njëherë për këtë nder të veçantë që më bëhet, ju garantoj se do ta mbart atë me krenari e vlerësimin më të lartë. Për mua personalisht dhe përmes meje, Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, ky vlerësim do të jetë pa dyshim një frymëzim i thellë.  Me sytë nga e ardhmja e përbashkët evropiane, koha e së cilës ka trokitur për ne shqiptarët, në Tiranë, Prishtinë apo kudo qofshin, shpreh edhe njëherë bindjen se ne si komb kemi marrë në kohën e duhur vendimet e duhura historike, ju transmetoj dhe ju përcjell, në emër të qytetarëve të Tiranës gëzim, optimizëm dhe përshëndetje vëllazërore. Shpreh bindjen e palëkundur se ne shqiptarët kudo që jemi po ngjisim me meritë dhe mençurisht shkallët e duhura në hierarkinë e vlerave të dinjitetit dhe qytetërimit evropian, në themel të së cilit qëndron kontributi i qytetërimit tonë të vjetër. Zoti e bekoftë Prishtinën, Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ku jetojnë!”