Berisha josh aleatët me ofiqe qeveritare, Rama në dilemë, pa strategji bashkëpunimi

452
Sigal

Aleancat partiake të 2013-s, pa ideologji politike, të joshura nga interesat e përfitimeve

Fushata elektorale e 2013-s nga maxhoranca ka filluar kohë më parë,  me joshjen e aleatëve në qeverisje. Berisha, disa muaj më parë,  u përkujdesua që të  forconte  lidhjet aleatore me  PDIU-në, duke i afruar edhe 2 poste qeveritare, në rangun e zëvendësministrave. Ndërsa me LSI-në, i dha liri fushëveprimi Metës që të luajë rolin e Kryeministrit të vogël, me ndryshimet qeveritare.  Madje, Berisha aludoi drejtpërdrejt se cili është lojtari kryesor i ndërtimit të aleancave politike, edhe ditën e votimit të reformës zgjedhore në Kuvend, në korrik 2012, ku, duke iu përgjigjur votës “Jo” të Fatmir Mediut, tha midis të tjerave, se edhe ai, po të ishte në vend të Mediut , do të votonte “Jo”. Por, unë, tha Berisha, e kam mbajtur  gjithmonë fjalën që u kam dhënë aleatëve të vet, duke aluduar se Rama asnjëherë nuk e mban fjalën që u jep aleatëve të vet. Dhe këtu fjala është që aleatëve u ka dhënë postet qeveritare që u ka premtuar. Këto ditë, Berisha u përkujdes që të zgjerojë rrethin e aleatëve, duke shtuar edhe PDK-në me joshjen e 2 posteve qeveritare të zëvendësministrave, paçka se Nikollë Lesi, në reagim e sipër në  rastin e emërimit të 2 zv/ministrave të PDIU-së, tha se zv/ministrat janë bërë 45, e nuk dinë se çpunë ka secili.  Aleati i deritanishëm i Ramës, PDK-ja e Nard Ndokës, zyrtarizoi divorcin me socialistët, duke iu bashkuar maxhorancës. Sipas Ndokës, e vetmja marrëveshje që kemi me PS-në ishte Kodi Zgjedhor. PS-ja na kish premtuar që do ta kthente Kodin Zgjedhor në parametra kushtetues.  Kompromisi që arriti PS-ja me PD-në, duke shpërfillë kërkesën donë, është edhe divorci ynë politik me PS-në. E vetmja që fitoi është maxhoranca, e cila i shton aleatët e saj, nga gabimet e PS-së”.  Përçarjet ndodhin edhe brenda llojit politik, sikurse  bëhet publike, ADK-ja është kundër një aleance PDK-Berisha.”ADK- ja po ndeshet çdo ditë me shqetësimin e madh të demokristianëve në bazë, të cilët kërkojnë me çdo kusht të mbahet qëndrim lidhur me këto veprime politike të papërgjegjshme të z. Ndoka, qëndrime injoruese dhe fyese për të gjithë elektoratin demokristian”,- thuhet në një deklaratë publike. Ndërsa Edi Rama, e ka filluar fushatën i vetëm dhe  duke i bërë thirrje publike LSI-së që të braktisë maxhorancën. Rama, me ankthin e frikën e një përsëritjeje të 2009-s, ku humbi thjesht për mungesë strategjie të ndërtimit të aleancave, edhe pse PS-ja fitoi më shumë se PD-ja, përpiqet me të gjitha mjetet që të ofrojë LSI-në. 2011-ta, në zgjedhjet e Bashkisë së Tiranës, ku për 10 vota u përcaktua fituesi, ishte një dështim i strategjive të Ramës për të ndërtuar aleancat e fitores, sepse kokëfortësia e tij politike, që nuk pranoi të bashkonte edhe komunistët ( e ç’të keqe  ideologjike do të kishte Rama?), i kushtoi  Ramës humbjen e përsëritshme. Ajo që i mungon Ramës, në mirëbesimin që u afron aleatëve politikë,  është mungesa e provës së dhënies së sigurisë të premtimit të dhënë. Edhe aleati i  së majtës, Paskal Milo, kohë më parë ka pranuar publikisht se akoma pret që të bisedojë me Edi Ramën, për mundësinë e bashkëpunimit. Ndryshe, sipas Milos, mund të krijojnë një grupim të tretë jashtë PS-së. Petro Koçi, kryetari i PSV ’91, pohon se “Tani partitë janë bërë tepër pragmatiste dhe parimet e pastra politike janë braktisur. Edhe kultura politike në shoqëri fatkeqësisht po e pranon këtë fenomen degradues.”. Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, shpjegon se “Politika jonë nuk ka qenë asnjëherë përtej së majtës dhe së djathtës, por ka qenë rumpallë midis së majtës dhe së djathtës. Grupet tona politike, për hir të traditës, nuk kanë identitetin e tyre. Janë grupe konjukturash, interesash, klanesh”. Kjo ka edhe të keqen e vet, pasi raporti i binomit PD-PS është pak i lëvizshëm, dhe dëmi demokratik, sipas zotit Shehi është se ” kjo shpjegon edhe ekstravagancën e re  te politikanët tanë, sepse elektorati shqiptar nuk i ka dënuar ndonjëherë, ato që i kanë qeverisë keq.”   Në këtë fushatë elektorale, mund të ketë një veçanti  nga 2009-ta. Shumë forca politike, edhe pse me ideologji të djathta, e nacionale, sikurse FRD-ja dhe AK-ja, deri tani kanë  si strategji politike largimin e Berishës nga pushteti. Mundet që kjo strategji politike të bashkojë forcat me ideologji krejt të ndryshme? Idajet Beqiri kryetari i PUK-ut, i afrohet më shumë kësaj ideje, të një aleancë partish, sepse, siç thotë,  “Në vendet europiane, ku demokracia është normale, shtylla bazë që përcakton  dhe mbështet aleancat është baza ideologjike dhe funksionon, ndërsa në një demokraci si e jona, e cila nuk funksionon as ideologjia, as strategjia politike, por vetëm slogani. Të gjitha aleancat që duhen ndërtuar duhet të kenë një qëllim kryesor. Të largojnë nga pushteti Berishën. Ky lloj koalicioni do të mund të bashkojë edhe ato forca politike që nuk kanë lidhje me të majtën, por që duan të largojnë Berishën”.  Një dëshmues i mungesës së një strategjie bashkëpunimi të Kryetarit të PS-së në një krijim aleance politike kundër largimit të Berishës nga pushteti ishte edhe gjuha e ashpër politike, e  përdorur nga Rama, në intervistën e paradisa ditëshe  te Ilva Tare, në ftesën që i bëri Topit e AK-së. Nervozizmi e përdorimi i epiteteve nga Rama “Topi  të dalë nga qypi”, veç të tjerash, dëshmon  te Rama ankth, pasiguri, padurim e mungesë vizioni në ndërtimin e aleancave politike.