Berisha: Ish-bllokmeni Fatos Lubonja, pasardhës i Kadri Azbiut

559
Sigal

Deklarata e ish-Kryeministrit merr shkas nga debati i analistëve në emisionin “Opinion” në TV-Klan

Ish- Kryeministri Sali Berisha ka reaguar me një deklaratë të fortë dhe tepër të egër, në rrjetin social Facebook kundrejt deklaratave të bëra nga analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Opinion”. Më poshtë mund të lexoni deklaratën e tij të plotë:

“Dy ditë më parë teleshikuesit që ndoqën ‘prapa perden’ apo ‘pa maska’, të emisionit Opinion në TV Klan, panë një skenë unike, atë të shpërthimit të mllefit, urrejtjes së papërmbajtur të një analisti ndaj një analisti tjetër, pjesëmarrës në një debat. Ky shpërthim primitiv, që të kujtonte skenat filmike të egërsisë së persekutuarve mizorë të regjimeve diktatoriale në qelitë e burgjeve ndaj viktimave të tyre, nuk ishte qëndrimi i një të dehuri, as dhe i një të sëmuri psikik apo një delinkuenti ordiner. Ky ishte shpërthimi i tritolit në shpirtin e një publicisti, shkrimtari, analisti të përnatshëm në ekranet e TV-s, Fatos Lubonjës, i cili në akces tërbimi primitiv ndaj kundërshtarit të tij (armik), veçse nuk po kafshonte telefonin me të cilin fliste, (mbasi nuk ishte në studio). Fatos Lubonja ka derdhur tonelata shpifje, trillime ordinere ndaj meje dhe kurrë nuk kam reaguar, nuk kam marrë mundimin të përgënjeshtroj sepse jam ndjerë dhe ndjehem i nderuar nga qëndrimet e tij dhe të ndonjë tjetri që me shpifjet, trillimet, sharjet e tyre bëjnë të kundërmojë urrejtje mjedisin ku flasin dhe faktojnë se çfarë përfaqësojnë. Në fund të fundit ai dhe ndonjë si i llojit të tij, nuk janë sharës të paguar, por vajtorë të pushtetit të etërve të tyre. Ndaj dhe i ftoj të vazhdojnë edhe më shumë. Por shpërthimi i tij i mbrëmshëm në TV dëshmonte më mirë se çdo gjë tjetër para shqiptareve se pinjollët e bllokut, pavarësisht nga peripecitë e jetës, janë skllevër të psikologjisë atërore të urrejtjes, përçmimit, persekutimit dhe frikës. Leon Tolstoi dikur, të tjerë në vazhdim por edhe Malcolm Gladvvell së fundmi, faktojnë se vitet më të para të fëmijërisë përcaktojnë shpesh më shumë se çdo gjë tjetër, tërësinë e tipareve të personalitetit dhe formimit tonë të ardhshëm. Neobllokmenët u rriten në bunkerin e bllokut. Në mjedisin e tyre familjar sundonte ideologjia e mashtrimit, përçmimi ekstrem për njeriun e thjeshtë, urrejtja e pakufishme ndaj armikut të klasës dhe frika deri në palcë ndaj krye kreut të bllokut. Frika është faktuar nga studime gjerësisht të besueshme se është dhe ndjenja qendrore që shndërrohet në të gjitha ndjenjat e tjera. Lubonja, nuk ishte mbrëmë publicisti i njohur, avokati me sens i urbanistikës së qytetit, apo analisti antindërtim me disa shtëpi të veta, nuk ishte opozitari i opozitës blu as dhe veprimtari i dikurshëm i të drejtave të njeriut i konvertuar mrekullisht në kripto-avokatin e neobllokmenit Edi Rama, tritolit dhe shtetit të tij policor. Fatos Lubonja mbrëmë i shpërfytyruar deri në ekstrem ishte më shumë se kurrë vetja, uni i tij, ishte sozia e Kadriut, Feçorit, Ariantit, Jorgo Sulit, ishte hetuesi i tij, prokurori i tij, gardiani i tij, i ati i tij. Ai pra me egërsinë njerëzore mund të ishte secili prej tyre. Edivin Kristaq Rama në një emision me S.Ballën do të rrëfente, me dashje apo pa dashje, një tipar themelor të moralit të tij prej neobllokmeni. Rama, do pohonte në këtë emision se ai nuk ndjen mirënjohje ndaj të tjerëve. Ky është tipar thelbësor i njeriut të rritur në bunkerin, në darën e frikës dhe urrejtjes. Me këtë pohim Rama qartëson se, pse ai nuk mund të kontrolloje urrejtjen e tij, por udhëhiqet vetëm prej saj. Aty ku mungon mirënjohja, ky virtyt që humanizon njeriun e qytetëruar, pra që bënë sapiensët, njerëzor, aty sundon urrejtja shtazore e njeriut. Mosmirënjohja është dhe shtrati i nxehtë i saj.”