Berisha i tregon Lu-së vendodhjen e Balilit. Situata e krimit më keq se në ’97-tën

209
Siç rrallë ka ndodhur këto kohët e fundit ish-kryeministri Sali Berisha është ‘’futur’’ në lojë duke takuar ambasadorin amerikan Lu.
Padyshim që situata politike ka qenë tema kryesore e takimit. Opozita tashmë prej një muaji vijon me protestën e saj në Bulevard dhe ditët e fundit ka shtuar edhe retorikën se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit
Mësohet se takimi mes të dyve ka zgjatur përreth një orë dhe ka qenë Donald Lu ai që ka mbërritur në zyrën e Berishës.
Berisha theksoi se, së pari, opozita para zgjedhjeve që do të zhvillohen, përballet me një mal me para droge, me të cilat nuk përballet opozita e asnjë vendi tjetër në botën e lirë. “Mbjellja e gjithë vendit me kanabis ishte një politikë e Edi Ramës me një qëllim nga më kryesorët: zgjedhjet”, tha Berisha.
‘Së dyti, arsye tjetër pse opozita po proteston janë bandat kriminale më të rrezikshme të vendit, të cilat janë liruar dhe po lirohen nga burgu me ndërhyrjen direkte të Edi Ramës, si Lul Berisha, Hakmarrja për Drejtësi etj, me qëllimin kryesor: grabitjen e zgjedhjeve. Klement Balili sot shëtit i lirë nëpër Sarandë ndërsa shefi i policisë që duhet ta arrestojë është emëruar prej tij dhe informohet për çdo operacion. Nga ana tjetër Shullazi është pothuaj më i fuqishëm në burg se sa jashtë burgu, duke u dhënë urdhra dhe ofruar favore zyrtarëve në të gjitha nivelet e administratës”, u shpreh Berisha.
Së treti, ish-kryeministri theksoi se 120 mijë punonjës të administratës, si kurrë ndonjëherë në histori, janë shpallur nga qeveria si patronazhistë, të cilët detyrohen të sjellin vota dhe jo vetëm të familjes por dhe të të afërmve dhe të njohurve të tyre, dhe të dorëzojnë numrat e telefonit dhe të kartave të identitetit të personave që me detyrim marrin në patronazh.
Së katërti, Berisha shprehu shqetësimin dhe për situatën e mediave në Shqipëri, të cilën e vlerësoi si më të keqe se në vitin 1991. “Asokohe,- theksoi ai, – mediat zyrtare censuruan plotësisht opozitën por Zëri i Amerikës dhe Radio Vatikani transmetonin të gjithë aktivitetet e saj. Ndërsa sot opozita përjeton shkallën më të lartë të censurës në të gjithë ekzistencën e saj”.
Berisha tha se, kriza që u shfaq në Maqedoni një vit para zgjedhjeve ndërmjet forcave politike maqedonase, si mosbesim për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm nuk ka asnjë krahasim me situatën tejet dramatike në Shqipëri për procesin elektoral.
Në këtë takim Berisha vlerësoi se që nga themelimi i pluralizmit, forcat politike kanë bashkëpunuar ngushtë dhe me sukses si me Institutin Kombëtar Demokrat Amerikan ashtu dhe me atë Republikan dhe shprehu mirënjohjen ndaj tyre. Por ai theksoi se që nga viti 1993 deri sot, George Soros ka shpenzuar miliona dollar jo vetëm në mbështetje të ish komunistëve shqiptarë por direkt kundër PD.
Berisha u shpreh se Soros është një milioner dhe se në Ballkan i blenë lirë politikanët, por theksoi se do vlerësonte që qeveria amerikane të ndalojë një veprimtari të tillë të tij. Zoti Berisha dha shembuj konkret të ndërhyrjeve të tij të dëmshme për demokracinë në mbështetje të Edi Ramës.
Ish-kryeministri Berisha theksoi se për këto arsye opozita është jashtë parlamenti dhe po proteston për votën e lirë dhe jo për pushtet.