Berisha: I arrestuari në Elbasan, “kokë turku” për bandën

589
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se personi i arrestuar në Elbasan, Enea Bekteshi dhe i akuzuar nga policia për goditjen e automjetit të një prej drejtuesve të saj vendorë, në fakt është vetëm një “kokë turku”. Berisha i drejtohet medieve, duke kërkuar që të mos bien në kurthin e policisë. “Prej ditësh mediet e shkruara dhe elektronike janë në një garë sesi të transmetojnë sa më shpejtë e sa më parë trillimet e policisë lidhur me anëtarin e bandës së Suel Çelës, Enea Bektashi, i cili sipas variantit, qenka shoferi i automjetit që goditi zëvendësdrejtorin e policisë së Elbasanit. E vërteta është se, banditi Bektashi është zgjedhur si kokë turku për kapobandën Çela. Policia, duke mos guxuar të akuzojë Suel Çelën, i cili do të dëshmonte gjithçka për lidhjet e perandorisë së krimit të Elbasanit me pushtetarë qeveritarët, ndërmori aksionin kundër Bekteshit, arrestimin e tij me mirëkuptim, pasi zhduku dhe prishi provat e gjetura në makinë, që faktonin në mënyrë të pakundërshtueshme se aty në timon ishte vetë Suel Çela dhe se Bektashi është thjesht një ushtar i tij”, u shpreh Berisha. Ai u bëri thirrje medieve “të mos humbasin asnjëherë sensin skeptik ndaj njoftimeve të narko-policisë dhe të narko-shtetit të Noriegës”.

Ndërkohë, dje Berisha akuzoi edhe kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, se me automjetin e tij ka aksidentuar një person. “Policia fsheh krimin! Don Lala aksidenton me makinën e tij të riun A. Allushi. Bëhen përpjekje për të mbyllur me para aksidentin”, u shpreh Berisha. Ai publikoi edhe një mesazh lidhur me këtë ngjarje. “Më lajmërojnë se para një ore makina e Qazimit me atë brenda, pasi ka dalë nga një lokal ku ka drekuar, ka përplasur në rrugën e Labinotit-Fushë një motor me drejtues A. Allushi. Personi është dërguar urgjent në spital. Ngjarja mbahet e fshehtë dhe familjarëve u është ofruar shumë parash dhe bërë presion të mos flasin. Gjithsesi duhet verifikuar”, thuhet në mesazhin e dërguar te ish-kryeministri Berisha. Ndërsa, sipas policisë, rreth orës 14:30 në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, pranë fshatit Labinot- Fushë mjeti tip “Benz” me targa AA 359 NK drejtuar nga shtetasi Xh. F., 51 vjeç banues në Elbasan, në pronësi të një kompanie dhe marrë me qira në përdorim nga Bashkia Elbasan, ka aksidentuar motoçiklistin A. A., 32 vjeç banues në Labinot-Fushë. “Drejtuesi i mjetit së bashku me 2 të afërm të shtetasit të dëmtuar kanë çuar menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin Kirurgjik Elbasan drejtuesin e motoçikletës, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Më pas drejtuesi i mjetit është paraqitur në Komisariatin e Policisë Elbasan. Policia po kryen veprimet hetimore dhe procedurale nën drejtimin e prokurorit”, thuhet në njoftim.
Sigal