Berisha, ftesë LSI-së për qeveri teknike: “Braktis banditokracinë e Ramës, mbështet qytetarët”

471
Ramës i kemi ofruar dy rrugë: Qeveri teknike ose mosbindje civile popullore, me të 52 format e saj 
Duke përfituar nga protesta e PD e cila tashmë është përmbledhur në vendosjen e një çadre gjigante në bulevardin përballë godinës së kryeministrisë, Sali Berisha i ka bërë thirrje edhe LSI, që të braktis “banditokracinë e Edi Ramës dhe t’i bashkohet interesit të qytetarëve”. Sipas Berishës, në thirrjen e tij drejtuar LSI-së, ai kërkon prej kreut të LSI, që të bëjë bilancin dhe të zgjedhë se në cilin krah do të rrijë, duke lënë të kuptojë se e fton për aleancë me PD! Më tej, në prononcimin e tij për efektin dhe vazhdimësinë e protestës, Berisha deklaroi se “Ky është moment kritik për çdo forcë politike që nuk ka humbur prekjen, lidhjen me qytetarët…” Pyetjes se kush do ta drejtojë “Qeverinë Teknike”, ish-kryeministri Berisha, iu përgjigj: “këtë do ta vendosin forcat politike dhe nuk do pengohet asnjë forcë, që të japë kontribut në qeverinë teknike”. Pyetjes, nëse PD, do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve të 18 qershorit 2017, Berisha iu përgjigj: “Zgjedhjet e qershorit me Ramën s’mund të ketë, më vjen keq, duhet të kuptojë çdo shqiptar këtë moment kritik dhe jetik. Ju kujtoj, që mosbindja civile ka 52 forma demokratike të saj, kjo është vetëm njëra, do të zgjedhim gjithë-secilën prej këtyre formave, për t’i treguar vendin Edi Eskobarit. Më 1991-in, me kultin e Enver Hoxhës nuk kishte zgjedhje dhe tani me kultin e krimit, nuk ka zgjedhje. Nëse Rama nuk pranon, PD do t’ia imponojë që ai ta zbatojë “me një këmbë”. Ish-kryeministri dhe ish-kreu i PD, Sali Berisha apeloi për përshkallëzim të protestës edhe jashtë Shqipërisë, duke thënë: “Thirrja ime për emigracionin dhe diasporën është të marrin të gjitha masat që të organizojnë protesta pranë selive të qeverive ku janë, pranë Ambasadave të Shqipërisë, kundër regjimit të banditokracisë. Kjo është rruga e solidarizimit në mënyrë që për Shqipërinë të votojnë të gjithë shqiptarët. Opozita do të nisë mosbindjen civile nëse kryeministri Edi Rama nuk pranon kushtin për qeveri teknike, e cila të organizojë zgjedhjet e 18 qershorit. PD nuk duhet të tërhiqet nga qëndrimi i saj, pasi ndryshe, siç theksoi ai, kostot do të jenë për këtë forcë politike. S’ka pasur kurrë protestë 4 muaj para zgjedhjeve. Kjo protestë është kambana më e fuqishme e alarmit për çdo shqiptar. 4 muaj para zgjedhjeve nuk proteston kurrë një forcë, nëse nuk e konsideron jetike protestën. Ishin gjysmë milioni shqiptar që erdhën në këtë mision dje. Janë në mision të madh. Pra, të gjithë atyre që analizojnë këtë protestë, të mos harrojnë, se shpërtheu katër muaj para zgjedhjeve, çka s’ka ndodhur kurrë që nga viti ’91 e deri sot. 
Sigal