Berisha: Dorëzohet Klement Balili në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

580
Sigal

Ish kryeministri Sali Berisha me anë të një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se është dorëzuar Klement Balili, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

Ai ka publikuar mesazhin e një qytetari i cili shkruan se ai është dorëzuar në prokurorinë e Krimeve të Rënda së bashku me Rigels Balilin.

Postimi i plotë

“Dorezohet Klement Balili!

Qytetari dixhital informon. sb

Pershendetje doktorin vetdorezohet kelment Balili ne prokurorin e krimeve te renda ai esht nisur drejt tiranes me Rigels Balilin.”– shkruan Berisha.

Klement Balili, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, në kërkim dhe i dënuar në Greqi i ka shpëtuar të gjitha operacioneve të organizuara nga policia për kapjen e tij. Në tetor të 2016-s Balili i iku policisë ndërsa ka dyshime të forta se operacionet janë dekonspiruar nga njerëz që bashkëpunonin me trafikantin e kërkuar edhe nga DEA amerikane.

Operacioni i parë për kapjen e Balilit, dështoi me dyshimet e dekonspirimit, në muajin tetor të 2016-ës pak muaj pasi u shpall në kërkim. Uniformat blu kishin marrë informacion se një mbrëmje Balili do të kalonte me një automjet në qafën e gjashtës, në hyrje të qytetit të Sarandës. Për kapjen e tij, u nis nga Tirana një grup i forcave të posaçme operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, duke shmangur përfshirjen e policisë lokale.

Tentativa të tjera për lokalizimin e tij u bënë vazhdimisht, por sërish ish drejtori i transporteve në Sarandë, i hetuar nga DEA amerikane, nuk u gjet asnjëherë. Edhe gjatë bastisjeve të disa banesave ku dyshohej se fshihej, policia nuk gjeti asnjë gjurmë të tij.

Ndërkohë që emri i tij u përfshi edhe në luftën politike të vendit, në nëntor të 2017-ës policia dhe gjykata vendosën në sekuestro resortin “Santa Quaranta” në pronësi të familjes Balili. 43-vjeçari prej më shumë se 2 vitesh vijon arratinë ndërkohë që mbetet një nga personat më të kërkuar në vend.

Për “kokën” e Eskobarit të Ballkanit është vendosur edhe një shpërblim prej 5 milionë lekësh, por deri tani nuk ka asnjë sinjal që do të tregonte se Balili dhe rrjeti i tij i njerëzve që e ndihmojnë është më i dobët se sa Policia e Shtetit.