Berisha: Donald Lu, në konflikt interesi, u akuzua për korrupsion. Jo, një qeverie të përbashkët me Ramën

57
Berisha: Lu në konflikt interesi, u akuzua për korrupsion
Ish-kryeministri sulmon qëndrimet e ambasadorit amerikan dhe shprehet kundër një qeverie të përbashkët me Edi Ramën
Ish-kryeministri Sali Berisha kritikoi ashpër ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, për qëndrimet e tij lidhur me reformën në drejtësi. Duke folur në studion e “ABC News”, Berisha analizoi rolin e ndërkombëtarëve në Tiranë për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Sipas ish-kryeministrit, Brukseli ia ka bërë të qartë Edi Ramës rëndësinë e çështjes “Tahiri”. Ai ka deklaruar se është kundër një qeverie të përbashkët me Edi Ramën.

Marrëveshja e 18 majit, duket se, jo vetëm që nuk ka vdekur, por edhe flitet për një qeveri me bazë të gjerë…
“Nëse një lider mazhorance sillet ndaj një kryetari opozite në këtë mënyrë është një këpucaman i tmerrshëm. Demokraci pa opozitë nuk ka. Edhe unë mund t’ia bëja, hajde artisti im, por këto nuk bëhen kurrë nga politikanë të qytetëruar, por nga politikanë primitivë. Mendon se duke u thënë shqiptarëve se me këtë kam marrëveshje, kujton se mund të kalojë skandalet e mëdha”.

A ka vdekur marrëveshja e 18 majit?
“Po”.

A mund të ketë një qeveri me bazë të gjerë për integrimin e vendit?
“Asgjë nuk zgjidh. Për integrimin e vendit janë të gjithë pro. Marrëveshja për integrimin e vendit u firmos që në vitin 2012, kur qeveria me reformat e saj eci para. Çfarë e pengoi integrimin e vendit? Opozita që denonconte skandalet, kanabisin etj… Jo nuk e frenoi. E vërteta është se për 4 vite opozita bëri një transparencë duke u rënë sirenave të alarmit. A u dëgjua opozita siç duhet? Jo sepse kishte edhe kundërsirenat”.

Dua të kthehem prapë tek qeverisja me bazë të gjerë. Kush i siguron zgjedhësit se nuk do të ketë një marrëveshje?
“Kam bindjen se Basha e mban fjalën. Kam bindjen se nuk mund të futet PD në një qeveri të lidhur me krimin, në një qeveri që mbron ish-ministrin e vet, që të mos dorëzohet para drejtësisë, të mos i heqë mandatin. Një koalicion me Ramën është vetëvrasës dhe një koalicion me krimin”.

Po një koalicion me LSI-në…
“Opozita duhet të bashkojë çdo grimcë opozite në këtë vend, duhet të mbledhë çdo zë kundër kësaj qeverie. Opozita duhet të bashkërendojë edhe me mediat, që janë nën një presion nga ky narkoshtet”.

Kalojmë tek kryeprokurori i përkohshëm. Në orën 18:00 (dje) është mbyllur orari i kandidaturave. Si ju duket e gjithë kjo procedurë?
“Thjeshtë është shndërrimi i Edi Ramës në kryeprokuror, reforma përfundoi me bërjen e Edi Ramës kryeprokuror i Shqipërisë”.

Ambasadori Lu është pro këtij prokurori…
“Ambasadori Lu është plotësisht në konflikt interesi. Edi Rama të bëhet që nesër kryeprokuror. Kushtetuta është marrë peng. Druaj se do të merret peng Kushtetuta. Nëse merret peng ajo, ti shuan opozitën me Kushtetutë. Çfarë kërkon opozita? Të zbatohet Kushtetuta që zgjedh kryeprokurorin me 84 vota. Nëse nxjerr ligje për të rrëzuar Kushtetutën, atëherë merr fund shteti ligjor. Nuk ka ligj që rrëzon Kushtetutën. Opozita po kërkon që të vijë një njeri i vetuar. Ky ambasador, bashkë me ambasadoren tjetër, a nuk u ka thënë shqiptarëve të paktën nga 1500 herë, vetingu, vetingu… dhe tani e shkelmojnë. Nëse Edi Rama e shkelmon e dhunon opozitën në këtë mënyrë, atëherë unë besoj, se opozita ka mundësitë për t’i dhënë përgjigjen e merituar. Unë e gjykoj këtë në aktin më të rëndë të 27 viteve”.

Z. Lu është shprehur sot për zgjidhjen…
“Donald Lu është në konflikt interesi. Z. Lu kërkon largimin e Adriatik Llallës. Ky i fundit e ka akuzuar Ambasadorin Lu për korrupsion të rëndë. Ai duhej t’i përgjigjej Llallës. Nëse ambasadori kërkon të përfshihet në jetën publike, politike, atëherë ai duhet të vuajë pasojat. Unë kam pritur që ambasadori Donald Lu t’i përgjigjej kryeprokurorit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë, ka pasur, por nuk ka ndodhur që kryeprokurori i shtetit të akuzojë një ambasador me terma konkretë. Nëse ambasadori nuk i dha përgjigje, atëherë ka diçka aty. Ai është në “full Conflict of Interest”. Ai ka folur për emra të përveçëm për kryeprokurorin. Ai ka dalë jashtë funksionit të tij. Ai është shprehur dhe ka ofruar emra. Nuk ka asnjë komision parlamentar që ka kërkuar interpretim të ligjit. Ka kërkuar Edi Rama dhe në funksion të tij i jepet këshilla. Jepet shembulli më negativ”.

Z. Lu ka thënë se në muajin janar do kapen peshq…
“Lajmet bombë, për fat të keq janë faktuar. Presidenti i SHBA ka një meritë të madhe, është nocioni “fake news”. Ky është leksioni më i mirë, për gazetarë, politikanë etj. Për çfarë peshqish flet ai? Kur vjen fjala për Saimir Tahirin, ai u kujton shqiptarëve burgjet e diktaturës. Doli ambasadori amerikan në OSBE që tha se Tahiri është i përfshirë”.

Po reforma në drejtësi?
“U tha që në shkurtin e vitit 2016, Reforma në Drejtësi do të ishte aktive. Por tani pas 18 muajsh asgjë nuk ka ndodhur. Sot jemi në situatën ku po kërkohet të zgjidhet një kryeprokuror. Opozita nuk e ka vonuar. E ka vonuar shoqëria civile e Edi Ramës. E ka vonuar bordi i shoqërisë civile i kontrolluar nga Edi Rama. Ky prokuror i ri do të bllokojë dosjen e “Xibrakës”. Rama është peng”.

Maxhoranca sjell rastin e Kroacisë ku u arrestua ish-kryeministri. A mendoni se do të shkojë në këtë nivel?
“Do të ishte gjë shumë e madhe të shkonte në çdo nivel. Por Edi Ramës sapo i përmendën kryeministrin e Rumanisë, ai u tërbua, sepse ishte kryeministër në detyrë. Do të shkojë reforma, por jo sa të jetë Rama kryeprokuror. Ne jemi në kushtet e narkoshtetit”.

Tahirit i është dhënë një urdhër nga gjykata që të mos dalë jashtë shtetit. Ju duket si një hap drejt çuarjes deri në fund të çështjes “Tahiri”?
“Çështja “Tahiri” është ndërkombëtare, thellësisht ndërkombëtare. Deklarata që dha ambasadori i SHBA në OSBE, Vjenë, ishte qëndrimi i qeverisë së SHBA. Kjo çështje është ndërkombëtare. Ambasadori i SHBA e tha tullë, që kjo është një çështje krimi e jo burgjesh komuniste. Janë vizitat e njëpasnjëshme të ministrave italianë. Brukseli është shprehur se çështja “Tahiri” është kryesorja. Kur ja thonë opozitës, këtë ja thonë edhe Ramës. Çështja “Tahiri” është e komplikuar. Ai ka dosjet për ta. Nuk kishte shpjegim ndryshe kthimi në mbrojtje të tij. Ai ju tha se do të dëmtonte çdo njeri që nuk e mbronte”.

Nëse prokurori i ri nuk do ta çojë deri në fund çështjen “Tahiri”, a mendoni se është një çështje e mjaftueshme për të rrëzuar qeverinë?
“Çështja “Tahiri” e ka rrëzuar qeverinë Rama. E bënte Tahiri trafikun me bekimin e Edi Ramës. Janë dhjetëra raporte të SHISH që kryeministri i hodhi në kosh. Çështja “Tahiri” e ka rrëzuar Ramën dhe kjo qeveri nuk mund të rrijë më shumë se 1 javë”.

Nëse opozitës do t’i kërkohej një qeveri me bazë të gjerë nga ndërkombëtarët?
“Unë nuk jam në kupolën drejtuese, por si deputet unë them se nuk mund të bëhet një qeveri me narkoshtetin”.
Sigal