Berisha: Desha të digjja mandatin, këto zgjedhje u udhëhoqën nga bota e krimit

560
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në seancën e sotme plenare se ka menduar të digjte mandatin e tij si deputet në shenjë proteste për zgjedhjet lokale, të cilat tha se u shkatërruan nga një klikë. Berisha theksoi se këto zgjedhje si kurrë ndonjëherë u udhëhoqën nga bota e krimit, duke hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Rama, të cilin e quajti kreu i Meduzës së Krimit.
10 ditë pas humbjes së PD-së në 23 qershor ai akuzoi kryeministrin Rama se dirigjoi manipulimin e procesit.
“Thirrja ime për qytetarët shqiptarë është ngrihuni se pa një revolucion demokratik nuk ka kurrë zgjidhje. Vetëm një revolucion demokratik mund ti tregojë vendin kësaj klike. Mos mendoni se ne, se ky vend, do ecë përpara. Kurrë në këtë mënyrë. Sot është 2 korriku, është dita e heronjve të ambasadave”, tha Berisha.
Në nisje të fjalës së tij ish kryeministri tha se sot kishte menduar edhe djegien e mandatit të deputetit pas asaj që ndodhi në zgjedhjet lokale. “Duke ardhur në parlament m erdhi në mendje se cili xhest do ishte më i madhi për protestë dhe më erdhi në mendje djegia e mandatit që kam në xhep. Po hyjmë në këtë seancë në funeralin e zgjedhjeve. Një klikë i shkatërroi ato në mënyrë përfundimtare”, deklaroi më tej Berisha.
Sipas tij “këto zgjedhje si kurrë ndonjëherë në 23 vjet u udhëhoqën nga bota e krimit. Edi Rama kreu i meduzës së krimit shtetëror emëroi në Kavajë, Krujë dhe bashki të tjera me dhjetëra kriminelë të damkosur. Kurrë ndonjëherë si këtë herë miqtë dhe partnerët e Shqipërisë nuk u ngritën fuqishëm në mbrojtje të asnjë partie, por të interesave të qytetarëve shqiptarë. Ambasadorë të vendeve mike morën dosjen dhe ua dorëzuan kryetarëve të partive për kandidatë të damkosur për krime që kishin kryer. Kreu i meduzës së krimit në Shqipëri, Edi Rama, që ndan psikologjinë e etërve sa i përket krimit, u thoshte partnerëve tanë “s’më duheni ju, se më duhet Bushi, më duhet Roshi, më duhen paratë e pista të prostitucionit të tyre, se më duhet Mark Frroku që ka vrarë komisionerin’”.
Ish kryeministri akuzoi gjithashtu maxhorancën se përdori Arben Frrokun për të blerë votat në Pukë dhe më pas u largua në Kubë. “Ju liruat Arben Frrokun për të blerë votat në Pukë. E nisët në Kubë sepse mbaroi misionin. Po shpirti i komisarit të vrarë do tu ndjekë mbrapa gjithë jetën. Akuzat se lëshuat që u nxorr në pritë, do u ndjekin pas gjithë jetën. Edhe komisari i Lazaratit u vra nga njerëz të lidhur me qeverinë. Nuk mund të thuash që u nxorr tjetri në pritë”.
Në fjalimin e tij Berisha nuk i ka kursyer ironitë as për shefen e ODIHR në Shqipëri, Audrey Glover. “Sot mendoni se Glover do tu mbrojë. Unë them se përsëri ne do bëjmë punën tonë. Glover është abonuar për të vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri, se nuk ka vend tjetër”.
Sigal