“Berisha, debatin për imunitetin, e bën për të justifikuar dështimin e integrimit të Shqipërisë në BE”

380

INTERVISTA/ Kryetari i PVS ‘90, Petro Koçi: “Kushtetuta garanton vijimësinë e krizave politike dhe varfërimin e mëtejshëm të demokracisë”

Arritja e dy kompromiseve PD-PS për reformën zgjedhore dhe heqje/kufizimin e imunitetit, mund të krijojë një iluzion politik. Që zgjedhjet e 2013-s, do të jetë të ndershme dhe dy partitë e mëdha politike, ranë dakord që të kenë vullnet politik për të luftuar korrupsionin. Në intervistën për “Telegraf”, kryetari i PSV’99, Petro Koçi,  u jep përgjigje të drejtpërdrejtë këtyre dy pyetjeve që lindën nga kompromisi politik PD-PS për reformat.

– Zoti Koçi, keni ndonjë shpresë, se ndoshta në  provimin e vjeshtës, do të mundësohet ndonjë përpjekje për korrektim të Kodit Zgjedhor?

Nuk kam besim se sezoni i provimeve politike të vjeshtës mund t’i japë notë kaluese politikës tonë. Qarkullon një info, sipas të cilës, në shtator do të shqyrtohet çështja e korrigjimit të sistemit zgjedhor. Megjithatë, duket haptazi se vullneti politik i PD-së mungon, ndërsa vullneti politik i PS-së nuk ka grintë.

 – Kodi Zgjedhor nuk jep mundësinë e barazisë  e të përfaqësimit të votës? Derisa ata nuk u shqetësuan për këtë, çfarë u intereson në fakt ndërkombëtarëve?

– Ndërkombëtarët mendojnë gjithmonë si të kalojnë lumin e radhës dhe pak po përpiqen të zgjidhin gjërat në themel. Kodi Zgjedhor, Kushtetuta dhe Rregullorja e Parlamentit garantojnë vijimësinë e krizave politike dhe varfërimin e mëtejshëm të demokracisë, monopolizimin e jetës publike dhe të të ardhurave financiare. Ata po dështojnë me Shqipërinë. Ky raund i reformës zgjedhore mbetet i dështuar, përderisa nuk preku dot sistemin.

 Kryetari i KQZ-së, sërish do të zgjidhet nga shumica parlamentare, kështu që a nuk është i njëjti rrezik, që një Ristan ikën dhe një Ristan i ri vjen? Çfarë progresi arriti, kësisoj, PS-ja në rikompozimin e KQZ-së?

Rreziqet ndaj zgjedhjeve janë më shumë sesa emri i Kryetarit të KQZ-së. Megjithatë, largimi i Ristanit mbetet një arritje taktike e qartë në favor të opozitës. Sesa garanci do sjellë kjo arritje, për një proces të mirë zgjedhor, do të varet nga ndërthurja e shumë faktorëve. Largimi i Ristanit konsiderohet një humbje për Sali Berishën. Nuk mendoj se zgjedhjet që po vijnë do të jenë të pastra dhe të ndershme.

 –  Do të ishte një formë e përfaqësimit të partive të vogla në Parlament, që kryetarët e tyre të përfshihen në listat zgjedhore të kandidatëve të PS-së?

–  Nuk ka ndonjë negociatë të këtij lloji me PS-në. Deri tani jemi përqendruar në garantimin e përfaqësimit nëpërmjet demokratizimit të sistemit. Teknikisht varianti juaj është i mundshëm për t’u aplikuar. Gjykoj se rëndësi ka vetëdija politike e integrimit të opozitës në një strategji elektorale gjithëpërfshirëse dhe që shmang efektet përjashtuese të Kodit.

 – Përse, sërish ndërkombëtarët diktojnë që reforma për imunitetin të mbyllet në 6 gusht? U mjafton një kompromis, pavarësisht nga përmbajtja?

Kufizimi i imunitetit nuk ka për të sjellë ndonjë revolucion në vënien e drejtësisë në parametrat ligjorë. Ka patur me dhjetëra raste kur zyrtarë pa imunitet nuk kanë marrë ndëshkim ligjor për shkak të korrupsionit të ndërthurur politikë -drejtësi. pra nuk duhet të ushqejmë iluzione. Jam për kufizim të imunitetit, por kjo antikorrupsioni kërkon ndryshime kushtetuese të tjera , të kundërta me ato të 21 Prillit 2008. Është e qartë se drejtësia ka qenë më  e pastër dhe më e pavarur para viti 2008! Opozita nuk duhet të bjerë në grackën e iluzionit se heqja e imunitetit na integron në Europë. Po sikur të bëjmë Shqipërinë para se të hyjmë në Europë ? A s’do ishte më mirë. Mos vallë duhet të bëhemi europianë para se të integrohemi?

 – A mund të bëhen ndryshime në Kushtetutë për heqjen e imunitetit, kur akoma nuk janë bërë reformat në Gjyqësor dhe në luftën kundër krimit të organizuar, si prioritetet e BE për integrimin?

 – Pa një pakt kombëtar reformash gjithëpërfshirëse, vështirë të ketë rezultate në angazhimet dhe mburrjet antikorrupsion dhe vështirë të meritojmë integrim europian. Krimi është fuqizuar shumë dhe rendi publik po vihet në pikëpyetje. Vetëgjyqësia është kthyer në shpresën e vetme të gjetjes së drejtësisë. Në këto kushte kërkohet revolucion në mënyrën e trajtimit të problemit.

 –  Kërkesat e PS-së, që zgjedhja e gjyqtarëve në Gjykatat, Kushtetuese dhe të Lartë të bëhen me 84 vota, të Kryeprokurori, nuk u përfshinë në draftin e përbashkët. A nuk bëri gabim PS-që që u tërhoq?

 – Nuk do jetë mirë nëse PS tërhiqet nga shikimi i integruar i mundësive për të bërë ndryshime në Kushtetutë. E ka për detyrë të korrigjojë gabimin e bërë më 21 prill 2008.

 Arritja e kompromisit të imunitetit, midis PS-PD, do të thotë që këto  parti kanë nënshkruar edhe vullnetin e tyre politik për të luftuar korrupsionin?

 – Absolutisht jo.

–        Faleminderit!