Berisha-Blushit: Ku e ke teserën e PD? The se do ta merrje nëse unë ndërtoja tunelin!

436
Sigal

PD-ja vazhdon prezantimin e kandidatëve  në Qarkun e Elbasanit. Mazhoranca kërkon votëbesimin e mandatit të tretë me prikën e  tunelit të  Krrabës

Pas Tiranës, Durrësit dhe Fierit, PD-ja çeli dje fushatën elektorale në qarkun e Elbasanit. Edhe në Elbasan simpatizantët kanë kërkuar fitoren e PD-së ndërsa në kor brohorisnin, “O Sali, o flori votat tona i ke ti”. Nga ana e tyre kandidatët për deputetë kanë akuzuar opozitën, duke kërkuar para elbasanasve besim për mandatin e ri.

Batuta e Berishës ndaj Blushit

 Pas prezantimit të kandidatëve, të cilët do të kërkojnë një mandat të tretë qeverisës, gjatë fjalës së tij, kryeministri Sali Berisha sulmoi deputetin socialist Ben Blushi, për reagimin e tij skeptik ndaj vendimit të qeverisë për nderimin e tunelit të Krrabës. “E kishit ju dje këtu fatorinon e autobusit, e kishit. Përshëndeteni zotin Blushi dhe pyeteni ku e ke teserën e PD? Pse, kur morëm vendimin për ndërtimin e tunelit, Ben Blushi deklaroi publikisht se nëse Berisha ndërton tunelin, unë do marr teserën e PD-së. Kurse tani as që guxon t’i afrohet, struket si fatorino në autobus me shefin e tij. Ata në autobus ne përfundojmë autostradën. Ata në autobus ne do ndërtojmë By-Passin, landfillin e Paprit”- deklaroi kryeministri.

Dështimi i marrjes së statusit, kapital politik elektoral

 Shefi i qeverisë u ndal te bllokimi i procesit të integrimit të Shqipërisë, për shkak të mosvotimit të tri ligjeve me shumicë të cilësuar, duke thënë se opozita shkelmoi interesat dhe idealin e çdo shqiptari. “Në tetor të viti të kaluar komisioni vendosi që të rekomandojë statusin për Shqipërinë, me kusht që të votoheshin 3 ligjet, për të cilat vetë KE kishte ndërmjetësuar, dakordësuar plotësisht për të votuar. Ligjet u përdorën për të shkelmuar aspiratën, interesin , idealin e çdo shqiptari për të parë Shqipërinë vend me status për anëtar në BE.”- u shpreh kryeministri. Duke krahasuar dy alternativat që do të vihen përballë njëra-tjetrës në zgjedhjet e 23 qershorit, Berisha tha se Rama është në autobus, ndërsa mazhoranca do përfundojë projekte të mëdha. “Alternativa tjetër është akuza, mohime, mashtrime. Motoja e tyre është ç’më duhet mua se çfarë them unë. Zoti Rama nuk e ka të rastit qëndrimin e tij ndaj integrimit. Vetëm një pyetje shtrojini vetës, si ka mundësi që ky zotëri, i vetmi në Europë bllokon vendin e tij. Çfarë bëri ai për vizat? A kishte krim dhe mëkat më të madh t’i bllokojë vizat një kombi që ka 25% të vajzave dhe djemve në emigracion, e bëri dhe s’pyeti fare. Çfarë bëri ai për NATO-n, organizoi mitingje me portretin e Enver Hoxhës”- u shpreh Berisha.

Premtimet elektorale, punësim, liberalizim të vizave për në SHBA

Ndërsa renditi premtimet e tij, bazuar në shtyllat e Aleancës së djathtë për punësim, mirëqenie dhe integrim, kryeministri u zotua për krijimin e vendeve e të reja të punës, rritjen e pagave e pensioneve dhe u shpreh i vendosur për përmbushjen e të gjitha kushteve, në mënyrë që vendi të përfitojë edhe liberalizimin e vizave me SHBA-të. “Së bashku më 23 qershor do firmosim për integrimin, jo vetëm për statusin, por dhe hapjen e negociatave. Do firmosim për të merituar me reforma liberalizimin e vizave me fuqinë më të madhe në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lëvizja jonë e lirë në hapësirat e vendit mik, është një ëndërr që do realizohet gjatë katër viteve që vijnë. Do bëjmë çdo reformë, çdo përpjekje”- u shpreh Berisha.

QARKU ELBASAN

1. Arben Imami

2. Eduard Selami

3. Ardian Turku

4. Luçiano Boçi

5. Dashnor Sula

6. Arbjola Halimi

7. Aurel Bylykbashi

8. Irena Progni

9. Rrahim Çota

10. Mati Çela

11. Zamir Muzhaqi

12. Medi Shehu

13. Hysen Moli

14. Muharrem Kajolli

15. Bujar Cakani