Berisha akuzon qeverinë për afere me Lotarinë Kombëtare

445
Sigal

Kuvendi rrëzon dekretin e Nishanit për huamarrjen e qeverisë, ngrihet Komisioni për Dekriminalizimin

Dje, në punimet e seancës plenare të Kuvendit, maxhoranca hodhi poshtë dekretin e Presidentit Nishani, që e cilëson antikushtetues ligjin e qeverisë për të marrë hua, pa e ratifikuar më parë në Kuvend. Për ish- kryeministrin Berisha ky ligj është aventurë me financat publike dhe një përpjekje e radhës për luks nga ana e qeveritarëve, ndaj të cilëve si kurseu akuzat.U votua dje në parlament me 102 vota pro, ngritja e komisionit për dekriminalizimin e Kuvendit.Komisioni do të jetë i përberë nga maxhoranca, Spartak Braho, Armando Subashi, Piro Lutaj dhe Ulsi Manja e nga opozita, Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi dhe Gent Strazimiri.Në krye të tij do të jetë deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, ndërsa nënkryetar Taulant Balla.

Berisha: Qeveria afere me Lotarinë Kombëtare

Ish kryeministri Berisha, ndër akuzat e shumta që zbardhi dje në sallën e Kuvendit, ndaj qeverisë, duke iu drejtuar deputetit të PS-së, Taulant Balla, e akuzoi drejtpërdrejtë për afere personale me Lotarinë Kombëtare, deputetin. Ish-kryeministri Berisha i kujtoi në Parlament, deputetit Balla se ai ka punësuar te Lotaria Kombëtare njerëzit e tij të familjes, ndaj sot qeveria dhe ai vetë nuk flasin më ato akuza që PS-ja i kishte denoncuar kur ishte në opozitë, ndaj koncesionit të dhënë të Lotarisë Kombëtare. Deputeti Balla, natyrisht, nuk iu përgjigj kësaj akuze që i drejtoi drejtpërdrejt ish-kryeministri Berisha. Heshtja dhe anashkalimi që deputeti Balla i bëri akuzës ndaj tij, është përgjigje pohuese e fajit. Përse hesht tani qeveria socialiste për koncesionin e Lotarisë Kombëtare që iu shit veresie “Austria Lottery” (Oesterreichische Lotterien), derisa dje  në opozitë e  denoncoi? Çfarë ka bërë që qeveria sot të heshtë ndaj “Austria Lottery” (Oesterreichische Lotterien)? Mos vallë, “Austria Lottery” (Oesterreichische Lotterien) ka përdorur “vajin” që edhe kjo qeveri të heshtë, sikurse edhe qeveria e djeshme ua fali?

Koncesioni i Lotarisë Kombëtare, dhënë austriakëve për 2 kacidhe

Siç shkroi edhe  Shekulli online, në datën 8 gusht 2013 “Gjatë muajit korrik, Ministria e Financave shpalli fitues të Lotarisë Kombëtare, “Austria Lottery” (Oesterreichische Lotterien). Firma austriake fitoi licencën për 3 milionë euro. Opozita kundërshtoi procedurat e ndjekura duke thënë se me ardhjen e saj në pushtet do të anulojë tenderin”. Mirëpo, kjo opozitë socialiste, sa erdhi në pushtet, jo vetëm që nuk mbajti asnjë nga premtimet e saj, por, përkundrazi, shumë deputetë të saj, tashmë në opozitë, filluan aferat e përfitimeve personale me Lotarinë Kombëtare, tashmë pronësi e “Austria Lottery” (Oesterreichische Lotterien), ku sistemuan njerëzit e tyre me punë dhe të tjera lidhje biznesi. Ndërkohë, austriakët, që e blenë Lotarinë Kombëtare për 2 kacidhe lekë nga qeveria shqiptare, i nxjerrin fitimet e tyre jashtë Shqipërisë, pa investuar asgjë.

Berisha: Tualeti në Ministrinë e Mbrojtjes, 83 milionë lekë. Zyrat e Nikollës 1.1 milionë dollarë

Ish-kryeministri Sali Berisha, po nga faltorja e Parlamentit, dje ka sulmuar qeverinë Rama duke thënë se një tualet ka kushtuar 83 milionë lekë dhe se paratë po përdoren për tapete të kuq e livadhe rreth Kryeministrisë. “U paraqitët këtu si njerëz me lakminë më të madhe për borxh. Morët 400 milionë dollarë që e quajta që në atë kohë “Dekreti i Gropës” sepse me të ju rrisnit interesin e borxhin nga  62% në 65%. Këto kishin një destinacion luksin e zyrave tuaja. Zyra, kolltuqe, tapete të kuq, suvara, për të cilat s’kishte nevojë asnjë shqiptar. Po vinit ju nga një shtresë e lartë aristokratike? Jo, është 83 milionë lekë fatura për një tualet. Shko merreni në Ministrinë e Mbrojtjes faturën. Fatura e mureve të kryeministrisë dhe livadheve të ndërtuara rreth saj”, tha Berisha. Berisha iu është drejtuar deputetëve të PS-së, se çfarë investimesh kanë kryer në vend, duke kujtuar problemet me rrugët dhe shkollat në Shqipëri: “1.1 milion dollarë ka bërë tenderi i fundit, e dini sa po harxhon për zyrat ajo zonjë?”, ka thënë për ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, Berisha. Sipas Berishës, gjithçka po kryhet nga qeveria Rama për qëllime elektorale. Fjalën Berisha e mbajti në kohën kur Parlamenti diskuton projektligjin për huamarrjen.

Petraq Barjami