Berisha akuzon kryesocialistin: Zoti Rama, shpjegohu ndaj akuzës për larje parash

429
Sigal

Këmbana që PS-ja ka dërguar herë pas here gjatë fushatës elektorale se e ka braktisur bota, duket se e ka shtyrë Kryeministrin të kalojë në sulm, duke i kërkuar kreut të socialistëve të japë shpjegime për akuzat e kongresmenit amerikan Dana Rohrabacher, për fotografinë me Presidentin Obama. Duke i qartësuar se me drejtësinë amerikane nuk bëhet shaka, Berisha tha se shqiptarët meritojnë të dinë të vërtetën që shtynë kongresmenin e njohur të kërkojë hetim për pastrim parash. “Zoti Rama njeriu më i fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Dana Rohrabacher ka kërkuar zyrtarisht hetim për ju për larje parash, për 80 mijë dollarë, jepu shpjegim shqiptarëve. Shpjegoju se me drejtësinë amerikanë nuk bëhet shaka. Dinjiteti i shqiptarëve do të dijë të vërtetën që shtyn kongresmenin të kërkojë hetim për ty”- tha kryeministri. Kryeministri ka kërkuar transparencë edhe për paratë me të cilat Rama po ndërton vilën e tij 57 metra të gjatë. “Po ndërton një vilë 57 metra të gjatë, një pallat tjetër ke në pajë, s’ke deklaruar një qindarkë, nga vijnë paratë që ndërton vilën 600 mijë euro, nga vijnë paratë që ndërton pallatin 5 katësh. Këto nuk janë personale janë publike, je i detyruar të thuash shqiptarëve nga vijnë paratë. Kam 20 vjet, vijoi më tej kryeministri, dhe me rrogën dhe kursimet e mija kam arritur të blejë një apartament 125 metra katrorë. Kjo më mjafton, por edhe po të mos më mjaftonte, kaq ishin paratë e mija”- theksoi Berisha. Duke iu drejtuar korçarëve, Berisha u shpreh 23 qershori është dita e ëndrrës, e vizionit të tyre për Korçën dhe Shqipërinë. “Shoku i autobusit mavi nuk mendon për ju, ju për të jeni asgjë, mendon si të pasurojë kupolën e tij. Këtu më shumë se në çdo vend tjetër u ndal tek rrënimi i tij imagjinar, mos e merrni për fyerje, juve nuk ka njeri që ju fyen, merreni si një shprehje të xhamave të zinj të autobusit mavi. Ju jeni njerëz të ndërtimit, bizneseve, fermave. Ndër të madh për ju. Vajza dhe djem të Korçës pyeteni veten çfarë ka ofruar në 3 muaj rresht për ju pasagjeri, thjesht që do mbyllë dyert e universiteteve. Kjo s’do ndodhe kurrë. 23 qershori pra është dita e ëndrrës suaj, e vizionit tuaj për Korçën dhe Shqipërinë”, përfundoi Berisha, ndërsa ftoi qytetarët të votojnë 44 dhe PD.