Berisha: Afera e përpunimit të plehrave dhe manaxherët e qeverisë që marrin miliona nga qytetarët e përmbytur

524
Sali Berisha: Afera e plehrave dhe njeriu i Ramës e Ahmetaj që fiton milionat
Në nisje të seancës së sotme parlamentare, ish- kryeministri Sali Berisha ka kërkuar në sallë, kreun e ekzekutivit Edi Rama për të dhënë sqarime në lidhje me përmbytjet. Në këtë seancë të posaçme plenare për dhunën ndaj grave, Sali Berisha ka theksuar se e mbështet fuqishëm këtë rezolutë.
Duke përshëndetur dhe mbështetur fuqimisht këtë rezolutë theksoj se sot, krahas murit të patriarkisë, tre janë agresorët më brutalë ndaj gruas shqiptare: largimi dhe emigracioni masiv i burrave dhe fëmijëve të tyre; droga, që u bë mënyrë e dytë jetese e tyre dhe e fëmijëve të tyre dhe kërcënon çdo ditë ata; dhe së treti, vjedhja masive e fondeve nga qeveritarët aktualë. Unë jam sot këtu për të paraqitur para jush një nga rastet më flagrante të vjedhjes së mirëfilltë të 220 milionë eurove të vërtetuara. Unë u bëj thirrje ju deputetëve socialistë, secilit prej jush, t’i marrë këto dokumente dhe të thotë se; cilën fjalë, cilën fjali, cilën presje mund të justifikojë. Afera është më pleh se të gjitha plehrat e Shqipërisë. Në vitin 2015, se sot kemi mijëra njerëz nën ujë, një kompani ofrohet dhe kërkon të ndërtojë djegësin e Elbasanit. Në kundërshtim me çdo ligj të vendit, kjo qeveri me Edi Ramën dhe Arben Ahmetin, apo dhe me ministrin Koka, në kundërshtim me ligjin që kërkon tender ndërkombëtar, brenda një dite bëjnë 9 veprime, e paimagjinueshme, dhe ia japin tenderin atij që deshën, një famozi me emër Klodian Zoto, ish menaxheri dhe njeriu i Arben Ahmetajt në aferën e Hermes ku ai vodhi miliona impulse dhe euro të taksapaguesve shqiptarë. Dhe ky zotëri e merr me 22 mln djegësin e Elbasanit. Po ky zotëri, më datën 16 dhjetor 2014 e shet koncesionin me 16 mln euro një italiani dhe fut në xhep me një të rënë të lapsit, 7 mln euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Unë ju them se në botë kjo s’mund të ndodhë kurrë, nëse ministri financave dhe kryeministri nuk janë në tavë të vjedhin si ujqër të tërbuar paratë e taksapaguesve. Po ku ngopen këta! Më ka pas thënë një mik i shquar amerikan avokat: Kam pasur shumë miliarderë hajdutë që i mbroja në gjyq, por s’ishte asnjëri prej tyre që s’donte të vidhte miliardin tjetër. Kështu pra dhe puna e tyre. Nga djegësi i Elbasanit, rroftë djegësi i Fierit. Ç’u bë me djegësin e Fierit? Ia dhanë po Klodian Zotos, duke ndërruar emra dhe kompanira, ortakut të Vilma Nushit. Po sa i dhanë thoni ju? 15 milionë euro. Zoto ia shiti italianit të tij Fonio, me 28 mln euro. Sa futi në xhep nga paratë e atyre të mjerëve që sot edhe bukë nuk kanë nga përmbytjet? 13 milionë euro, në kundërshtim flagrant me çdo lloj procedure. Ligji thotë që bëhet tender ndërkombëtar. Më thoni ju, o deputetë të Fierit, a është vendosur ndonjë tullë për këtë vepër në Fier? As dhe një tullë e vetme. Kompania i ka marrë 6 milionë euro pa marrë akoma lejen e ndërtimit. Si mund t’i pranoni ju këto? Vendi do shkojë drejt destabilizimit, ta keni të qartë këtë. Ai që i jep 6 mln euro një kompanie pa hedhur asnjë tullë, pa hapur asnjë kanal, ai ndan paratë me kryeministrin, pasi ministër financash që të bëj diçka të tillë pa lejen e kryeministrit nuk ekziston. Tani vjen Tirana. Në Tiranë djegësi do jetë 128 mln euro. Nuk ka burrë nëne që të gjejë kontratën. Këta fshehin kontratën, sepse në buxhet kanë përcaktuar fiks 10 mln euro për këtë vit. Këta janë një bandë që nuk ekziston kund në botë. Këtu është ministri i mjedisit Lefter Koka, i cili ka marrë pjesën e vet. S’ka ministër financash që guxon të bëjë një veprim të tillë kriminal pa mbështetjen e kryeministrit. Edhe ju, o deputetë socialistë, unë e kuptoj që jeni të lidhur mbas mandatit, po nuk lidhet burri pas mandatit si qeni pas hurit. Nëse këto që them unë këtu janë kështu siç them unë, ju duhet të ngriheni këtu e të flisni, sepse përfaqësoni zgjedhës, përfaqësoni qytetarë të mbytur në Fier, përfaqësoni qytetarë të mbytur në Gjirokastër, përfaqësoni qytetarë me halle në Ballsh e në Shqipëri. Në këto do i çojmë aty ku duhet, por është në nderin tuaj si grup parlamentar t’i merrni e t’i shihni dhe jo t’i hidhni apriori, pse një hajdut, i cili kur vodhi me Hermesin iku dhe kërkoi strehim në Rumani, është kthyer tani ka marrë Klodian Zoton dhe ka marrë buxhetin e shqiptarëve. Së fundi, ka një qëndrim jashtëzakonisht cinik. Unë përgëzoj të gjitha përpjekjet për të lehtësuar gjendjen e të përmbyturve, përgëzoj çdo hap që është bërë, por në mënyrë absolute ka një cinizëm ekstrem. Ja ku i keni të gjitha vendimet e qeverisë së mëparshme. Po pse, para tepër kisha unë për t’i dëmshpërblyer e për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme? Jo para tepër nuk kisha, por ka një moral. Ata i ka përmbytur Vjosa, ata do dëmshpërblehen nga shteti, sepse ata janë aty prej 30 vitesh, i kanë ndërtuar aty banesat, sepse i ka lejuar shteti, s’mund t’i them unë tani, pse i ke ndërtuar aty, i kam lejuar unë, sepse unë jam shteti. Duhen dëmshpërblyer ata, duhet shpallur gjendja e emergjencës civile, vetëm me gjendjen e emergjencës civile qeveria merr përsipër detyrimet ndaj tyre dhe i dëmshpërblen ata për banesat, për bizneset e për të gjitha. Përndryshe qeveria vetëm vjedh e vjedh ndihmat e tyre.
Sigal